AktualitetOp-EdTë fundit

“Defender Europe 21”: Gatishmëri, ndërveprueshmëri dhe operacionalitet

Intervistë me kolonel Beqir Tafili Drejtor i Drejtorisë të Operacioneve dhe Stërvitjes (J-3/7) në Shtabin  e Përgjithshëm të FA

Stërvitja “Defender Europe 21”që do të mbahet në vendin tonë, është e një rëndësie strategjike dhe ajo zhvillohet në kuadër të bashkëpunimit me palën amerikane, në vazhdën e partneritetit të fortë strategjik që vendi ynë ka me SHBA, në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes. Komanda e Ushtrisë Amerikane në Europë (USAEUR) do të drejtojë paketën e stërvitjeve të koduar “Defender Europe 21” dhe pjesë e kësaj pakete do të jetë pjesëmarrja e forcave të vendeve aleate dhe partnere, si: Kanadaja, Bosnjë dhe Hercegovina, Kroacia, Greqia, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Britania e Madhe, Çekia, Hungaria, Rumania, Bullgaria, Gjeorgjia, Turqia etj. Qëllimi i pjesëmarrjes së Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë në këtë stërvitje do të jetë demonstrimi i aftësive të FA për të pritur, koordinuar dhe për t’u stërvitur e trajnuar me forcat amerikane dhe ato të NATO-s, në aktivitete/operacione të përbashkëta, në një ambient operacional  kompleks. Ndërkohë, pjesëmarrja e FARSH në këtë paketë stërvitjesh ndikon në rritjen e aftësive operacionale të trupave tanë, veçanërisht të disa prej njësive dhe reparteve tona të deklaruara në NATO. Ndërveprueshmëria, integrimi i strukturave tona dhe zhvillimi i aktivitetit të përbashkët stërvitor do të përcjellë mesazhe të shumëfishta me impakt strategjik në fushën e bashkëpunimit, sigurisë dhe mbrojtjes dhe do të jetë një mundësi e shkëlqyer për promovimin e vlerave të FA në komunitet. Kur kanë mbetur dhe pak ditë nga fillimi i stërvitjes, intervistuam për shtypin ushtarak kolonel Beqir Tafili, Drejtor i Drejtorisë të Operacioneve dhe Stërvitjes (J-3/7) në SHPFA. 

Shqipëria do të jetë vendi mikpritës i Stërvitjes “Defender Europe/ 21”, që është një stërvitje me trupa të ushtrisë amerikane por dhe që konsiderohet si një nga stërvitjet më të mëdha në Europë që nga viti 1995. Stërvitja do të zhvillohet nga 1 maji deri në 14 qershor 2021. Sot që po flasim deri ku jeni me përgatitjet për organizimin e kësaj stërvitjeje kaq të madhe ushtarake? 

Në fakt do të doja të bëja një sqarim, lidhur me pyetjen pasi në Evropë por edhe në disa vende të Balkanit (Kroaci; Slloveni, madje dhe në Maqedoninë e Veriut) Komanda Amerikane, Evropë, ka zhvilluar stërvitje të këtyre përmasave, ndër vite.  Kurse për ne, është hera e parë që një stërvitje e përmasave të tilla të  zhvillohet në territorin e vendit tonë, në hapsirën detare dhe në hapsirën tonë ajrore. Gjithësesi, për t’u kthyer tek pyetja juaj, përgatitjet e DE 21, të cilat kanë filluar që në tetor 2019, janë pothuajse në koordinimin e detajeve të fundit.

Për të krijuar  infrastrukturën dhe kushtet e zhvillimit të stërvitjes, FARSH do të vendosin në dispozicion të saj, hapsirën tonë ajërore për kryerjen e operacioneve ajrore, hapsirën detare për kryerjen e operaconeve detare dhe 11 poligone e destinacione të ndryshme të shpërndara në gjithë territorin e RSH, ku përfshihen, porte, aeroporte, terrene stërvitore, poligone; infrastrukturë kritike etj, për kryerjen e stërvitjes/operacioneve tokësore.

Paketa ligjore është tashmë e miratuar në Parlamentin e RSH dhe ligji për zhvillimin në vendin tonë të stërvitjes DE 21 është efektivë duke fillua nga data 01 prill 2021. Gjithashtu jemi në fazën e nënshkrimit të Marrveshjes teknike midis Komandës Amerikane Evropë dhe Ministrisë së Mbrojtjes, marrveshje e cila parashikon detajet mbi detyrimet e palëve.

