Shqipëria duhet të ngjitet në majën ku Zoti e ka dashur kur e bëri
Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se, “kush voton 6-ën, kush voton 9-ën, veten dhe Shqipërinë në djall e çon”.
Duke folur në një takim me qytetarë në Vlorë, Rama tha se, “të pakënaqur hajdeni me mua. Jam unë më i pakënaquri. Jam unë më i pakënaquri, sepse po të isha i kënaqur nuk vija këtu. Po të isha i kënaqur nuk e gjeja dot forcën t’u thoja këmbëve: hej u lodhët, punë e madhe, vazhdoni; t’i thosha zemrës: hej, po plas, punë e madhe, vazhdo; t’i thoja mendjes: ç’a thua, pusho, në asnjë mënyrë, sepse Shqipëria duhet të ngjitet në majën ku Zoti e ka dashur kur e bëri”.
“Ku e keni parë? Ma tregoni dhe mua, se unë nuk di shumë. Ku e keni parë një vend kaq të vogël 28 mijë m2, me dy dete, njëri më i bukur se tjetri dhe ju vlonjatët, i keni të dyja detet këtu. Edhe detet Zoti i puthi këtu në Vlorë dhe ju doni Leskon. Po jeni në vete apo jo?!” – tha Rama.
“Ku e keni parë një vend me majat me dëborë edhe në gusht, edhe me diellin që shkëlqen 12 muaj? Ku e keni parë një vend që prek këtu bregun dhe për pak minuta ngjitesh në majë të malit dhe je sikur ke kaluar një kontinent? Zoti Shqipërinë e ka bërë të dielën kur ishte pushim. E ka marrë me nge, e ka qëndisur, e ka dashur Zonjë me tërë ato bukuri që i ka dhënë dhe ne do ja lëmë Xhelal Mziut Shqipërinë? Jeni në vete apo s’jeni në vete? E ne t’ja lëmë Leskos Shqipërinë? A jeni a s’jeni në vete? Që mos ju flas për Monikën. Shqipërinë Monikës. A jeni apo s’jeni në vete?”, tha Rama.
“Po nuk ka nevojë të merremi me këta, ma besoni. Më 25 prill ju keni vetëm një detyrë, merruni me Ilir Metën. Tregojini Ilir Metës që herë tjetër kur të flasi për Vlorën të numërojë deri në 12. Tregojini Ilir Metës që Vlora është edhe më keq se ajo dera e xhamisë. Tregojini Ilir Metës se Vlora ka vendosur të ngjitet dhe kush vjen ta kapë nga këmbët thyen hundët këtu në Vlorë”, tha Rama.
“Është shumë e thjeshtë. Presidenti i 26-të i SHBA-ve thoshte: vota është një armë, vlera e së cilës varet nga ai që e mban. Prandaj, kujdes me shënjestrën se mos më shkoni tek 9-a, se 9-a është me hile. Ti thua 9, të bëhet 6. Ti thua Luli, të del Monika. Ti thua 6, të del Iliri me gjithë Saliun me Lulin. Prandaj robi u mundua, e u mundua, e u mundua dhe në fund e gjeti tha 69-ta është numri i djallit. Kush voton 6, kush voton 9, veten dhe Shqipërinë në djall e çon”, tha Rama.
Fraksion.com