Patronazhimi; Avokatja e Popullit: Të dhënat personale mund të merren vetëm kur qytetari jep autorizim me shkrim! Unë se kam dhënë një të tillë
Avokatja e Popullit, Erinda Ballanca ka folur për ‘patronazhistët’ dhe përdorimin e të dhënave personale për qëllime të fushatës elektorale.
E ftuar në emisionin “Breaking” në Top News, Ballanca theksoi se marrja dhe përdorimi i të dhënave është i paligjshëm, me përjashtim të faktit nëse vetë qytetarët kanë dhënë një autorizim me shkrim për përdorimin e tyre.
“Avokati i Popullit ka një mandat të kufizuar në lidhje me mbrojtjen e të dhënave personale. Kjo sepse që në 2008 i ka kaluar një Komisioneri të Posaçëm. Në fokusin tonë mbetet promovimi i të drejtave të njeriut. Ne gjithnjë jemi këtu për të garantuar qytetarët se cilat janë të drejtat e tyre dhe si mund t’i mbrojnë.
Parimisht çdokush ka të drejtë të ruajë të dhënat që e bëjnë atë të identifikueshëm. Përjashtimi është kur këto të dhëna përdorën në mënyrë ligjshme. Në këtë rast është e qartë se këto të dhëna individuale në sistemin e patrionazhistëve, nuk përmbushin këto kritere. Në këtë rast nuk ka një autoritet publik që ta përdorë këtë të dhënë, që në këtë rast do ishte një institucion publik, partia politike nuk është një institucion.
Këtu pastaj do të bëhet përjashtim nëse do kishin një autorizim me shkrim nga vetë individët. Unë për vete nuk kam dhënë asnjë autorizim me shkrim ndonjë individi që ka ardhur te ai si përfaqësues i PS për shembull për t’ia dhënë këtë autorizim për qëllim, për ta përdorur në një databaze. Ne nuk kemi kompetencë që ta hetojmë këtë çështje.”, tha Ballanca.
Fraksion.com