Planizimi i stërvitjes cili drejtohet nga SHPFA, me qëllim realizimin e disa objektiva strategjikë, është fokusuar në 4  drejtime kryesore: Planizim dhe përgatitje për strukturat tona të cilat do të stërviten brenda  vendit, në ambient kompleks, “Comnined-Joint”; Planizim për strukturat tona të cilat do të stërviten në kuadër të DE21 dhe të stërvitjes së NATO-s  “Steadfast Defender 21”, jashtë vendit; Planizim për të testuar kapacitetet tona kombëtare strategjike, aeroportin ndërkombëtar Nënë Tereza; Portin e Durrësit; Poligonin Kombëtar Bizë etj; Planizim për integrimin, vendosjen në dispozicion të palës amerikane të infrastrukturës dhe poligoneve; planizim për pritjen, mbështetjen, organizimin dhe koordinmin e lëvizjeve në territorin e vendit tonë.

Nuk dëshiroj të futem në detaje të skenarit dhe të planizimit të stërvitjes, por do doja të përmendja disa element të cilët do të ngrihen për menaxhimin e stërvitjes brenda vendit tonë: Për Komandim–Kontrollin dhe menaxhimin e stërvitjes, në SHPFA por edhe në komandat e forcave janë ngritur strukturat e Kontrollit të Stërvitjes (EXCON) të cilat aktualisht janë në fazën e trajnimit familiarizues. Trajnmi  ka si objektiv, familiarizimin me postet, rolet dhe me detyrat respektive që do të kenë këto struktura në funksion të  menaxhimit të stërvitjes. Për pritjen dhe procesimin e trupave amerikane të cilët vijnë nëpërmjet aeroportit Nënë Tereza, në komandën Ajrore dhe PU, nga ana jonë do të ngrihet, zona e pritjes  “Staging Area”; Për të mbështetur operacionet në portin e durrësit është planizuar për tu ngritur Terminali Operacional, ku Kalata Nr1 dhe Kalata Nr.2 e Portit të Durrësit, janë tashmë të rezervuara, për kryerjen e operacioneve portuale. Përveç Terminalit Operacional, me qëllimin mbështetjen logjistike dhe administrative të forcave të luftimit, janë planizuar që të ngrihen dy (2) Zona të mëdha të Mbështetjes Logjistike, përkatësisht në Territorin e Forcës Detare, Durrës dhe në  Bazën Ajrore Kuçovë. Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, në bashkëpunim me Komandën Amerikane në Evropë dhe me Zyrën Amerikane të Bashkëpumit/ODC, me qëllim koordinimin e transportit dhe të lëvizjes së kolonave ushtarake, të më shumë se 5000-6000 ushtarëve dhe të më shumë se 1000 automjeteve, do të organizojnë ngritjen e Qendrave të Përbashkët të Kontrollit të Lëvizjes në Tiranë, Durrrës dhe Kucovë, Këto qendra të cilat do të fuksionojnë si struktura  OPERACIONALE për menaxhimin e lëvizjeve/konvojeve, do të garantojnë, koordinimin dhe sigurinë e transportit tokësor ushtarak nga Porti i Durrësit dhe Aeroporti “Nënë Tereza”, për në të gjitha zonat operacionale të shpërndara brenda vendit tonë dhe në  Ballkan.

Pra, si përfundim, lidhur me statusin e përgatitjes dhe planizimit, do thoja që dosja e detajuar e planizimit pothuaj ka përfunduar, dhe strukturat tona  po bëjnë përgatitjet e fundit për t’u përfaqësuar sa më profesionalisht në  këtë stërvitje të madhe. 

Sa do të jetë pjesëmarrja e trupave në këtë stërvitje  të drejtuar nga ushtria e SHBA në Europë?  Sa trupa do të vendosen në Shqipëri?

