“Defender Europe 2021”; Walters: Shqipëria, eksportuese e sigurisë
Stërvitja “Defender Europe 2021” e cila nisi sot nga Durrësi, do të demonstrojë aftësitë ndërvepruese të Shteteve të Bashkuara me ushtritë partnere të NATO-s, për sigurinë në Ballkanin Perëndimor dhe rajonet e Detit të Zi.
Në ceremoninë e nisjes së stërvitjes në portin e Durrësit, gjenerali amerikan dhe komandant i Komandës Europiane të SHBA, Tod Walters vlerësoi Shqipërinë si një komb që ka luajtur rol të madh në paqen në rajon dhe Europë.
“Dua ta falënderoj këtë komb kaq të bekuar për atë që ka bërë dhe vijon të bëjë për paqen në rajon. Më lejoni të shpreh ngushëllimet e mia për ata që kanë humbur personat e dashur nga COVID-19. Por edhe për vigjilencën që kjo pandemi të mos materializohet në krizë sigurie”, u shpreh ai.
Ai falanderoi autoritetet ushtarake për këtë stërvitje.
“Sot kemi provën e asaj që duhet të bëjmë, duhet të përmirësojmë transparencën strategjike që nuk është bërë që në 1940. Shohim bregdetin, duhet të kujtojmë çfarë ndodhi gjatë Luftës së Dytë Botërore. Pushtimi i Normandisë, gjithë logjistikat në tokë e det, ne do të ulemi sot e do kuptojmë çfarë prove e vështirë është kjo”, vijoi Walters.
“E gjithë logjistika e anijeve është e përbashkët. E bëjmë në mënyrë tipike të NATO-s, me forca të armatosura të shëndosha. Marinsa, forca tokësore, detare, për të provuar e dëshmuar se nga kjo stërvitje do jemi më shumë përgjegjës, do të reagojmë më mirë”- theksoi gjenerali amerikan.
“Falënderoj këtë komb, është eksportues i sigurisë. Mënyra si e kuptojmë këtë, momenti kur ju e keni treguar këtë nga pranimi në NATO, na ka dhënë një Shqipëri më të sigurtë, pjesë perëndimore më të sigurt, një Mesdhe dhe Europë më të sigurt. Ndihemi më të sigurt, jemi më të fortë së bashku’’- tha gjeneral Tod Walters.
Fraksion.com