651.000 doza vaksine për Ballkanin nga BE
Ministri i Jashtëm austriak, Alexander Schallenberg që e koordinon aksionin e ndihmës së BE për vaksinat në Ballkan tha se ky është hapi i parë. Dozat nuk do të shpërndahen sipas popullsisë, por sipas nevojës në Ballkan.
Bashkimi Europian do të ndihmojë gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor që nuk janë vende anëtare të BE me 651.000 doza për luftimin e pandemisë së Coronës, njofton agjencia e lajmeve dpa. Ky është hapi i parë, u shpreh ministri i Jashtëm i Austrisë, Alexander Schallenberg që do të pasohet nga hapa të tjerë. Austria e ngarkuar nga BE koordinon aksionin e ndihmës për vaksinat nga maji deri në gusht. “Si Bashkim Europian ne sinjalizojmë shumë qartë, që nuk merremi vetëm me veten, se shohim përtej kufijve tanë, dhe është e qartë, që ne vetë jemi të sigurtë, nëse edhe fqinjët tanë më të afërt janë të sigurtë.” 651.000 dozat e ndihmës nga BioNTech/Pfizer janë paraparë që në fillim si një lloj i tillë ndihme fqinjësie. Ky aksion solidariteti i BE nuk ka ndikim në shpejtësinë e vaksinimit në BE.
Shpërndarja e dozave
Dozat e vaksinave nga BE nuk do të shpërndahen sipas numrit të popullsisë, por sipas nevojës, shkruan dpa. Sipas njoftimit, Shqipëria, Bosnje-Hercegovina, Maqedonia e Veriut do të marrin rreth 500.000 doza, pjesa tjetër do të shkojë në Kosovë, Malin e Zi dhe Serbi. Ndihmat me vaksina janë paraparë si ndihmë për personelin mjekësor e infermierët. Megjithatë fjalën e fundit e kanë vetë shtetet.
Serbia është vendi i vetëm që ka shumë më pak nevojë për ndihmë. Ky vend po ofron në mënyrë masive vaksinën kineze dhe atë ruse dhe ka vaksinuar ndërkohë 26% të popullsisë. Në kuadër të këtij programi, krahasuar me numrin e popullsisë, ky vend merr vetëm një sasi të vogël vaksinash, rreth 36.000 doza nga BE./dw
Fraksion.com