AktualitetPolitikëTë fundit

Konstituohet Komisioni Hetimor për shkarkimin e Metës; Hyseni: Do bazohemi te Kushtetuta

Komisioni Hetimor Parlamentarë zhvilloi sot mbledhjen e parë për të hetuar shkeljet kushtetuese të kryera nga presidenti Ilir Meta.

Mbledhja e parë u zhvillua në ambientet e Kryesisë së Kuvendit nën drejtimin e Alket Hysenit dhe nënkryetarit Myslim Murrizi, ku sekretare me votimin e të gjithëve u zgjodh Klotilda Bushka.

Kryetari i Komisioni, Alket Hyseni, duke folur për planin paraprak të hetimit tha se puna e anëtarëve të Komisionit do të bazohen vetëm mbi ligjet dhe Kushtetutën, përtej politikës.

“Do të bazohemi vetëm mbi detyrimin tonë Kushtetues, rregulloren  e Kuvendit dhe ligjet e Komisionit të Ligjeve. Objektivi përcaktohet nga vendimi i parlamentit për ngritjen e këtij Komisioni mbi kërkesën e deputetëve. Meta nuk u paraqit në Komisionin e Ligjeve, më tej Komisioni paraqiti raportin Kuvendit për hetimin nëse aktet dhe deklaratat e Metës para, gjatë dhe në heshtjen zgjedhore janë në shkelje të Kushtetues, nëse ka nxitur urrejtje dhe dhune. Do i qëndrojmë strikt objektit të punës. Sa i takon planit të sotëm, që është detyrë e kryetarit, bazohet në ngritjen e hetimit dhe të drejtën që ka Presidenti për t’u shprehur në këtë komision. Ky komision përtej të drejtës së Presidentit, ka të drejtën të thirr Presidentin në një dëgjesë që do të jetë e nevojshme. Pikë tjetër e planit paraprak është marrja e të dhënave, këtu do të mbahet parasysh kërkesa juaj që të kemi pamje filmike apo të dhëna nga AMA mbi publikime, në rrjete sociale, apo media të caktuara. Pikë e katërt është përgatitja e planit përfundimtar të hetimit. Do të ketë pikë të pestë për marrjen e ekspertëve vendas apo të huaj. Duhet të kemi konsulentët e ekspertëve, që do të na ndihmojnë në çështje të doktrinës, apo jurisprudencës së Gjykatës tonë, apo atyre Evropiane. Do të kemi një dëgjesë me Presidentin e Republikës. Do të miratohet raporti përfundimtar, e më pas, do të jetë Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, për të vendosur nëse ka shkaqe të parashikuara nga Kushtetuta për shkelje të rëndë të Kushtetutës. Do të mblidhemi që ta përmbushim detyrën tonë me kujdes”, u shpreh Hyseni.

Nga ana e tij, anëtari i Komisionit Hetimor, deputeti Spartak Braho  kërkoi që si provë të mos merren vetëm deklaratat me shkrim, por edhe me video.

“Ne nuk duhet të prononcohemi për mediat, që presidenti është kështu apo ashtu. Të caktohet dikush që të flasë për mediat. Ne do të na nevojitet të njohim jo vetëm deklarimet e Presidentit, por edhe filmimet, nuk i duam vetëm të shkruara duhet të kemi tabelën e të shohim publikisht të gjitha imazhet që akuzohet Presidenti. Kjo është më mirë për ne kur i shohim, dëgjojmë, por edhe për publikun”, tha Braho.

Anëtarja e komisionit, Vasilika Hysi u ndal te plani paraprak duke shtuar se “do të ishte mirë të kishim një plan kalendar dhe ky kalendar do ishte i domosdoshëm. Do të ketë dinamikë, por nëse do të kishim kalendar do të orientonte punën dhe krijonte mundësi qoftë për Presidenti apo dëshmitarët që të planifikojnë kohën që të mos vihemi para të papriturave”, tha ajo.

Nënkryetari i këtij Komisioni, deputeti Myslim Murrizi kërkoi që të thellohen hetimet, duke kërkuar informacione dhe tek Agjencitë ligj zbatuese.

“Lidhur me objektin e hetimit do të doja që në emër të komisionit të kërkoja informacion zyrtarisht agjencive ligj zbatuese, Shërbimi Informativ Kombëtar, Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shteti, Drejtorisë së Anti-Terrorit për t’u njoftuar ne si komision dhe çfarë informacionesh kanë pasur këto agjenci gjatë 30 ditëve fushatë, çfarë efekti kanë patur deklaratat publike të Presidenti për nxitje dhune, pra duhet në të vënë në dispozicion informacioni”, tha ai.

Sekretarja e zgjedhur, Bushka ka kërkuar që të merren në shqyrtim opinionet e Venecias në  lidhje me presidentin.

Anëtarët e Komisionit Hetimor janë Alket Hyseni, Myslym Murrizi, Klotilda Bushka, Vasilika Hysi, Elena Xhina, Spartak Braho, Halil Jakimi, Nikolin Staka, Arlind Çarçani, Ermonela Felaj, Xhemal Qefalia dhe Eugen Bojaxhi.

Deputetja e PS, Klotilda Bushka u zgjodh sekretare e komisionit hetimor në unanimitet.

 

Fraksion.com