AktualitetTë fundit

Në ndjekje të mashtruesit turk që grabiti kriptomonedhat; Fshihet në Shqipëri, mediat turke publikojnë fotot

Pamjet e milionerit të kriptomonedhës turke, Faruk Fatih Özer, i cili është shpallur në kërkim dhe mendohet se fshihet në Shqipëri, janë shfaqur në mediat turke.

Në foto, ai duket duke bërë pagesën në hotelin ku u strehua më 20 prill të këtij viti. Sipas medias turke, themeluesi i shkëmbimit të monedhës kripto Thodex, shoqërohet nga një person tjetër që edhe e ka pritur në aeroportin “Nënë Tereza”.

Sipas të dhënave të deri më tanishme Faruk Fatih Özer, shefi i Thodex, i kërkoi motrës së tij Serap Özer të gjitha dokumentet e kompanisë më 18 prill për shkak të problemeve të biznesit dhe iku në Shqipëri dy ditë me vonë. Në deklaratën e saj, Serap Özer, e cila u ndalua për hetim, deklaroi se vëllai i saj Faruk Fatih Özer kërkoi një raport piraterie të kompanisë në 18 prill, 2021, dokumente në lidhje me rastet e kompanisë, bilancin e gjykimit dhe dokumentet e buxhetit e vendimin.

Özer shkoi jashtë vendit me këto dokumente dhe miliona dollarë para kripto që fitoi duke mashtruar 400 mijë njerëz. Ai është parë në njërin nga hotelet në Tiranë ku ka qëndruar pas arratisjes së tij dhe është parë në shoqërinë e një burri, identiteti i të cilit nuk është bërë ende i ditur.

Shtetasi shqiptar, me të cilin ai u pa në foto, është ai që e priti në aeroport dhe e çoi në hotel dhe që aktualisht është në kërkim nga policia shqiptare mes të dyshuarve. Policia shqiptare është në kërkim të tij, ndërsa u identifikuan disa hotele dhe banesa ku ai ishte fshehur dhe më pas humbi gjurmët. Ai mban me vete një server që mendohet se ka nga 108 milionë dollar deri në 2 miliardë dollar të konvertuara në kriptomonedha.

Policia turke ka dërguar një ekip prej 5 personash në Ballkan dhe njëri është duke punuar me policinë shqiptare të tjerët janë vendosur në Kosovë, Maqedoni, Bosnje dhe Mal të Zi ku dyshohet se turku mund të arratiset. Policia kishte identifikuar se turku qëndroi tre netë në një hotel afër Zogut të Zi, e më pas dy netë në një banesë në zonën e Pazarit të Ri, shtëpia e çiftit që e priti në Rinas. Më pas u zhvendos në një banesë në zonën e Myslym Shyrit e më pas te 21 dhjetori ku humbi edhe gjurmët.

Policia dyshon se ai po kërkon të arratiset me skaf drejt Italisë.

 

Fraksion.com