AktualitetBota+Të fundit

Tensionohen raportet, Britania dërgon luftanije për t’i patrulluar ujërat afër Francës

Dy anije të Forcave Detare Mbretërore të Britanisë së Madhe janë duke patrulluar në ujërat përreth ishullit Jersey për shkak të shqetësimit rreth një bllokade të mundshme nga barkat franceze si pjesë e të drejtave të peshkimit pas Brexit-it.

Franca ka kërcënuar se do t’ia ndalë energjinë elektrike këtij ishulli, i cili javën e kaluar filloi të lëshojë leje për barkat franceze sipas një sistemi të ri, shkruan BBC.

Anijet “HMS Severn”, e cila më parë është përdorur për t’i larguar luftanijet ruse nga bregdeti anglez, dhe “HMS Tamar” arritën afër ishullit Jersey të enjten në mëngjes.

Të mërkurën në mbrëmje, kryeministri Boris Johnson u zotua për përkrahje të palëkundur për ishullin më të madh në Kanalin Anglez, i ndodhur vetëm 22 kilometra larg bregdetit francez.

Ai shtoi se çfarëdo bllokade nga barkat franceze do të ishte tërësisht e pajustifikueshme.

Dimitri Rogoff, shefi i peshkatarisë për rajonin e Normandisë në Francë, tha se barkat nuk do të përpiqen që ta bllokojnë St Helier-in dhe do të kthehen në Francë këtë pasdite.

Më herët, ministrja franceze, Annick Girardin, kërcënoi se Franca do t’ia ndërpriste rrymën ishullit britanik, pasi peshkatarët francezë janë ankuar se po u ndalohet operimi në ujërat britanike shkaku i vështirësive për marrjen e lejeve./Gazetaexpress

 

Fraksion.com