AktualitetTë fundit

Celibashi: Rezultatet mund të dalin për 48 orë, partitë t’i lënë lojërat e komisionerëve ‘të sëmurë e të lodhur’

Kreu i KQZ Ilir Celibashi tha nga njësia 10 se rezultati doli ashtu siç ishte parashikuar në orën 8.

Ai tha se kjo mund të dilte edhe më herët por që u vonua që të gjitha partitë të ishin të sigurta pasi numërimi dhe votimi elektronik u bë për herë të parë. Ai gjithashtu bëri thirrje që partitë të marrin masat që të zëvendësojnë komisionerët e lodhur në mënyrë që të mos ndalet procesi i numërimit. Celibashi tha se historitë e komisionerëve të lodhur duhet të marrin fund pasi janë diskredituese për vetë partinë.

“Ky rezultat mund të ishte shpallur edhe më herët, por meqë ishte hera e parë që e implementonin dhe gjithsecili prej palëve kishte meraqet e veta, u dakordësuam ta shpallnim sot në orën 8:00. Sistemi i votimit elektronik është 100 % i sigurt në ruajtjen e integritetit dhe fshehtësisë së votimit. Nga raportimet që ka KQZ në pikëpamja e administrimit ka pasur disa përmirësime, kemi patur jo një përmbushje të mirë të përgjegjësive të tyre për raportimin e pjesëmarrjes, pasi pajisja që përdorëm e mundësonte këtë që të dhënat të ishin më të shpejta. Ka disa probleme në disa KZAZ mbi mënyrën se si grupet e numërimit po bëjnë procesin e numërimit, janë sporadike si raste, si raste kur komisionari u lodh dhe do pushim. Kjo është papërgjegjshmëri e tyre. Ata që lodhen le të zëvendësohen me anëtarë të tjerë të grupeve të numërimit. Historitë e komisionerëve të lodhur apo të sëmurë duhet të marrin fund, janë diskredituese për vetë partinë”, tha Celibashi.

 

Fraksion.com