AktualitetPolitikëTë fundit

Rama: Basha është kurdisur tani dhe bën si njeriu që mendon thellë! Duket sikur sa ka dalë nga sauna, jo sikur ka 8 vite në opozitë

Në fjalën e tij në aktivitetin e përmbylljes së fushatës në Tiranë, kreu i PS-së,  Edi Rama nuk la pa ironizuar as kreun e PD-së, Lulzim  Bashën. Sipas Ramës, për Bashën politika është një “shfaqje” që ndodh vetëm kur ka kamera dhe se tani, në fushatë elektorale “është kurdisur si njeriu që mendon thellë”. Për kryesocialistin, Basha duket më shumë si një person që sapo ka dalë nga sauna dhe jo sikur ka 8 vite në opozitë. Ai bëri diferencën me PS-në, ndërsa rikujtoi edhe njëherë punën që është bërë për të përballuar pasojat e tërmetit të 26 nëntorit dhe luftën me koronavirusin, që e konsideroi “një tunel rraskapitës”, nga i cili Shqipëria duket se po del.

“Kurrë mos pranoni të udhëhiqeni nga dikush që është i kënaqur, kurrë mos besoni ata që e kanë të shkruar në ballë që kanë një jetë pa teklif, që nuk duan tja dinë e u gdhi, por që dielli të nxehë që t’i hapen sytë, ata që e dinë se politika është një shfaqje që ndodh vetëm kur ju vë kamerën përpara dhe pasi mbaron fushata jua lënë takimin te tramvaji i Tiranës. Këto janë ditët për të kuptuar se jemi në një udhëkryq dhe se kush voton nuk voton për pragun e shtëpisë, por për t’i dhënë një shtysë të jashtëzakonshme këtij vendi, në mënyrë që dhe ato hallet e tij të mund të zgjidhen sepse ne nuk po vijmë nga pushimet këtu, ata po vijën nga pushimet pasi u torolisën me vite e vite nëpër Shqipëri, duke braktisur detyrat dhe duke u hargaliusur e çuditur dynjanë me plane të çuditshme. Tani është kurdisur Luli dhe shfaqet si njeriu që po mendon thellë, që ta fusë Shqipërinë në BE për 4 vite dhe shikojeni në fytyrë, ky sikur sa ka dalë nga sauna, jo sikur ka 8 vite në opozitë. Ndërkohë që ne dhe të gjitha familjet shqiptare nuk po dalin nga sauna, por nga një tunel rraskapitës që për ne u hap përpara se sa për botën, që na erdhi nga lart si për të na thënë boll u sherrosët me njëri-tjerin sepse unë kur e bëra Shqipërinë e bëra me kënaqësinë më të madhe, vura dy dete, male me dëborë dhe ju lash mbi kokë një diell që ngroh çdo pllajë, boll se ju dhashë shumë lumenj dhe keni më shumë ujë, liqene, pyje. Dhe në ndërkohë ne u bëmë bashkë, u bënë bashkë shqiptarët, solidariteti i shqiptarëve me ata që humbën shtëpinë, ishte i pari, por ne nuk duhet të bëhemi bashkë vetëm kur shohim të vdekurit para syve, por kur shohim të ardhmen para syve. Ne nuk jemi një brumë frikacakësh e hileqarësh, por i atyre që na kanë lënë amanet edhe i atyre që do t’u lemë Shqipërinë, fëmijëve tanë”, tha Rama.

 

Fraksion.com