Fatmir Xhafaj thyen herësin dhe siguron votat për në Kuvend, merr më shumë se 10 mijë vota në Tiranë
Kandidati për deputet Fatmir Xhafaj, megjithëse ishte renditur jashtë listës fituese të kandidatë për deputetë të Partisë Socialiste, ka mundur të thyejë herësin që i duhej për të mundur të futej në Kuvend.
Xhafaj renditej i 23-ti në listën e PS në Tiranë, teksa kjo forcë politike fitoi vetëm 18 mandate deputeti në qarkun e Tiranës. Por Xhafaj, deri tani kur janë numëruar 955 QV nga 1243 në total, ka marrë 13241 vota, duke kaluar kështu herësin që i lejonte hyrjen në Kuvend.
“Shifrat tashmë publike konfirmojnë se e kam kaluar pragun minimal për të qënë deputet në legjislaturën e ardhshme të Kuvendit të Shqipërisë. Së bashku me ekipin e fushatës jemi duke monitoruar përfundimin e procesit të numërimit për të respektuar çdo votë në kutitë e votimit”, u shpreh Xhafaj në një reagim.
Xhafaj falënderon të gjithë mbështetësit e tij në këto zgjedhje.
“Në pamundësi për t’ju takuar dhe përshëndetur të gjithëve në këto momente dhe me dëshirën për tu parë e përqafuar së shpejti ju them: Faleminderit! Mirënjohje pafund! Familjes sime të mrekullueshme që ishte pjesë e kësaj beteje dhe miqve tanë të shumtë që si përherë ndër vite u gjendën pranë nesh dhe na mbështetën me zemër në rrugëtimin tonë”, thekson Xhafaj.
Fraksion.com