AktualitetBota+Të fundit

Rusia i drejtohet Kinës për prodhimin e Sputnik V

Rusia po u drejtohet firmave të shumta kineze për të prodhuar vaksinën e saj kundër koronavirusit Sputnik V, në një përpjekje për të përshpejtuar prodhimin ndërsa kërkesat për të po rriten.

Në javët e fundit Rusia ka njoftuar tre marrëveshje me kompani kineze për prodhimin e rreth 260 milionë dozave. Një vendim që mund të nënkuptojë qasje më të shpejtë tek vaksinat për vendet e Amerikës Latine, Lindjes së Mesme dhe Afrikës, të cilat kanë porositur vaksinën ruse, në një kohë kur Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian po përqendrohen kryesisht tek nevojat e brendshme për vaksinim.

Kritikat e mëparshme ndaj vaksinës ruse janë qetësuar kryesisht nga të dhënat e botuara në revistën mjekësore britanike “The Lancet” që tha se testimi në shkallë të gjerë tregoi se ajo ishte e sigurt dhe me një normë efikasiteti prej 91%.

Por ekspertët kanë hedhur dyshime nëse Rusia mund të përmbushë premtimin e saj ndaj vendeve të tjera. Ndërsa zotohej se do të shpërndante me qindra miliona doza, ajo ka dhënë vetëm një pjesë të sasisë.

Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov ka thënë se kërkesat për Sputnik V e tejkalojnë ndjeshëm kapacitetin e brendshëm prodhuese të Rusisë.

Për të rritur prodhimin, Fondi Rus i Investimeve Direkte, i cili mbështet financiarisht Sputnik V-n, ka nënshkruar marrëveshje me prodhues të shumtë të barnave në vende të tjera, të tilla si India, Koreja e Jugut, Brazili, Serbia, Turqia, Italia e të tjera vende. Megjithatë deri më tani ka pak të dhëna se kompanitë prodhuese jashtë vendit, përveç atyre në Bjellorusi dhe Kazakistan, kanë dorëzuar ndonjë sasi të madhe vaksinash.

“Airfinity”, një kompani analitike shkencore me qendër në Londër, vlerëson se Rusia ka rënë dakord të furnizojë mbi 100 vende me rreth 630 milionë doza të Sputnik V, por deri më tani janë eksportuar vetëm 11.5 milionë doza.

Fondi Rus i Investimeve Direkte nuk pranoi të bëjë të ditur se sa doza po dërgojnë drejt vendeve të tjera. Kjo strukturë, e cila ka qenë përgjegjëse për bashkëpunimin ndërkombëtar lidhur me Sputnik V, tha në prill se do të prodhonte 100 milionë doza në bashkëpunim me “Hualan Biological Bacterin Inc.”, përveç një marrëveshjeje të mëparshme të shpallur në muajin mars prej 60 milionë dozash me “Shenzhen Yuanxin Gene tech Co”.

Të dyja marrëveshjet vijnë krahas një marrëveshjeje të shpallur nëntorin e kaluar me “Tibet Rhodiola Pharmaceutical Holding Co”, e cila kishte paguar 9 milionë dollarë për prodhimin dhe shitjen e vaksinës Sputnik V në Kinë. Fondi Rus i Investimeve Direkte bëri të ditur në muajin prill se kushtet e marrëveshjes ishin për 100 milionë doza me filialin e një kompanie që i përkiste “Tibet Rhodiola-s”.

Rusia është “shumë ambicioze dhe nuk ka gjasa të përmbushë objektivin e saj të plotë”, thotë Rasmus Bech Hansen, themelues dhe drejtor ekzekutiv i “Airfinity”.

Bashkëpunimi me Kinën për të prodhuar Sputnik V mund të sjellë përfitim për të dyja palët shton ai.

Gjatë viteve të fundit, kompanitë kineze të vaksinave kanë ndryshuar drejtim, nga prodhimi kryesisht i produkteve për përdorim në vend tek furnizimi i tregut global. Disa kompani kanë marrë miratimin e OBSH-së për vaksina specifike, çka shihet si një vlerësim mbi cilësisë. Me fillimin e pandemisë, kompanitë kineze të vaksinave kanë eksportuar qindra miliona doza jashtë vendit.

Prodhuesit kinezë të vaksinave kanë qenë të shpejtë për të zgjeruar kapacitetet e tyre prodhuese dhe thonë se ata mund të plotësojnë nevojat e brendshme të Kinës deri në fund të vitit.

Kjo do të thotë të pranosh se prodhuesit kinezë të vaksinave mund të prodhojnë në vëllim“, thotë në një përgjigje me email Helen Chen, shefe e farmaceutikës në LEK Consulting, një firmë këshillimi strategjik në Shangai.

Sidoqoftë, asnjë nga tre kompanitë kineze nuk ka nisur ende prodhimin e Sputnik V-s.

“Tibet Rhodiola” filloi ndërtimin e një fabrike në Shangai në fund të vitit të kaluar dhe pret që prodhimi të fillojë në shtator bëri të ditur kompania në një takim vjetor me investitorët muajin e kaluar. Kreu i “Tibet Rhodiola-s”, Chen Dalin, tha gjithashtu se pas transferimit të suksesshëm të teknologjisë, ata do të fillojnë me një porosi prej 80 milionë dozash për t’ia shitur sërisht Rusisë. Kompania nuk iu përgjigj një kërkese për komente.

Afati kohor për marrëveshjet e fundit është gjithashtu i paqartë. ‘Hualan Bio” ishte ndër 10 prodhuesit më të mëdhenj të vaksinave në Kinë në vitin 2019. Kjo kompani nuk iu përgjigj telefonatave për komente.

Një zëdhënëse i “Shenzhen Yuanxing-t” nuk pranoi të thotë kur kompania do të fillojë prodhimin, por tha se porosia e tyre nuk do të shitej brenda Kinës. Fondi Rus i Investimeve Direkte ka bërë të ditur më parë se prodhimi do të niste këtë muaj. Pavarësisht nga vonesat, diplomacia e vaksinave nga ana e Rusisë ka funksionuar.

Që në fillim, Rusia, vendi i parë që miratoi një vaksinë kundër koronavirusit, synoi ta shpërndajë atë globalisht. Brenda disa javësh nga dhënia e miratimit nga autoritetet rregullatore të Sputnik V, Fondi Rus i Investimeve Direkte nisi aktivisht reklamimin e saj jashtë vendit, duke njoftuar marrëveshje të shumta për të furnizuar vende të tjera me doza. Deri më tani Rusia po fiton betejën e “marrëdhënieve me publikun”, thanë analistët në një raport të ri të “Economist Intelligence Unit” një organizatë me bazë në Britani, që shqyrton diplomacinë e vaksinave të Rusisë dhe Kinës.

“Rusia ka qenë në gjendje të ndërtojë lidhje më të forta diplomatike edhe në zona ku nuk ka qenë në gjendje më parë’, thotë Imogen Page-Jarrett, një analiste e “Economist Intelligence Unit”.

Ata e kanë këtë dritare mundësish ndërsa SHBA-ja, BE-ja dhe India po përqendrohen brenda vendit dhe pjesa tjetër e botës po bën thirrje të dëshpëruara për vaksina“./voa

 

Fraksion.com