AktualitetPolitikëTë fundit

“Basha s’u bë kurrë lider”; Nishani: Akuzat për vjedhje votash, alibi e dobët për t’i ikur përgjegjësisë! Rama do fitojë dhe në 2025 nëse PD s’reformohet

Akuzat për vjedhje të votave në 25 prill, ish-presidenti Bujar Nishani, një nga kritikët më të fortë kundër kryedemokratit Lulzim Basha, i ka konsideruar si një alibi e dobët për të mosmbajtur përgjegjësi për humbjen. Bashën, Nishani e ka quajtur si një drejtues në tentativë për t’u bërë lider, por që nuk ia doli kurrë, prandaj e cilëson si një hap kyç largimin e tij dhe reformimin e PD-së. Në kjo nuk ndodhë, pra që në radhët e demokratëve të vijë ndryshimi, atëherë Nishani është i bindur se kryeministri Edi Rama do të fitojë sërish në zgjedhjet e 2025.

“Alibi e dobët për t’i ikur përgjegjësinë dhe hapjen e PD. Ky proces, vëtretimi se janë vjedhur zgjedhjet, duhet të vijojë paralelisht me hapjen e partisë. Rama do fitojë edhe 2025 nëse PD nuk reformohen. (…) Nëse nuk largohet, do dëmtojë personalitetin e vet, Basha e ka mbyllur ciklin për të qenë një lider politik, u përpoq prej 8 vitesh, ka pasur mbështetjen maksimale dhe nuk e ka realizuar misionin e tij, nuk arriti që të marrë qeverisjen dhe të kryejë programin. Nëse qëndron në këtë pozicion mund ta mbajë vulën apo çelësin e PD, por do dëmtohej edhe më shumë në aspektin personal, por do e zvogëlojë edhe më shumë PD, do rrezikojë rrudhjen e saj”, tha Nishani.

Në intervistën ekskluzive për gazetaren e  Report Tv, Danjela Maloku, Nishani si një nga nismëtarët për shkarkimin e Bashës dhe themelues të nismës “grupimi për PD-në”, shtoi se nuk ka pasur asnjë kontakte me liderin e opozitës, apo edhe ish-kryeministrin Berisha. Ky i fundit njihet për marrëdhënien e ngushtë që ka me Nishanin, por sipas ish-presidentit, ai ka zgjedhur që raportet personale t’i mbajë larg. Kritikat nuk i ka ndalur për Bashën, ku tha se nuk duhet t’u kërkojë të tjerëve të sillen si europian, kur ndërkohë vetë ndjek modelin afrikan. Më tej, ka listuar edhe argumentet pse kërkesa për largimin e Bashës nuk është personale.

“Reformimi nuk vjen vetëm me dorëheqjen e liderit, ajo është hapi i parë i nisjes së një procesi besimi. Nuk e duan qeverinë e Ramës, nuk kanë besim te PD, dorëheqja është një akt politik perëndimor dhe nuk ka vetëm vlerën e perceptimit të sjelljes me integritet, por edhe çlirimi nga ngërçi psikologjik që ka struktura dhe opinioni i PD-së. Duhet të sillesh europian duke filluar nga vetja, nuk mund t’u kërkosh të tjerëve të sillen europian dhe vetë të sillesh sipas modelit afrikan. Nuk është çështje spastrimesh. Kur them modeli i ri, vija e parë i takon gjeneratës së re, PD ka organizimin e 2015, në 2025 duhet të shkojmë me modelin që duhet të ketë në 2030”, tha Nishani.

Nishani e sheh të zymtë të ardhmen nëse situata brenda PD-së nuk ndryshon, duke thënë se në fund do të kemi një qeveri të korruptuar dhe një opozitë të pazonjë për të sjellë ndryshimin.

Bujar Nishani ka deklaruar se nuk ka pasur komunikime me Berishën apo Bashën, lidhur me qëndrimin e tij kundër kryedemokratit pas zgjedhjeve të 2025.

“Nuk kam pasur kontakte as me Bashën e as me Berishën, kam qenë bashkëpunëtor i Berishës, jemi miq. Raportet personale duhet të qëndrojnë jashtë për interesin publik”, tha ai.

 

Fraksion.com