“Deputetët në këmbë për Bashkim Finon”; Seanca plenare mban një minutë heshtje
Kuvendi i Shqipërisë mbajti sot 1 minutë heshtje në nderim të deputetit socialist, Bashkim Fino, i cili u nda nga jeta pak kohë më parë pasi humbi betejën me COVID-19.
Nënkryetarja e Kuvendit, Vasilika Hysi ftoi deputetët të mbajnë një minutë heshtje në nderim të Bashkim Finos, ndërsa u shpreh se “do ta kujtojmë mikun tonë si një koleg të nderuar, të respektuar, një koleg serioz, një shok i mirë, i cili përballonte me sukses dhe jepte zgjidhje në situata shumë të vështira që ne kemi pasur në Kuvend dhe jashtë tij”.
“Korrekt dhe serioz, pak fliste në seanca plenare, por ishte shumë i përfshirë nëpër komisione. Të gjithë do ta kujtojmë për seriozitetin, profesionalizmin, kujdesin që tregonte për të respektuar figurën e deputetit, për pavarësinë e institucioneve, për buxhetimin sa më të mirë të tyre, për zbatimin sa më të mirë të reformave”, tha Hysi.
Ajo tha se “ne e kemi humbur atë, atëhere kur Shqipëria po fillonte të fitonte betejën me COVID”.
“Më lejoni që edhe në emrin tuaj të mbajmë një minutë heshtje. I paharruar”, tha ajo.
Në ulësen e Finos në Kuvend ishin vendosur disa lule të bardha në shenjë respekti.
Fraksion.com