AktualitetPolitikëTë fundit

“Flota amerikane të më drejtojë tytat në Lalëz, reforma nuk kalon”; Rama nga Skrapari: Gjërat mes Metës e PS-së në pikën ku s’ka kthim mbrapa

Kryeministri Edi Rama tha sot se “Ilir Meta më ka thënë duke parë detin atje në Lalëz, e shikon tha detin, sikur flota e 6 amerikane të vijë t’i drejtojë të gjithë tytat nga shtëpia ime, ajo reformë nuk kalon. Unë i thashë flota nuk do të vijë dhe ti do të shkosh në fund fare ta votosh reformën”.

Në takimin me banorë të Çorovodës, Kryeministri Rama theksoi se “është e vërtetë ajo që tha Nasipi programi ishte për të ardhur në Berat, për arsye të nevojës për të qenë më pas në Durrës, ndërkohë ishin disa takime dhe intervista në Tiranë dhe pikërisht mbrëmë në 10 të darkës, Nasipi më tha do vish në Berat, s’ke ardhur as në Skrapar dhe me shumë kënaqësi erdha këtu. Këtu është vendi i duhur dhe koha e duhur për të folur pak më gjatë për Ilir Metën”.

“Ilir Metës i jam falënderues, sepse më ka bërë të njihem me një nga eksperiencat më të bukura që njeriu mund të ketë në gjithë Shqipërinë, me kanionet. Po ashtu i jam falënderues se ka qenë ai që më ka futur në shtëpitë tuaja. Nuk do doja kurrë që gjërat mes Ilir Metës dhe familjes së madhe socialiste, progresiste, të kishin arritur në këtë pikë, në këtë pikë ku s’ka kthim mbrapa”, – tha Rama.

Kryeministri Rama u shpreh se “në vitin 2009 Skrapari nuk e votoi e pengoi Ilir Metën. Skrapari i dha Ilir Metës një bekim shumë të madh në një betejë të cilën ai e nisi për arsye të asaj kohe dhe një betejë ku u duk sikur partia që ai krijoi ishte aty për t’iu dhënë hapësirë dhe vend shumë njerëzve të mirë, të ndershëm dhe punëtorë, shumë të rinjve që nuk ndiheshin mirë, që nuk ndiheshin të përfshirë, nuk ndiheshin në shtëpinë e tyre në Partinë Socialiste, që pas shumë vitesh ishte mbyllur dhe kishte hyrë në një proces plakjeje dhe lodhjeje shumë e madhe”.

“Sfida që bëri Ilir Meta ishte shumë e madhe dhe në atë sfidë ishte Skrapari fuqia që i dha atij një shtytje shumë të rëndësishme për të mos e humbur sfidën. Në atë kohë bashkë me të ishte edhe Spartaku, në 2005, ishin dhe shumë të tjerë. Pastaj gjërat ndryshuan me ndikimin e Spartakut, por edhe shumë miqve të tjerë e me dëshirën time të madhe për t’i dhënë së majtës shqiptare, gjithë komunitetit socialist dhe progresist një mundësi të re, ne u bashkuam dhe fituam, pastaj përsëri u ndamë”, – tha Rama.

“Pastaj përsëri u ndamë dhe kthehem prapë tek 2009, aty ku e nisa. Ishte Skrapari që qëndroi dhe i tha vazhdo. Çfarë bëri Ilir Meta? Bëri të pabëshmen për Skraparin në radhë të parë, shkoi dhe u bashkua me një forcë e cila me Skraparin s’ka pasur, s’ka dhe nuk ka për të pasur kurrë asnjë lidhje të brendshme, asnjë lidhje shpirtërore, përveç asaj lidhje që krijohet natyrshëm në një shoqëri pluraliste, ku ka gjithmonë një pjesë shumë të vogël që shkon në anën tjetër”, – tha Rama.

Faktikisht, vijoi Rama, Ilir Meta e ktheu Skraparin në një zonë ku peshorja u përmbys, gjërat shkuan si shkuan përsëri me vullnet të mirë, me dëshirë të mirë, me bindje që në fund të ditës gjërat personale dhe mosmarrëveshjet janë shumë të vogla përballë interesave të mëdha të vendit.

Më tej Rama Rama u shpreh se, “u realizua një tjetër bashkim dhe dihet si shkoi rezultati  e në atë bashkim ne krijuam një qeveri shumë të fortë me mbështetje shumë të fortë në parlament. Në atë qeveri pata mundësi të punoja me Nasipin të cilin më parë nuk e njihja. Koha e deshi që në atë qeveri ne të ndërmerrnim reformën më të vështirë, reformën e reformave, që më parë asnjë nuk kishte guxuar ta imagjinonte, jo më ta ndërmerrte dhe ne shkuam deri në fund”.

“Nasipi e di mirë se si ka qenë, ka qenë dëshmitar se sa shumë lëvizte toka në në këmbët e asaj mazhorance sa më shumë ne shkonim drejt përfundimit të paktës së reformës. Kur paketa e reformës mori trajtën e vet thuajse përfundimtare filloi krisja”, – tha Rama.

Kreu i qeverisë u shpreh se, “i jam shumë mirënjohës Nasipit, i cili në asnjë moment nuk e reflektoi në punën e tij Ministër Drejtësie krisjen që kishte filluar mes meje e Ilir Metës në fakt me Ilir Metës dhe Reformës në Drejtësi. U arrit në pikën ku gjërat u ndanë shumë qartë o Ilir Meta do votonte reformën ose do prishej mazhoranca. Nuk kishte asnjë mundësi për mua dhe për pjesën tonë të mazhorancës që ne të bënim kompromis në dëm të reformës”.

“Ilir Meta më ka thënë duke parë detin atje në Lalëz, e shikon tha detin, sikur flota e 6 amerikane të vijë t’i drejtojë të gjithë tytat nga shtëpia ime ajo reformë nuk kalon. Unë i thashë flota nuk do të vij dhe ti do të shkosh në fund fare ta votosh reformën. Prandaj më mirë bëhu pjesë dhe mos shit dëngla lart e poshtë e mos u identifiko ti si personi që je problemi sesa edhe identifikohesh si personi që je problem edhe do vish ta votosh, se nuk ke ku shkon. Në fakt nuk pati nevojë as për flotë, as për helikopter, Iliri e ka këtë kur i nxehet gjaku imagjinon vetëm forca ushtarake që lëvizin rreth e rrotull e heronj që ngrihen nga varri dhe aeroplanë që vijnë për të sulmuar. Ju e mbani mend ka qenë një ditë e shënuar në historinë e demokracisë shqiptare pavarësisht se procesi i transformimit të asaj që ne kemi miratuar në ligj në një sistem drejtësie që i jep drejtësi është një proces më i gjatë. Por ka qenë një ditë historike dhe atë ditë ka qenë një pamje e paharrueshme për mua”, – nënvizoi Rama.

Kryeministri Rama tha se “nuk kam parë në parlamentin e Shqipërisë as më parë e as më pas deputetë që të ngrenë kartonin jeshil lart e kokën ta mbajnë poshtë, një votim nga një hall i madh që nuk e kishte krijuar flota e 6 amerikane. Vetëm një mesazh shumë i qartë o me ne o kundër nesh. Reforma kaloi”.

 

Fraksion.com