AktualitetPolitikëTë fundit

Numërohen 4696 nga 5199 kuti, PS fiton një mandat në Berat dhe kalon me 73, PD 59, LSI 5

Tashmë janë numëruar më shumë se 80% e kutive në Shqipëri, ndërsa kanë dalë edhe rezultatet e para. Nga procesi i numërimit të votave janë numëruar  4696 kuti nga 5199 në total, teksa PS prin me 48.6% të votave, PD ka 39.4%, LSI 6.9% dhe PSD 2.2%. PS ka 73 mandate, PD 59, LSI 5 dhe PSD 3 mandate.

Rreth 3 milionë e 600 mijë shqiptarë me të drejtë vote u thirrën në votime për të zgjedhur 140 deputetët e Parlamentit të ardhshëm. Për të ushtruar të drejtën e votës, zgjedhësit u paraqiten në 5199 Qendra Votimi.

Kushtetuta dhe Kodi Zgjedhor përcakton se Shqipëria ka një sistem zgjedhor proporcional rajonal, ku në secilin prej 12 qarqeve të vendit prodhohen mandate, bazuar në popullsinë e secilit Qark. Për herë të parë në Shqipëri po aplikohet teknologjia në zgjedhje. Në çdo Qendër Votimi u instaluan pajisje elektronike, të cilat kryen identifikimin elektronik të zgjedhësve.

Pas ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, zgjedhjet e 25 Prilli, sjellin risi. Në të njëjtën Fletë Votimi Zgjedhësit votuan për partinë dhe kandidatin preferencial për deputet, që në Fletën e Votimit u identifikua nga një numër e jo emri i tij. Ligji saktëson se së pari numërohen votat për subjektet zgjedhore e më pas, për kandidatët për deputetë.

 

 

Lista fituese e kandidatëve për deputetë pas numërimit të votave për partitë, mund të thyhet vetëm nëse një kandidat që renditet poshtë vijës së kuqe ka marrë më shumë preferenca se mesatarja e votave të partisë. Zgjedhjet e 25 Prillit u zhvilluan në kushte tejet të veçanta, për shkak të pandemisë së COVID-19.

Ndërkohë  PS rifiton një mandat, duke ia rrëmbyer LSI-së në qarkun e Beratit. Kur janë numëruar 4683 kuti nga 5199, PS ka 48.6%, PD ka 39.4%, LSI 6.9% dhe PSD 2.2%.

 

Fraksion.com