SHBA – DASH: Përgëzojmë Shqipërinë për zgjedhjet dhe shpresojmë në bashkëpunimin me Ramën
Shtetet e Bashkuara të Amerikës përgëzojnë popullin shqiptar për zgjedhjet e tyre të fundit, deklaroi sot zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Ned Price.
“Ne shpresojmë të vazhdojmë bashkëpunimin tonë të ngushtë me kryeministrin Rama dhe përgëzojmë fushatën e fortë të opozitës”, theksoi Price.
”Respektimi i rezultatit të zgjedhjeve legjitime forcon demokracinë e Shqipërisë”, përfundon ai.
Duke përcjellë deklaratën e zëdhënësit të DASH, edhe ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim uroi kryeministrin Edi Rama dhe Partinë Socialiste për fitoren në zgjedhje.
“Ne urojmë kryeministrin Edi Rama dhe Partinë Socialiste për fitoren e tyre elektorale. Ne po ashtu përgëzojmë kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha për drejtimin e një fushate të fortë që u dha zë shumë njerëzve dhe frymëzoi shpresë. Më e rëndësishmja ne urojmë piopullin shqiptar i cili foli qartë”, tha Kim.
“Duke njohur rezultatin e këtyre zgjedhjeve dhe duke bashkëpunuar me njëri-tjetrin, liderët do të veprojnë në mënyrë të përgjegjshme në përfitim të popullit shqiptar. Ne mezi presim të punojmë me Shqipërinë për të forcuar më tej bashkëpunimin për demokracinë, mbrojtjen dhe bizneset”, vijoi ambasadorja Kim.
“Ne u njohëm me raportin paraprak të OSBE-ODIHR dhe presim raportin final i cili duhet të përdoret për të përmirësuar më tej zgjedhjet e Shqipërisë. Ne përsërisim se ligjzbatuesit dhe gjyqësori duhet të procedojnë këdo që shkeli ligjin dhe pengoi të drejtën e qytetarëve për të votuar të lirë dhe në paqe”, përfundon reagimi i ambasadores Kim në Twitter.
Fraksion.com