Basha nga Mirdita: Do kemi pjesëmarrjen më të madhe në historinë tonë
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha rrugëtimin jug-veri e ka përmbyllur në qytetin e Mirditës.
Duke i konsideruar si zgjedhjet më vendimtare në Shqipëri, kreu i opozitës tha se 25 prilli do jetë dita me pjesëmarrjen më të madhe në historinë e vendit për ndryshim.
“Sonte nga Mirdita ju them vëllezër dhe motra ka një mundësi për t’i larguar këto, ka një mundësi për ta bërë këtë realitet, ka mundësi për këtë ndryshim. Kjo është në dorën tuaj. Ndjejeni zemrën e këtij populli fantastik, ndjejeni forcën dhe energjinë dhe të bëhemi të gjithë bashkë e të votojmë numrin 9 për ndryshim, numrin 9 për fëmijët tanë, numrin 9 për prindërit tanë, numrin 9 për ekonominë që sjell vende pune dhe paga dinjitoze, numrin 9 për të ardhmen tonë, numrin 9 për Shqipërinë në Europë”, tha Basha.
Basha tha se qeveria nuk i ka mbajtur premtimet dhe kanë qenë 8 vite të gjata për qytetarët.
“8 vite të gjata si 8 dimra pa fund, si 8 dimra pa fund pushteti personal i një njeriu u vu mbi interesat e të gjithë shqiptarëve. 8 vite me radhë premtoi pa fund dhe nuk realizoi as edhe një premtim të vetëm. Nuk e mbajti fjalën, e zhyti vendin në mjerim. Dështoi me turp dhe prapë ka guxim të vijë në Mirditë dhe t’ju kërkojë votën. Ka guxim të shkojë nëpër qytetet tona akoma pas 8 vitesh me projekte virtuale kur e ka lënë Shqipërinë, Mirditën, qytetet tona, si një vend pa qeverisje. Dështimi 8 vjeçar po troket përsëri në derë dhe kërkon që ju t’ia hapni dhe të ulet këmbëkryq edhe 4 vite të tjera në shtëpitë tuaja, në familjet tuaja. Mos ja hapni derën dështimit, kyçjani derën dështimit! Hapini zemrat për ndryshim! Në këtë ditë që kam zgjedhur për t’u ndalur në 9 qytetet tona, në simbol të 9-tës për ndryshim, kështu siç e dini ju e di Saranda, kështu e di Vlora, e di Gjirokastra, Berati dhe Fieri, e di Koça, e di Kukësi, Tropoja dhe Dibra, e di Lezha edhe Shkodra, e di Durrësi dhe Tirana, se ora e ndryshimit po afron! E di dhe Edi Rama dhe ju e keni parë që edhe ai e ka mësuar se më 25 prill ai do të humb, e Shqipëria do të fitojë”,- përfundoi Basha./atsh
Fraksion.com