Rama nga Italia: Integrimi në BE, zgjedhja e vetme dhe fundore
Kryeministri Edi Rama deklaroi sot në konferencën vjetore “State of the Union” organizuar nga Instituti i Universitetit Europian në Firence, Itali se “Bashkimi Europian nuk është një nga zgjedhjet për ne, por është zgjedhja e vetme dhe fundore”.
“Është absolutisht e vërtetë se në Shqipëri pak rëndësi ka kush humb apo fiton në zgjedhje kur bëhet fjalë për BE, sepse opinioni publik është shumë pro BE-së dhe shumë properëndimor. Nuk ka asnjë dyshim se integrimi në BE nuk është një nga zgjedhjet për ne, por është zgjedhja e vetme dhe fundore për ne. Është e vërtetë për disa vende të tjera në rajon që ka edhe aktorë të tjerë me ndikim mjaft të rëndësishëm, por kjo nuk është e vërtetë me Shqipërinë, pasi me të gjithë të tjerët ne kemi marrëdhënie të llojeve të ndryshme, por asnjë prej tyre nuk është zëvendësuese e mundshme e BE-së si objektiv, si destinacioni, si partneri ynë. Kështu që po, mendoj se ka shumë çështje me të cilat duhet të merremi gjatë gjithë kësaj kohe”, tha Rama.
I pyetur lidhur me blerjen e vaksinave kineze dhe marrëdhënien me Kinën, Rama tha se “ne u lamë jashtë skemës së shpërndarjes së vaksinave në fillim dhe kur them ne, jo vetëm Shqipëria por të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor”.
“Kështu që kjo fqinjësi, kjo lagje në mes të Europës e rrethuar nga kufij të BE-së ishte e izoluar nga pjesa tjetër përsa u takon kapaciteteve për të luftuar pandeminë. Na u desh të vepronim vetë të bënim përpjekjet individualisht dhe për ne shkoi mirë. Lidhëm kontratë me Pfizer dhe AstraZeneca. Për të qenë të saktë, nuk e morëm vaksinën nga Kina por nga distributori në Turqi”, tha Rama.
Ai shtoi se “marrëdhëniet tona me Kinën janë absolutisht normale dhe normalja në këtë marrëdhënie nënkupton se nuk ka asnjë gjë speciale”.
I pyetur mbi ecurinë e reformave në Shqipëri dhe luftën kundër krimit të organizuar, Rama tha se “mendoj se pikë së pari na duhet të vlerësojmë se kush është burimi më i kualifikuar për të folur objektivisht për reformat dhe rezultatet tona”.
“Mendoj se askush, askund në Europë nuk është më i mirë se sa Komisioni Europian për të dhënë objektivisht mbështetjen me fakte dhe të mbështetur në një monitorim mjaft rigoroz të gjithë procesit për të thënë se ku jemi. Kemi mësuar në mënyrën më të vështirë se pavarësisht gjithçkaje ka dy nivele vlerësimi, njëri më teknik pra Komisioni që ka një delegacion të tërë me staf në Shqipëri që ndjek 24 orë në 7 ditë të javës gjithë ecurinë dhe një nivel tjetër më politik, më subjektiv. Aty ngecemi”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se “e rëndësishme për ne është që të vazhdojmë të bëjmë atë që po bëjmë se nuk është se na duhet ta bëjmë këtë bazuar në atë që njerëzit na kërkojnë në Bruksel etj, por na duhet t’i bëjmë për fëmijët dhe të ardhmen tonë”.
“Këto reforma janë në të mirë të vendit dhe ne na duhet të kemi durim dhe jemi mjaft të duruar derisa vlerësimi të bëhet edhe në nivel vendimmarrës të Këshillit, sepse ne e dimë mjaft mirë që disa vende janë gjithmonë e më shumë influencuese për këtë vendim. Nuk lidhet me atë që t’i bën. Kjo është e rëndësishme por edhe ajo që ata kanë nevojë në atë moment. Na është dashur të përballemi disa herë. Asnjë gjë nuk na habit, mund të bëjmë gjithçka të nevojshme dhe të mbetemi pezull. E dimë që duhet të bëjmë punën tonë. Përtej kësaj nuk kemi mundësi të ndryshojmë gjëra. Nëse një vend ka zgjedhje, apo një vend tjetër do të bëj një deklaratë për zgjerimin, t’i bësh të gjitha palët të jenë njëzëri është gjithmonë e më tepër e vështirë”, tha Rama.
Rama: Europa për ne është një fe, ka të njëjtën vlerë sot që ka pasur kur etërit themelues e parafytyruan
Kryeministri Rama u pyet edhe në raport me marrëdhënien me Turqinë dhe bashkëpunimin rajonal.
Rama tha se “ndonjëherë është e mundimshme që ta bësh të qartë sepse ka opinione të ndryshme që vijnë nga jashtë lidhur me mënyrën si t’i qasemi Europës”.
“Për ne Europa nuk është alternativë ndaj asgjëje, Europa për ne është një fe, është vendi që ka të njëjtën vlerë sot që ka pasur kur etërit themelues e parafytyruan. Ndoshta jemi naiv, jemi si të gjithë ata që përpara se të martohen janë kaq entuziastë për këtë dhe nuk duan të dëgjojnë përvojat alternative të martesës, por kështu është. Ne nuk shohim asnjë faktor e aktor si një alternativë kundrejt Europës. Për ne procesi i integrimit është një instrument fantastik për të modernizuar vendin tonë dhe për ta bërë Shqipërinë një vend të mirëfilltë europian, i gatshëm për tu bërë anëtar i BE-së. Por pavarësisht nëse është apo jo anëtar, të jetë një shtet europian”, tha Rama.
“Besoj fort dhe kjo është pikëpamja e përulur e Kryeministrit të Shqipërisë të vogël por kam një mendim të fortë se Europa ka nevojë për ne. Jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për Ballkanin Perëndimor, aq sa Ballkani Perëndimor ka nevojë për BE-në. Saktësisht për të njëjtat qëllime që disa aktorë bëjnë avokatinë e së kundërtës. Qëllimin e një unioni më integral, të sigurt e të siguruar. Nuk është e qartë për mua se si të vihet në diskutim kjo gjë. Ne rrethohemi nga kufijtë europianë. Ne jemi brenda Europës. Si mund të ketë një hapësirë fqinjësie dhe ta lësh si një zonë të mundshme gri ku të tjera interesa e aktorë mund të ndërhyjnë. Është shumë e qartë se alternativa e integrimit të plotë është shumë më e sigurt se çfarëdolloj alternative bashkëpunimi”, shtoi Rama.
Fraksion.com