Basha pas takimit me shefen e misionit të OSBE-ODIHR: Beteja do të vazhdojë deri në fitore
Pas humbjes së zgjedhjeve Lulzim Basha ka shmangur daljet për mediat, ndërkohë sot ai u shfaq vetëm për të përcjellë shefen e misionit të OSBE-ODIHR Ursula Gacek.
Kryedemokrati nuk zbuloi nëse ODIHR i ka kërkuar të njohë zgjedhjet, por kishte një koment për kërkesën e kritikëve, të cilët i kërkojnë dorëheqjen pasi ka humbur 4 procese zgjedhore rresht.
Demokratët po mbledhin prova dhe fakte që do të përmblidhet në një raport voluminoz për të vërtetuar se votat u blenë. Për rreth 1 orë e 30 minuta, kryedemokrati dhe përfaqësues të opozitës denoncuan para vëzhguesve ndërkombëtar parregullsitë e procesit.
Ivi Kaso: Zonat më problematike janë ato ku është përqendruar e gjithë fuqia e makinerisë shtetërore, e cila është në funksion të partisë në pushtet, zona me probleme të kriminalitetit si Elbasani dhe Shijaku kanë qenë me më shumë probleme si në votim ashtu dhe në numërim e në nxjerrjen e rezultatit.
Një grup pune i ngritur në selinë blu po përgatit dosjen e plotë të shkeljeve, para, gjatë dhe pas procesit zgjedhor. Demokratët janë të bindur jo vetëm se kutitë do të hapen, por zgjedhjet do të përsëriten.
Ivi Kaso: Është e hapur mundësia në bazë të materialeve që do të zbulohet të kërkohet rikuperimi i ligjshmërisë nëpërmjet organizmave që siguron Kodi. Besoj materialet që do paraqiten në Prokurori dhe pastaj edhe institucionet ankimore të KQZ janë materiale që cojnë në procesin e rinumërimit dhe rivlerësimit të një numri të caktuar kutish.
Paralelisht me mbledhjen e provave, opozita pret përgjigjet nga SPAK për kallëzimet e bëra në periudhën parazgjedhore.
Ivi Kaso: Kemi depozituar 180 kallëzime penale në prokurori të zakonshme dhe mbi 40 kallëzime në SPAK.
Fraksion.com