‘Votoni për ndryshimin’, Basha në Tropojë: Këto janë votimet më të rëndësishme të historisë
Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka mbërritur ditën e sotme në Tropojë. Kreu i PD-së tha se Tropoja dhe të gjithë qytetet e Shqipërisë janë lënë në harresë, ndaj sipas tij, është detyrë e qeverisë së re, për të bërë ndryshimin. Basha u bëri thirrje qytetarëve që të votojnë ndryshimin, ndërkohë që se kjo sipas tij do të jetë një votë për të ardhmen e shqiptarëve.
Në fjalën e tij para tropojanëve të shumtë që kishin dal ta prisnin, Basha tha se 4 vitet të tjera si këto 8 që kaluam nuk i pranon më asnjë shqiptar, i djathtë dhe i majtë, demokrat dhe socialist. Basha tha se ne e dimë fare mirë, se me 25 prill do të jenë votimet më të rëndësishme të historisë së këtij vendi që nga përmbysja e diktaturës.
“Prej 8 vitesh me radhë ka pllakosur si anembanë vendin një varfëri e skajshme. Këtu, në këtë vend, ku duhet të ishte kryeqendër vitrinë e kombit shqiptar, janë larguar shumë të reja në emigracion. Zemra ime dhemb me zemrat e nënave të Tropojës për bijtë e tyre të larguar në emigracion. Por sot zemra ime dhe e shqiptarëve është e mbushur me shpresë. Nën hijen e heroit tonë Bajram Currit, nën vështrimin e rinisë së mrekullueshme të Tropojës. Na bashkojë me një gëzim të brendshëm, e shpresë, se ndryshimi i pandalshëm po vjen.
Qytetarëve që kërkojnë punë, fermerëve që kërkojnë vëmendje, shqiptarëve që e duan Shqipërinë në BE, të gjithë e dinë që kjo mund dhe do të bëhet realitet vetëm duke votuar për ndryshimin. Ndaj nga ky shesh, le të ushtojë ky bashkim i madh për ndryshim, që do të vijë për pak ditë duke votuar koalicionin për ndryshim, numrin 9. Nëntë për të ardhmen e fëmijëve tanë, nëntë për fëmijët që nuk duhet të largohen por ta vijojnë jetën këtu. Nëntë për të zhvilluar infrastrukturën e lënë pas dore. Kontrata që ekipi im ka lidhur shtëpi me shtëpi, fshat dhe më fshat, do të vazhdojë nga zbatimi që ditën e parë. Mbështetje për rrjetin e energjisë elektrikë që është lënë pas dore nga babëzia e një njeriu, i cili do të kthejë këtë vend në mesjetë.
Mbi të gjitha riaktivizimi i projektit të rrugës së Bregut të Drinit për ta bërë Tropojën siç është, diamanti në mes të hajmalie të bukur. Ata që e lanë këtë vend pas dore, që u larguan shërbimet, ata menduan që do të mposhtin shpirtin e pamposhtur të Tropojanit. Një nga premtimet e mia të para është nënprefektura e Tropojës dhe shërbime për njerëzit afër njerëzve. Vëllezër e motra tropojanë, 8 vitet e gjata do të marrin një përgjigje më 25 prill, katër vite të tjera të mbushur me dështime, apo ndryshim për të ardhmen e Shqipërisë. Kjo është pyetja që shtrohet çdo qytetari.
Ne e dimë fare mirë, se me 25 prill do të jenë votimet më të rëndësishme të historisë së këtij vendi nga përmbysja e diktaturës. E ndjej, e shoh kudo entuziazmin, ndryshimin dhe shpresën. Ndryshimi është në dorën tuaj, askush nuk e ndal dot.’- tha Basha.
Fraksion.com