AktualitetTë fundit

Rama publikon foton nga aeroporti “Zayed”: Në Kukës, ku hapet porta e dytë nga qielli i Shqipërisë

Sot do të ulet avioni i parë në Aeroportin e Kukësit ‘Zayed, Flatrat e Veriut’, ku udhëtarët e parë do të jenë çunat e Londrës!

Kryeministri Edi Rama ka publikuar një foto në rrjetin social “Facebook” , nga aeroporti në Kukës.

“Pas pak, zbresim këtu, në Kukës, ku hapet porta e dytë nga qielli i Shqipërisë”, shkruan Kryeministri Rama bashkangjitur fotos.

Avioni “Air Albania” do të niset nga Londra ku do të marrë emigrantë shqiptarë në Britaninë e Madhe dhe do të ulet në Aeroportin e Rinasit. Më pas nga Rinasi në avion së bashku me udhëtarët do të hipi edhe kryeministri Edi Rama, si dhe ministrja Balluku, dhe më pas do të bëhet ulja në pistën e Aeroportit të Kukësit.

Një ditë më parë Ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku tha se ky aeroport do të sjellë një nxitje të ekonomisë dhe punësimit për të gjithë rajonin e veriut.

Kryeministri Edi Rama tha më herët se ky fluturim do të jetë simbolik dhe më pas Aeroporti do të nis me fazën e certifikimit ndërkombëtar që do të duhen edhe disa muaj që ajo të nis punën.

Aeroporti Ndërkombëtar i Kukësit “Zayed-Flatrat e veriut” ka një pistë prej 2.2 kilometrash dhe kullën e saj të vrojtimit, ndërsa në pjesën e vendqëndrimit të avionëve, është projektuar për të mbajtur 3 avionë njëkohësisht, ndërkohë që brenda një ore mund të nisen 4 avionë nga aeroporti i Kukësit.

Pak para se të ulet avioni i parë, të rinj e të reja e kanë pritur me këngë e valle, me daulle dhe plot entuziazëm këtë ditë të shënuar.

Teksa, të veshura kuqezi dhe me qeleshe në kokë, stjuardesa nga vende të ndryshme të botës kanë mbërritur në aeroportin e Kukësit.

 

Fraksion.com