AktualitetRajoniTë fundit

Maqedoni e Veriut: Masa urgjente për ekonominë

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut në një seancë urgjente ka miratuar ligjet për paketë e pestë të masave ekonomike që parashohin ndihmë ekonomike për qytetarët dhe kompanitë e prekura nga pandemia e Coronavirusit.

Ligjet e miratuara nga kuvendi i Maqedonisë së Veriut kanë të bëjnë me mbështetjen financiare për individët që veprojnë të pavarur dhe që janë të prekur nga kriza shëndetësore dhe ekonomike, u miratua edhe ligji për mbështetjen financiare të punëdhënësve të prekur nga kriza shëndetësore dhe ekonomike si dhe ligji për ndryshimin e ligjit për tatimin mbi të ardhurat personale. Këto kategori do të marrin ndihma financiare për pagesën e të ardhurave mujore për muajt shkurt dhe mars. Ndihmat që deri më tani ka ndarë Qeveria e Maqedonisë së Veriut për punëtorët dhe kompanitë, arrijnë në rreth një miliardë euro.

Votojnë edhe deputetët e prekur nga Coronavirusi

Ligjet u miratuan me 113 vota pro përfshirë opozitën, si dhe dy deputetë nga shumica, të sëmurë me COVID-19. Prania e dy deputetëve të infektuar me koronavirus ishte e patjetërsueshme për shumicën parlamentare, sepse vetëm me prezencën e tyre sigurohej kuorumi për mbajtjen e seancës. Ata kanë ardhur në Kuvend  me veshje mbrojtëse, dhe janë dërguar në një dhomë të veçantë prej ku edhe votuan për ligjet ekonomike.

Apasiev: Deputetët e sëmurë do të paditen

Kjo ka nxitur reagime të shumta, ndërsa partia e ekstremit të majtë “Levica” ka paralajmëruar padi penale për dy deputetët që votuan, por edhe për drejtuesit e Kuvendit që kanë lejuar hyrjen e tyre në Kuvend, meqë ata janë të infektuar. “Deri më tani keni bërë teatër nga Kuvendi, por tani keni bërë edhe një krim. Në Kuvend kemi dy deputetë, të cilët janë sjellë këtu në kundërshtim me ligjin. Që ironia të jetë edhe më e madhe, ky është një krim për të cilin nuk vlen imuniteti parlamentar. Unë ua bëj me dije kolegëve, se ata do të përgjigjen për krime kundër shëndetit të njeriut sipas Kodit Penal”, ka thënë deputeti i së “Majtës” Dimitar Apasiev.

Mazedonien | Neuer Parlamentspräsident kann Amt nicht antreten | Parlamentspräsident Talat Xhaferi Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi

Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi ka thënë se kjo ishte një situatë e imponuar dhe se këta dy deputetë nuk rrezikojnë askënd, pasi janë respektuar të gjitha masat për mbrojtje shëndetësore. “Unë ju kam thënë dhe e përsëris, se për sa kohë që unë jam kryetar i këtij Kuvendi, puna do të zhvillohet sipas rregullores së punës së Kuvendit dhe jo sipas ultimatumeve dhe shantazheve siç mendoni”, është shprehur Xhaferi.

Kritika edhe nga VMRO-DPMNE

Reagime pati edhe nga koordinatori i grupit parlamentar të VMRO-DPMNE, Nikolla Micevski. Ai thotë se protokoll i tillë që mundëson që deputetë të infektuar me Coronavirus të jenë të pranishëm në Kuvend nuk ekziston dhe kjo do të thotë që deputetët e shkelin ligjin dhe do të rrezikojnë shëndetin publik, duke njoftuar se do të kërkojnë përgjegjësi penale. “Me këtë qëndrim, jeni subjekt i përgjegjësisë ligjore dhe përgjegjësisë penale, jo vetëm ju edhe personat e ngarkuar me sigurinë nga Ministria e Brendshme që lejuan të hyjnë në Parlament personat pozitiv me vendim për izolim”, u shpreh Nikolla Micevski, koordinator i grupit parlamentar të VMRO-DPMNE-së.

Nord-Mazedonien | Stevo Pendarovski, StaatspräsidentStevo Pendarovski

LSDM: Gjithçka ishte sipas protokollit

Koordinatori i grupit parlamentar i LSDM-së, Jovan Mitrevski tha se pjesëmarrja e deputetëve u zhvillua sipas protokolleve. “Gjithçka që kanë bërë dy deputetët e infektuar në seancë është në përputhje me protokollet, me lejet, me kontrollet para se të vijnë në Kuvend, me lejen e infektologëve, kjo nuk është asgjë që ne bëjmë e që të jetë në dëm të deputetëve të tjerë”, është shprehur Jovan Mitrevski, koordinator i grupit parlamentar të LSDM-së.

Presidenti Pendarovski dekreton masat e paketës së pestë

Masat e ndihmës të miratuara nga Kuvendi i Maqedonisë së Veriut, janë dekretuar edhe nga presidenti, Stevo Pendarovski, i cili i firmosi dekretet për shpalljen e ligjeve për paketë e pestë ekonomike. “Presidenti Pendarovski pa asnjë dilemë nënshkroi dekretet për shpalljen e ligjeve që do të mundësojnë mijëra qytetarë tanë të marrin pagë për muajin shkurt dhe mars të këtij viti”, thuhet në letrën e Zyrës së Presidentit.

Lidhur me kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë e punës së Kuvendit, ku kanë votuar edhe dy deputetë të prekur nga Coronavirusi, nga Kabineti i Presidentit thonë se i pari i shtetit nuk ka autoritetin ta shqyrtojë këtë çështje dhe se për të është përgjegjës është kryetari i Kuvendit, ndërsa pas miratimit të ligjeve edhe Gjykata Kushtetuese./dw

 

Fraksion.com