Meqënsë po më jepet rasti, po jap disa të dhëna dhe fakte të zhvillimit në Evropë të serisë së stërvitjeve të kuduara “Defeder”. Seria e stërvitjeve të paketës së “Defender”, përgatitet dhe drejtohet nga Komanda Amerikanë në Evropë,  bazuar në skenarët e NATO-s, ku  në vitet tek, stërvitja/operacione, tokësore, detare dhe ajrore, zhvillohen në jug të Evropës dhe në Detine zi dhe në vitet cift, stërvitje/operacione, tokësore, detare dhe ajrore, zhvillohen në veri të evropës dhe në Detin e zi.  Disa të dhëna mbi DE 21, po i pasqyroj si më poshtë: DE 21, është e përbërë nga 4 stërvitje dhe e bashkëlidhur me 2 stërvitje të tjera amerikane si dhe me stërvitjen e NATO “Steadfast Defender 21”; do të zhvillohet në 30 poligone të vëna në dispozicion nga 12 shtete. Marrin pjesë në stërvitje gjithësej 27 shtete, me mbi 31,000 trupa, ku 17 000trupa janë amerikane dhe 14 000 trupa të aleatëve;  mbi 2,200 pajisje/mjet; 4 Multinational “Airborne Operations” ;1 stërvitje mjeksore; 1 aktivitet logjistike “Joint Logistics Over-the-Shore (JLOTS); 5 porte ku porti I Durrësit do të jetë porti kryesor; 12 aeroporte.

Në vendin tonë, siç është përmendur edhe më herët, do të dislokohen mbi 3000 trupa nga  disa struktura amerikane, ku më kryesoret janë Brigada e 53 e këmbsorisë së lehtë; batalioni i helokopteëve; battalion logjistik (-); battalion xhenier (-), bateria e raketave “Patriot”, struktura  të Policisë Ushtarake; struktura CIMIC etj.

Përveç forcave amerikane, në vendin tonë do të stërviten edhe njësi ushtarake të Republikës Çeke, Hungarisë,  personel nga Kanadaja etj. Po ashtu, në vendin tone, do të dislokohen edhe personel ushtarak nga rreth 15 vende të ndryshme Evropës, të cilët do të plotësojnë me personel  Qendrën Shumëkombëshe të Koordinimit CIMIC e cila do të ngrihet në  Bazën Detare / Pashaliman-Vlorë. 

Vendi  ynë ka një rëndësi strategjike gjeografike në rajon. Pse mendoni se është zgjedhur Shqipëria? 

Nëse do të kthehem, në vitin 2019, kur diskutohej për këtë projekt në Wisbaden Gjermani, drejtuesi kryesor planizues amerikan, nuk e shikonte dhe nuk e konsideronte Shqipërinë, si destinacion për të zgjeruar hartën e DE më në jug të Evropës. Në rrethanat e krijuara, brenda një kohe të shkurtër përgatitëm një prezantim me fokus, pozicioni gjeo-strategjik i Shqipërisë dhe vlerësim për Portin e  Durrësit (Port Assessment). Në prezantim, nënvizuam lehtësirat dhe avantazhet që u garantonte pozicioni ynë gjeografik për zhvendosjet startegjike amerikane si dhe mundësitë e përdorimit të Portit të Durrësit për mbështejen e  zhvendosjeve strategjike amerikane, në drejtim të Detit të Zi,  në drejtim të Afrikës etj.

Takimi rezultoi i suksesshëm pasi, pas diskutimesh, në fund të tij, duke vlerësuar pozicion strategjik të vendit tonë, drejtuesit amerikan,  hapën “dritën jeshile” për përfshirjen e vendit tonë në stërvitjen DE21.

Tashmë që planizimi i DE 21 ka rrugëtuar për afërsisht 2 vjet ku me dhjetra drejtues të lartë ushtarakë amerikan dhe me qindra planizues amerikan kanë ardhur në vendin tonë, përveç avantazheve  të pozicionit gjeo-strategjik dhe pozicionit të Portit të Durrësit, amerikanët kanë identifikuar gjithashtu se  shqiptarët janë populli  më “pro amerikan” në botë, dhe si e tillë është një arsye më shumë që kjo stërvitje të pasohet me simotrat e saj në vitet në vijim 2022; 2023; 2024 2025 etj.

Ambicia e FA për të marr pjesë dhe për zhvilluar në vendin tonë seritë e stërvitjeve DE, për periudhën  2021-2025, është shprehur dhe depozituar tashmë në strukturat vendimarrëse dhe planizuese amerikane, ku aktualisht ka filluar planizimi për  ta zhvilluar edhe në  vendin tonë stërvitjen DE22.

