“Lulzim Basha i marrë peng”: Rama: Pa daljen nga skena të Berishës e Metës, e pamundur që politika të ngjitet në një skenë tjetër
“Pa daljen e Sali Berishës dhe Ilir Metës nga skena nuk ka mundësi që politika të ngjitet në një skenë tjetër”, deklaroi sot në mbrëmje Kryeministri Edi Rama, ndërsa deklaroi se, “Lulzim Basha nuk është njeri i lirë, por është një njeri i marrë peng”.
I ftuar në “Vizion Plus”, Rama foli mbi ftesën për bashkëpunim që i ka drejtuar kryetarit të PD-së, Lulzim Basha.
“Në këtë sistem që kemi zgjedhur, kundërshtarët nuk i zgjedhim dot, janë ata që janë, sepse janë të tjerë që i zgjedhin. Nuk ka rëndësi si do ta preferoje kundërshtarin, por si të gjesh rrugën që për hir të interesave të njerëzve dhe të vendit të bashkëpunosh me kundërshtarin”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se, “është domosdoshmëri për këtë bashkëpunim ndarja e Bashës nga Berisha e Meta, sepse nuk mund të ketë tejkalim të kësaj politike duke pasur në mes Saliun dhe Ilirin”.
“Pa daljen e Sali Berishës dhe Ilir Metës nga skena nuk ka mundësi që politika të ngjitet në një skenë tjetër, është e pamundur”, tha Rama.
Kryeministri sqaroi se metafora e kukullës që kurdiset për Bashën, shpjegon më së miri natyrën e lidershipit të Bashës, një lidership i dobët, pa karakter dhe tërësisht të adaptueshëm sipas programit të kurdisjes.
“Nga ekstremi i udhëheqësit të një revolucioni imagjinar dhe atij që bën thirrje për të marrë pushtetin me rrugë alternative pa zgjedhje, tek versioni i dhëndrit të mirokllaisur për të shpërndarë buzëqeshje dhe premtime që janë totalisht të parealizueshme. Por besoj shumë që të dyja këto pozicione ekstreme lidhen me faktin se Lulzim Basha nuk është njeri i lirë, por është një njeri i marrë peng, i kapur, një njeri që është vendosur aty për të marrë urdhra dhe për të vepruar sipas këtyre urdhrave”, tha Rama.
Rama tha se “ky nuk është definicioni i një burri të ndarë nga gruaja apo e kundërta, por është definicioni i karakterit të lidershipit”.
“Nuk ka lider pa karakter. Liderët mund të kenë karakter të mbrapshtë, si Sali Berisha, por ama Sali Berisha është lider, i mbrapshtë sa të duash, por është lider. Lulzim Basha është pa karakter, lider që s’merr dot vendime, nuk mban dot fjalën, nuk ka fuqi të mundë gjumin, nuk udhëheq, por udhëhiqet jo thjesht nga persona, por nga ngjarjet. Të gjitha këto e bëjnë lidership pa karakter”, tha Rama.
“Mua nuk më duhet Lulzim Basha, më duhen shqiptarët. Unë nuk kam zgjedhur Lulzim Bashën, nuk e ka zgjedhur as PD, por e ka vendosur aty Sali Berisha dhe sepse me Saliun politika është e patejkalueshme, më duhet të bëj gjithçka me një forcë si PD, e cila do të dalë nga zgjedhjet në opozitë më e pranishme në Kuvend sesa doli nga ato të 2017-ës, se prania e LSI-së në Kuvend do të jetë shumë më e reduktuar se ajo e 2017-ës. Domosdoshmëria për të bashkëpunuar vjen nga nevoja që ka vendi sot në momentin kur po del nga një situatë e jashtëzakonshme nga një tunel sfilitës i një pandemie, që ka futur në shpirtin e njerëzve një ankth shumë të madh, dhe kur jemi para një mundësie të jashtëzakonshme për të transformuar në realitet një tërësi projektesh të jashtëzakonshme, kërcënimi i vetëm mbi këto projekte në rrugën e të ardhmes është përsëri politika, dasia, marrëzia e politikës”, tha Rama.
Rama tha se është koha që ne të ulim maksimalisht prodhimin e historisë që prodhon politika e përditshme me histori të lodhshme, sfilitëse dhe të bëjmë histori së bashku.
Rama tha se “nuk fillohet me qeverisje të zgjeruar, por me bashkëpunim të strukturuar, ku secili bën detyrën e tij karshi njerëzve”.
Fraksion.com