AktualitetPolitikëTë fundit

Stanishev uron Ramën për fitoren: Shqipëria organizoi zgjedhje të lira dhe gjithëpërfshirëse, dëshira e votuesve është e qartë

Shqipëria arriti të organizojë zgjedhje të lira, të drejta dhe gjithëpërfshirëse në kuadrin e ligjit të ri zgjedhor dhe kjo është një arritje e vërtetë, thuhet në letrën që presidenti i Partive Socialiste Europiane (PES), Sergei Stanishev i ka dërguar kryeministrit Edi Rama me rastin e marrjes së mandatit të tretë radhazi pas zgjedhjeve të 25 prillit.

”Në emër të familjes së socialistëve europianë, më lejoni t’ju përgëzoj për fitoren e partisë suaj të dielën e kaluar. Megjithë kontekstin sfidues të COVID-19, Shqipëria arriti të organizojë zgjedhje të lira, të drejta dhe gjithëpërfshirëse në kuadrin e ligjit të ri zgjedhor dhe kjo është një arritje e vërtetë”, shkruan Stanishev.

”Duke parë rezultatin pozitiv, dëshira e votuesve është e qartë. Qytetarët tuaj duan që ju të vazhdoni të ndiqni rrugën europiane dhe zbatoni programin tuaj social-demokrat.
Gjatë viteve të fundit, qeveria juaj ndoqi reformat e nevojshme për ta bërë Shqipërinë një vend më të mirë për popullin e saj dhe për të vazhduar rrugën për të qenë pjesë e Bashkimit Europian”, thekson ai.

”Ne do të vazhdojmë t’ju mbështesim në rrugën europiane dhe do të bëjmë më të mirën tonë për të nxitur fillimin e konferencës ndërqeveritare për të hapur negociatat për pranimin”, përfundon presidenti i PES, Stanishev.

 

Fraksion.com