“Vlonjatët dinë të presin, por edhe të të përcjellin”; Gjiknuri, Metës: Tani mbaj fjalën që dhe për dorëheqjen
“Meqënëse ne e mbajtëm fjalën tonë që Vlora nuk ndalet, shpresoj që edhe Ilir Meta ta mbajë fjalën dhe të dorëhiqet nga President”, deklaroi sot drejtuesi politik i Partisë Socialiste në qarkun e Vlorës, Damian Gjiknuri.
Në një konferencë për medie, Gjiknuri tha se “në Vlorë, PS mori mbështetjen më të madhe në Republikë për sa i përket votave”.
“Jemi afër rezultatit të vitit 2017 me 58% të votave, një rezultat historik falë punës së të gjithëve. Ne arritëm të marrim rezultatin më të thellë në Republikë dhe të ruajmë atë avantazh që e kemi pasur që në vitin 2017″, tha Gjiknuri.
Ai falënderoi gjithashtu edhe forcat e tjera politike këtu në Vlorë, të cilët treguan maturi, qetësi, kulturë demokratike dhe ku faktikisht patëm një proces zgjedhor tërësisht të pakontestuar”.
“Gjithashtu dua të falënderoj edhe Presidentin e Republikës i cili na energjizoi fushatën. Erdhi këtu për të zbuluar komplote dhe meqënëse ne e mbajtëm fjalën tonë që Vlora nuk ndalet unë shpresoj që edhe ai të mbajë fjalën e tij dhe të dorëhiqet si President, pasi erdhi dhe deklaroi në Vlorë se nëse PS fiton 71 mandate, ai do të dorëhiqet. Unë e falënderoj për energjizimin e fushatës sonë”, tha Gjiknuri.
Gjiknuri tha se “Meta energjizoi fushatën tonë sepse i dha motiv të gjithë qytetarëve vlonjatë që të dilnin dhe të mbështesnin fort PS, ta kthenin atë në një referendum edhe për Presidentin e Republikës”. “Realisht na dha forcë, pasi erdhi dhe na akzuoi me pa të drejtë dhe vlonjatët dinë të presin dhe dinë të përcjellin. Atë e përcollën sipas mendjes”, tha Gjiknuri.
Nga ana tjetër, ai tha se “jemi të kënaqur, por natyrshëm që mund të kishim qenë edhe më mirë nisur nga numri i votave të pavlefshme, të cilat fatkeqësisht për shkak të votimit edhe për kandidatë bëjnë që 5 mijë vota në qarkun e Vlorës të dalin të pavlefshme”.
“Jam i bindur se do të jetë mësim edhe për herët e tjera që puna në ekip të nderon dhe kush kandidon në siglën e partisë, sigla e partisë ka më shumë rëndësi se vlera e një individi”, tha ai.
Fraksion.com