“Nga parku me energji diellore, te porti turistik”; Rama: Rritje e vlerës së pronës dhe e punësimit
“Fitorja e Shqipërisë më 25 prill fillon nga Durrësi, që ka qenë ëndrra e të gjithë të parëve tanë”.
Kështu u shpreh Edi Rama sot në takimin përmbyllës elektoral të PS-së në Durrës ku tha se, “Zoti e ka bekuar Shqipërinë me bukuri mahnitëse, ndaj ne këtu do të bëjmë portin më të madh turistik të Mesdheut dhe do ta bëjmë Dubain në Durrës”.
“Unë flas për një projekt që e ka bërë, financon dhe ndërton kompania më e madhe në botë e turizmit, që ka edhe Marinën e Dubait”, – tha Rama.
“Marina e Durrësit do të jetë e binjakëzuar me Marinën e Dubait, se është e njëjta dorë që e administron dhe janë të njëjtët klientë që do të vijnë aty, dhe kur të shohin edhe se ushqimesh të freskëta që kemi ne do t’ia kalojmë edhe ‘Nusretit’”, theksoi Rama.
“Unë do të vij në 2025-ën dhe do t’ju them: a e mbani mend? Dhe të gjithë do të ndihemi krenarë që në 25 prill ishim në anën e duhur të historisë”, tha Rama.
“Në atë port duhen mijëra e mijëra forca pune të kualifikuara, dhe ne me fillimin e kantierit brenda qershorit do të fillojmë punën për shkollën e lartë profesionale për të gjithë vajzat dhe djemtë e Durrësit që do të duan të punojnë aty, në të gjitha llojet e shërbimeve në atë port”, u shpreh Rama.
Rama tha se, “në momentin që ne e përfundojmë këtë projekt, vlera e të gjitha hoteleve dhe banesave të këtij qyteti do të shkojë lart e më lart dhe kështu do të keni pasuri të patundshme domethënëse”.
“Kemi filluar punën për ndërtimin e portit tregtar në Porto Romano. Një port modern që dhe ai do të kërkojë shumë krah pune, sepse me zonën ekonomike gjërat do të ndryshojnë, ndërsa ka mbaruar gara dhe fillon po aty në Spitallë, parku me energji diellore, investime që do të transformojnë Durrësin”, – tha Rama.
Fraksion.com