Uashingtoni: Kremlini duhet të dëshmojë se po qetëson tensionet me Ukrainën
Zyrtarët amerikanë nuk janë ende të bindur se Rusia po respekton zotimin që ka ndërmarrë për qetësimin e situatës në Krime dhe përgjatë kufirit rus me Ukrainën pas një shtimi përforcimesh dhe pajisjesh ushtarake për një javë. Sipas zyrtarëve amerikanë, “është ende herët të vërtetohet” nëse rusët janë angazhuar seriozisht.
Pentagoni të hënën tha se duket se disa trupa ruse janë tërhequr, por shton se ende ka rrezik.
“Kemi vërejtur largimin e disa forcave nga Ukraina,” u tha gazetarëve sekretari i shtypit i Pentagonit John Kirby, duke shtuar se ushtria amerikane “do të vazhdojë ta ndjekë situatën me shumë, shumë vëmendje”.
“Është shumë shpejt për të thënë dhe për t’u zënë besë fjalëve të rusëve se po bënin manovra dhe se këto manovra tani kanë marrë fund dhe po i tërheqin forcat,” tha zoti Kirby.
Zyrtarët amerikanë dhe perëndimorë kanë ngritur vazhdimisht shqetësime për atë që e kanë cilësuar si përëqndrimin më të madh të forcave ruse që kur Moska dha urdhrin për të zaptuar Gadishullin e Krimesë në 2014. Zyrtarët evropianë javën e kaluar thanë se në pikën maksimale të përqëndrimit, më shumë se 100,000 forca ruse ishin pozicionuar brenda një distance nga ku mund të godisnin territorin ukrainas.
Në dallim nga shqetësimet e ngritura nga SHBA dhe Perëndimi, zyrtarët rusë vazhdimisht kanë akuzuar Ukrainën se është shkaku i problemeve në rajon.
Të hënën, ministria e jashtme ruse tha se Presidenti Putin shfrytëzoi një telefonatë me presidentin francez Emmanuel Macron për të theksuar “veprimet provokuese” të Kievit në Ukrainën lindore.
Ministri rus i Mbrojtjes Sergei Shoigu njoftoi të enjten e kaluar se stërvitjet ushtarake që përfshinin trupa të pozicionuara pranë kufirit me Ukrainën, kishin mbaruar dhe se forcat ruse do të ktheheshin në bazat e tyre të përhershme brenda datës 1 maj.
Po të enjten më vonë, një zyrtar i NATO-s i tha Zërit të Amerikës se aleanca ishte në dijeni të njoftimit rus, duke shtuar, “Çdo hap drejt qetësimit të situatës nga ana e Rusisë do të ishte i rëndësishëm dhe i kërkuar prej kohësh”.
Fraksion.com