AktualitetBota+Të fundit

Pritet vazhdimi i bisedimeve të Iranit me fuqitë botërore

Në Vjenë të Austrisë do të vazhdojnë bisedimet që synojnë ringjalljen e marrëveshjes bërthamore të Iranit me fuqitë botërore.

Ky do të jetë raundi i fundit i bisedimeve, në përpjekje për ta bërë të zbatueshme marrëveshjen dhe për të bindur Teheranin që t’i japë fund shkeljes së saj.

Negociatat kanë për qëllim edhe kthimin e Shteteve të Bashkuara në marrëveshje, pasi ish-presidenti amerikan, Donald Trump ishte tërhequr nga ajo në vitin 2018, me arsyetimin se dokumenti ishte i negociuar keq dhe se i mundësonte Iranit të posedojë armë bërthamore.

Diskutimet në Vjenë midis Iranit, Kinës, Rusisë, Francës, Britanisë së Madhe dhe Gjermanisë, me pjesëmarrjen indirekte të Shteteve të Bashkuara, po drejtohet nga Bashkimi Evropian.

Një delegacion amerikan po qëndron në një vend të veçantë në Vjenë, sepse Irani ka refuzuar bisedimet e drejtpërdrejta me Shtetet e Bashkuara.

BE-ja tha javën e kaluar se në raundin e parë të bisedimeve është bërë një lloj përparimi, por është e nevojshme më shumë punë.

Bisedimet janë ndërlikuar pas njoftimit nga ana e Iranit për fillimin e pasurimit të uranium në 60 për qind, nga 20 për qind sa kishte arritur më parë.

Për të prodhuar bombë bërthamore, pasurimi i uraniumit duhet të jetë 90 për qind.

Njoftimi erdhi pas një sulmi në objektin e tij bërthamor Natanz, për të cilin Teherani fajësoi Izraelin.

Irani ka thënë se nuk do ta respektojë marrëveshjen nëse SHBA-ja nuk shfuqizon gjitha sanksionet e vendosura nga administrata e kaluar e presidentit Trump.

Administrata e presidentit të SHBA-së, Joe Biden, ka thënë se është e gatshme të heqë “të gjitha sanksionet që janë në kundërshtim” me marrëveshjen, megjithëse nuk përcaktohet se cilat masa mund të përfshirë ky zotim.

Ministri i Jashtëm i Izraelit, Gabi Ashkenazi, ka thënë më 16 prill se vendi i tij do të bëjë “gjithçka që duhet” për të siguruar që Irani të mos ketë armë bërthamore.

Edhe kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu më parë është shprehur kundër rikthimit në marrëveshjen bërthamore me Iranin.

“Ne nuk duhet t’i kthehemi marrëveshjes së rrezikshme bërthamore me Iranin, sepse një Iran bërthamor është një kërcënim ekzistencial për shtetin e Izraelit dhe një kërcënim i madh për sigurinë e të gjithë botës”, pati thënë Netanyahu.

 

Fraksion.com