Gjermania jep 50 milionë euro për transport të gjelbër në Tiranë
Transporti urban publik shihet si shkaktar kryesor i ndotjes së ajrit në Tiranë. Tani me ndihmën gjermane i hapet rruga një projekti për transportin ekologjik.
Burime zyrtare nga Ambasada Gjermane në Tiranë, bëjnë të ditur se i është hapur rruga zbatimit të fazës fillestare të projektit “Transporti Ekologjik në Tiranë”. “Ky projekt ka si objektiv kryesor promovimin e një shërbimi transporti urban publik sa miqësor me mjedisin dhe klimën, aq edhe të besueshëm dhe të përballueshëm për qytetarët në Tiranë,” theksohet në njoftimin e ambasadës gjermane në Tiranë të mërkurën, (5.05).
Faza fillestare e projektit “Transporti Ekologjik në Tiranë” u bë e mundur në sajë të një marrëveshjeje mes qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë, (RFGJ) dhe asaj të Shqipërisë, të nënshkruar në fund të muajit të kaluar, për financimin nga qeveria gjermane me një kredi prej 50 milionë euro, përmes Bankës Gjermane për Zhvillim (KfW). Zbatimi i tij vjen pas një studimi të thelluar fizibiliteti për një sistem të shpejtë autobusash në Tiranë, të përqendruar në problematikat teknike, financiare, sociale e mjedisore që hasen në tre korridorët kryesorë të kryeqytetit: Kinostudio-Kombinat, Unazën e tretë dhe Tiranën e Re. Studimi u krye me një grant të qeverisë gjermane prej 1,7 milionë eurosh, përmes KfW, të lëvruar në vitin 2019, thekson njoftimi i ambasadës gjermane në Tiranë.
Transporti urban publik – shkaktar i ndotjes së mjedisit
Sipas të dhënave zyrtare të Open Data – Tirana, transportit publik urban në kryeqytet që nga viti 2013 kryhet vetëm nga 11 operatorë privatë në 16 linja të ndryshme të autobusësh. Çdo ditë 311 autobusë kalojnë nga periferia në qendrën e kryeqytetit dhe anasjelltas. Vetëm 271 prej tyre janë me platformë për persona me aftësi të kufizuar dhe vetëm 62 të pajisur me kamera sigurie.
Rreth 200,000 persona udhëtojnë gjatë ditës në linjat e transportit publik urban në Tiranë. Në një studim të këtij viti nga specialistët e Institutit të Shëndetit Publik, (ISHP) transporti urban publik në Tiranë cilësohet si një nga shkaktarët kryesorë të ndotjes së ajrit në kryeqytet. “Tirana është një nga qytetet më të ndotura të Shqipërisë me 100 mikro gramë për metër kub me grimca të ngurta, blozë dhe benzene, shifër që është disa herë më e lartë se normat e lejuara nga Bashkimi Evropian”, thekson studimi i në fjalë.
Një ndotje e tillë e mjedisit, konsiderohet nga specialistët e ISHP si një nga shkaktarët kryesore për sëmundjet e mushkërive dhe shtimin e rasteve me kancer të mushkërive. Projekti “Transporti Ekologjik në Tiranë”, i financuar nga qeveria gjermane me 50 milionë euro përmes bankës KfW, synon të fillojë kthesën pozitive të qëndrueshme të kësaj situate. KfW në Shqipëri, në zbatim të bashkëpunimit financiar mes Gjermanisë dhe Shqipërisë siguron grante dhe kredi të buta për investime kyçe në infrastrukturë dhe shërbime konsulence që lidhen me projekte të ndryshme, thekson njoftim i ambadsadës gjermane në Tiranë.
Bashkëpunimi Gjermano-Shqiptar filloi në vitin 1988. Që nga ai vit Qeveria Gjermane, përmes KfW ka angazhuar një shumë totale prej 1.3 miliardë eurosh për sektorët kyç të furnizimit me ujë, menaxhimit të mbetjeve, energjisë dhe zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik, duke u bërë kështu donatori kryesor bilateral me Shqipërinë./DW
Fraksion.com