AktualitetBota+Të fundit

Annalena Baerbock kandidatja për kancelare e partisë ambientaliste

Annalena Baerbock do të jetë kandidatja për kancelare e partisë ambientaliste „Aleanca 90-të/Të Gjelbërit”. Këtë e komunikoi (19.04) bashkëkryetari i partisë Robert Habeck në një konferencë shtypi.

Partia ambientaliste drejtohet bashkarisht nga Baerbock dhe Habeck. „Ne të dy deshëm të kandidojmë, por në fund të fundit ka vetëm një kandidat”, tha Habeck.

Juristja Baerbock në fillim të vitit 2018 bashkë me Habeck morën përsipër drejtimin e partisë. Ajo vuri në dukje se vendimi për kandidaturën e saj për kancelare është marrë bashkarisht ditët përpara Pashkëve. „Ne kemi një ide të qartë për postin e kancelarit në Gjermani”, deklaroi ajo. Qëllimi është „të ndryshojmë në vend që të premtojmë”.

“Nuk mund të funksionojë pak mbrojtje e klimës”. Mbrojtja e klimës është detyrë e kohës sonë, „detyra e brezit tim”, tha Baerbock. Kjo duhet të jetë linja orientuese për qeverinë e ardhëshme. Sipas saj Gjermanisë i duhet një fillim i ri. Me të Gjelbërit do të ketë një stil tjetër politik – me njeri-tjetrin dhe jo kundër njeri-tjetrit, deklaroi ajo. Duhet të ketë investime në infrastrukturë dhe digjitalizim. „Të gjitha këto kërkojnë ndryshime.”

Kandidatura e parë për kancelar e ambientalistëve

Në sfondin e kuotave të larta që ka arritur partia qysh nga viti 2018 në sondazhet elektorale, për herë të parë ekologjistët vendosën të emërojnë një kandidat për kancelar në zgjedhjet parlamentare. Ndërkohë të Gjelbërit kanë mbi 20 përqind të votave në sondazhe duke u renditur si forca e dytë politike pas Unionit Kristiandemokrat/kristiansocial (CDU/CSU) dhe duke e lënë pas Partinë Socialdemokrate (SPD).

Ndërsa në radhët e Unionit konservator CDU/CSU vendimi për kandidatin për kancelar has në detabe të nxehta, dy kryetarët ambientalistë me qetësi e kanë vendosur mes tyre se cili do të jetë kandidati për kancelar.

Baerbock dhe Habeck të shtunën (17.04) u emëruan nga degët e partive në qytetet e tyre për të hyrë në garën e zgjedhjeve parlamentare. Ekologjistët në Brandenburg e emëruan duke votuar 106 nga 109 të deleguar pro Baerbock si kandidate për kancelare. Habeck u emërua prej degëve të partisë në Flensburg dhe Shlesvig-Flensburg me 72 nga 73 vota gjithsej. Habeck si ministër i Bujqësisë dhe zëvendësministër ka përvojë në qeverisjen e landit Shlesvig-Holshein. Ndërsa Baerbock nuk ka përvojë në qeverisje.

Kongresi i partisë vendos

Vendimi përfundimtar do të merret në kongresin e ekologjistëve më 11 deri më 13 qershor. Por vota pro Baerbock konsiderohet si e sigurtë. Në zgjedhjet e 20-ta parlamentare që nga viti 1949 ajo është gruaja e parë pas kancelares Angela Merkel që kandidon për kancelare. SPD ka nxjerrë në garë ministrin e Financave Olaf Scholz. Kancelarja Angela Merkel e përgëzoi Annalena Baerbock për kandidaturën. Në emër të kancelares Merkel ju uroj për kandidaturën, tha zëdhënësja e kancelares, Ulrike Demmer.

Edhe kryetari i Partisë Kristiandemokrate, Armin Laschet e uroi Baerbock për emërimin si kandidate në garën për pasuesin e kancelares Merkel./DW

 

Fraksion.com