Miller: Forcat afgane duhen të jenë gati pas largimit të trupave të SHBA-së dhe NATO-s
Gjenerali amerikan në Afghanistan Austin Miller ka thënë më 25 prill se ushtria amerikane ka nisur të ndalë operacionet në këtë shtet dhe ka thënë se forcat e sigurisë në Afganistan “duhet të jenë gati” të marrin përgjegjësinë.
Miller u ka thënë gazetarëve afganë në një konferencë për media se shpesh pyetet nëse forcat afgane të sigurisë mund ta kryejnë punën në mungesë të trupave amerikane dhe atyre të huaja, të cilat duhet të nisin shpejt të largohen nga ky vend.
“Mesazhi im ka qenë gjithmonë i njëjtë. Ata duhet të jenë gati. Ata duhet të jenë gati”, ka thënë Miller nga Kabuli.
Ndonëse nisja zyrtare e tërheqjes së rreth 2,500 trupave amerikane dhe 7,000 trupave të NATO-s është 1 maji, Miller ka thënë se “ky proces veçse ka nisur”.
Ai ka thënë se disa pajisje ushtarake duhet të largohen nga Afganistani dhe se vendimi se çfarë do të mbetet me forcat afgane të sigurisë, do të merret më vonë.
Presidenti amerikan Joe Biden ka thënë se largimi i të gjitha trupave amerikane duhet të përfundojë më 11 shtator.
Më 2001, forcat e udhëhequra nga SHBA-ja kanë pushtuar Afganistanin dhe kanë rrëzuar regjimin e talibanëve, për shkak të strehimit të Al-Kaidës, grupit ekstremist, i cili ka qenë mbrapa sulmeve terroriste të 11 shtatorit në tokën amerikane./rel
Fraksion.com