“Tani që Shqipëria po ngre kokë”; Rama poston video nga aeroporti Kukësit: Histori me fundin më të lumtur
Kryeministri Edi Rama uroi sot mirëmëngjes me një video me pamje të aeroportit të ri të Kukësit “Zayed Flatrat e Veriut”, ndërsa në fillim të saj shfaqen pamje të eksodit të shqiptarëve të Kosovës në 1999.
Në një rrëfim prekës shqiptarët tregojnë vështirësitë dhe vuajtjet, pasi u detyruan nga forcat paramilitare serbe të shpërnguleshin nga Kosova.
Në fjalën e tij gjatë takimit me banorë të Kukësit, kur u ul edhe avioni i parë në aeroportin e ri, Kryeministri Rama tha se “këtu në Kukës është veriu i Shqipërisë , por nga Kukësi dhe matanë prej andej nga erdhën motrat dhe vëllezërit është i gjithë veriu i shqiptarisë”.
“Në këtë veri të shqiptarisë u shkruajt një nga historitë më tragjike , por edhe me fundin më të lumtur, historia e spastrimit etnik, por edhe historia e Luftës Çlirimtare të Kosovës”, – tha Rama.
Kryeministri u shpreh se “Zoti e ka bërë Shqipërinë për telha, duket sikur e ka bërë ditën e dielë që ka qenë pushim. E ka marrë me nge, e ka qëndisur në të gjithë trupin e saj. Ka qenë dora e mbrapsht e robit që nuk e ka lënë Shqipërinë të ngrejë kokë, apo që ka bërë që sa herë Shqipëria ka ngritur kokë, ia ka ulur kokën përsëri. Tani që Shqipëria po ngre kokë ne nuk duhet të lejojmë që t’i ulet koka përsëri por duhet të bëjmë që koka e Shqipërisë të ngrihet lart e më lart e më lart”.
Ndërsa ministrja Balluku tha se “Kukësi do të kthehet në një pikë të re të zhvillimit ekonomik të Shqipërisë. Aeroporti i Kukësit do të jetë gjeneza e një historie të re për aviacionin civil”.
“Lasgushi” i Air Albania u ul në 18 prill në Aeroportin Ndërkombëtar të Kukësit “Zayed – Flatrat e Veriut”. Aeroporti i Kukësit ka një territor prej 512 mijë metra katrorë, me një gjatësi piste prej 1900 metrash dhe gjerësi 45 metra. Kategoria e tij është 3C, për akomodimin e avionëve turboprop dhe avionëve me turbina rajonalë. Kapaciteti i projektuar është rreth 1 milion pasagjerë në vit.
Fraksion.com