“Dalin rezultatet e para të zgjedhjeve”; VOA: PS është në avantazh si forcë e parë fituese
Drejtuesi i Delegacionit të Bashkimit Europian në Shqipëri, Luigi Soreca, vizitoi një qendër të numërimit të votave dhe u kërkoi administratës zgjedhore të vazhdonin numërimin e votave.
“Po ndjek për të dytën ditë procesin zgjedhor. Po shkoj në disa qendra numërimi në Tiranë, ku ekipet po bëjnë pushim. Procesi duhet të vijojë dhe qytetarë po presin rezultatin e zgjedhjeve. Zgjedhësit e thanë fjalën e tyre dje me pjesëmarrjen e tyre të lartë. Kjo është shenjë e mirë e jetës demokratike në Shqipëri. Të gjithë po presim me qetësi rezultatin. Derisa të numërohet edhe vota e fundit nuk dalim në përfundime. Ne si BE do të vazhdojmë të ndjekim procesin me 50 ekipet tona.Të gjithë po presim vlerësimin e OSBE/ODIHR. Ndoshta sonte në mbrëmje drejtuesit e BE-së të nxjerrin një deklaratë për ecurinë e procesit zgjedhor në Shqipëri” – tha zoti Soreca.
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, tha të hënën në mesditë se socialistët po luajnë për efekte mediatike, duke hapur për të numëruar fillimisht kutitë në zona të majta.
“PS është ndëshkuar edhe në këto zona të veta, ndërsa PD është rritur në zonat e majta. Numërimi duhet të vazhdojë sipas ligjit dhe vendimi i qytetarëve është në kuti” – tha zoti Basha.
Reagimi erdhi pasi rezultatet elektronike në njësinë bashkiake 10 të kryeqytetit shënuan fitore të Partisë Socialiste.
Aty u përdor për herë të parë votimi elektronik ndaj rezultati doli më shpejt:
Partia Socialiste mori 6,007 vota, Partia Demokratike 4.550 vota dhe e treta, LSI me 628 vota.
Më i votuari nga kandidatët socialistë është Fatmir Xhafaj ndërsa demokratët doli kandidati Agron Shehaj.
Edhe në gjithë grafikët me rezultate të pjesshme, që shfaqen nga KQZ dhe burime të tjera shënojnë një fitore të thellë të PS-së.
Një zëdhënëse e PS-së foli me entuziazëm për fitoren e qartë të partisë së saj.
Numërimet e tjera manuale po ecin ngadalë në të gjithë vendin dhe ende nuk mjaftojnë. për të vlerësuar qartë një rezultat afër përfundimtarit.
Kryetari i PSD, Tom Doshi, dha dorëheqje të parevokueshme nga kandidimi i tij për deputet, dhe i kërkoi KQZ-së që ta zëvendësojë me emrat e tjerë.
Nga sondazhet e para partia e tij mund të marrë të paktën një mandat nga votimi i të dielës.
Ai deklaroi në media se është i gatshëm të bëjë koalicion me PS-në. Kryetari i saj, Edi Rama, ka deklaruar më herët se nuk do ta afrojë zotin Doshi as në koalicion dhe as në qeveri.
Zoti Doshi kandidoi për deputet, megjithë thirrjet e përsëritura të ambasadës amerikane drejtuar institucioneve shqiptare për të shmangur futjen e tij në parlamentin e tij, pasi kishin informacione për korrupsion domethënës nga ana e tij.
Ambasadorja e SHBA-ve, Yuri Kim, vizitoi së bashku me kryetarin e KQZ-së, Ilirjan Celibashi, qendrat e numërimit të votave në dy shkolla dhe të dy kërkuan administrimin sa më të saktë të procesit.
“Ne do ta shohim procesin nga afër. Votuesit shqiptarë e kanë bërë punën e tyre, tani përgjegjësia mbetet mbi numëruesit për ta bërë punën e tyre me integritet. Unë besoj se do ta bëjnë” – tha ambasadorja Kim.
Ajo bëri thirrje partive politike të presin me durim rezultatet dhe kur ai të certifikohet, duhet t’i pranojnë ato.
Ambasadorja Kim shkroi më pas në rrjetet sociale se procesi i numërimit kishte filluar dhe duhej pritur nga të gjithë me durim rezultatet.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të jetë me ju deri në fund!”, – shkroi ambasadorja Kim.
Fraksion.com