Detaje nga mbledhja e Bashës; Marku dhe Gjekmarkaj kërkojnë protesta, kreu i PD-së: S’është koha!
Pas rreth 2 orëve ka mbaruar mbledhja në selinë blu e kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha dhe ekipit të PD-së.
Burime i thanë gazetares së Top Channel, se Mark Marku kërkoi të bëhen reagime të forta, duke kërkuar edhe protesta me arsyetimin se njerëzit duan të dinë çfarë qëndrimi do mbajë PD. Të njëjtin qëndrim mbajti edhe kolegu i tij Agron Gjerkmarkaj.
“Gjëja më e thjeshtë për mua është të thërras protesta. Por po pas kësaj? Jo, sepse nuk është kjo koha. Prioriteti ynë është të vetëdijësojmë njerëzit për masakrën elektorale që edhe protesta të ketë kuptim”, ka thënë Basha.
Basha ka këmbëngulur tek shpalosja e masakrës elektorale të 25 prillit.
“Ne duhet të bëjmë aleancën më të gjerë me opinionin publik dhe faktorin ndërkombëtar”, ka theksuar Basha.
Basha gjithashtu gjatë fjalës së tij në mbledhje tha se pavarësisht vjedhjes së votave nga partia rivale, PD u bë më e fortë se kurrë në këto zgjedhje.
“Dua të falënderoj secilin nga ju. Ju keni punuar shumë fort me besimin e palëkundur në rrugën tonë, në demokracinë tonë, në vendin tonë. Pavarësisht vjedhjes më të madhe të votave në historinë e Shqipërisë të kryer nga Rama-Doshi, ne sollëm një arritje të madhe për partinë tonë dhe për vendin tonë. Ne, pa hequr dorë nga vlerat tona, u bëmë më të fortë kudo. Tani do të luftojmë me të gjitha fuqinë tonë deri në fitore. Fushata jonë nuk ka mbaruar, ajo vazhdon me energji maksimale. Unë do takoj njerëzit në terren, për t’i falënderuar, për të biseduar me ta, për t’i dëgjuar, duke ju kërkoj që edhe ju të bëni të njëjtën gjë në ditët në vijim. Së bashku do të fitojmë! Fushata dhe misioni ynë për të sjellë ndryshimin në Shqipëri vazhdon me fuqi maksimale. Pavarësisht vjedhjes më të madhe të votave në historinë e Shqipërisë, PD u bë më e fortë se kurrë”, tha Basha.
Në mbledhje mungoi lideri historik i PD-së, Sali Berisha, ndërsa Fatmir Mediu mbërriti në selinë e PD-së pasi mbaroi.
Ditën sotme nga selia blu, Basha e cilësoi 25 prillin si një masakër elektorale duke akuzuar me emra konkretë për vjedhje votash, ku në krye ishte kryeministri Edi Rama, pasuar nga Tom Doshi dhe Aqif Rakipi.
Kujtojmë se në zgjedhjet e 25 prillit ka triumfuar PS duke rrëmbyer 74 mandate, kurse PD arriti të merrte vetëm 59. Grupe “Basha boll” janë riaktivizuar për të rrëzuar nga posti Bashën, duke e fajësuar për humbjen e zgjedhjeve të 25 prillit.
Fraksion.com