Në mënyrë që të promovojmë rëndësinë gjeo-strategjike të vendi tonë si  dhe rëndësin strategjike të Portit të Durrësit, i cili siguron infrastrukturën e nevojshme për zbarkim të trupave amerikane, në përgjigje të ndonjë krize në Ballkan, Detin e Zi dhe Afrikë, Ministria e Mbrojtjes, Shtabi i Përgjithshëm i FA, në b/p me Komandën Amerikane në Evropë (USAREUR) dhe Zyrën  Amerikane të Bashkëpunimit Ushtarak, kanë planifikuar zhvillimin e “DITËS SË VIZITORËVE TË SHQUAR”, në Portin e Durrësit, më 4 maj 2021.

Dita e Vizitorëve të Shquar, në Durrës, do të pasohet nga disa aktivitete të tjera kulturore dhe ushtarake të listuara si më poshtë; Dita e Hapur/Display day në Tiranë; Dita e hapur në Poligonin Kombëtar Bizë; Ditë e hapur në Kuçovë; Ditë e hapur në Vlorë etj.

Po Forcat e Armatosura shqiptare me çfarë trupash do të përfaqësohen? Cili do të jetë roli i tyre në këtë stërvitje?

FA të Republikës së Shqipërisë, gjatë periudhës 01 maj deri më 14 qershor 2021, do të “Mikpres” tre (3) nga 6 stërvitjet e paketës së “Defender Europe 21”, konkretisht, stërvitjet: Immediate Response 21; Saber Guardian 21  dhe  Astral Knight 21.

Bazuar në objektivin e SHSHP FA, në stërvitjet e sipërcituara, FA do të angazhohen me disa struktura në disa nivele, ku Shtabi i  Përgjithshëm, luan rolin kryesor si drejtues i planizimit dhe gjatë fazës së zhvillimit të stërvitjes, do të luajë rolin e Komandim-Kontrollit të saj.

Komponentët, Tokësor, Detar, Ajror, Forcat Speciale dhe strukturat mbështetëse, do të jenë gjithashtu pjesë e audiencave stërvitore, ku fokusi do të jetë te Grup Batalioni i lehtë i Këmbsorisë, Objektiv Kapaciteti i NATO-s dhe disa struktura të tjera prioritare të FA.

Në total, FA do të angazhojnë, gjithësej 15 struktura ushtarake, GBKL/b2k; CIMIC; EOD; CBRN; Xhenio QKR/FAj; SHPFA/QBO; EOD nënujore; baza ajrore Farkë, FD me 10 anije/ekuipazhe; Policia Ushtarake, Seti Fushor i KM; komapni komando; Grup special/SOTU, AFA, me më shumë se 1000 trupa, ku pjesa më e madhe e tyre do të stërviten nën statusin “Audiencë Parësore e Stërvitjes” (me objektiva kryesore: rritja e aftësive operacionale dhe rritja e ndërveprueshmërisë) dhe një pjesë nën statusin “Audiencë Dytësore e Stërvitjes”.

Përveç angazhimi në stërvitjet amerikane të sipërcituara, Forcat e Armatosura, do të marrin njëkohësisht pjesë edhe në stërvijet e koduar “LAUFER”, e cila është stërvitje e bashkëlidhur me stërvitjen DE 21, zhvillohet në Kroaci si dhe në stërvitjet Steadfast Defender 21?STDE 21 dhe Noble Jump 21, të drejtuara nga NATO, të bashkëlidhura me DE 21 (Rumani).

 “Stërvitja Defender Europe/21”, do të drejtohet nga Komanda e Ushtrisë Amerikane në Evropë dhe Shqipëria do të  jetë vendi pritës. Por stërvitja gjithashtu do të do të shtrihet edhe në disa vende të Ballkanit dhe të Detit të Zi. Cilat janë këto vende dhe cila është idea e stërvitjes për këtë bashkëpunim  mes aleatëve?

Koncepti i stërvitjes bazohet në  skenar të adoptuar bazuar në situatën aktuale  ku siç e kam përmendur më sipër, do të marrin pjesë 26 shtete evropiane, pjesa më e madhe e të cilëve, vende antare  të NATO-s. Fokusi kryesor i stërvitjes do të përqëndrohet në 3 zona operacionale; vendet e Balltikut në Veri; vendet e Detit të Zi në lindje dhe në jug-perëndim, vendet e Ballkanit, ku përjashtohet vetëm Serbia.

NATO, do të marr pjesë në këtë fushatë me stërvitjen e saj të koduar Steadfast Defender 21 e cila është e integruar me DE21. Fokusi kryesor i NATO-s do të jetë “Mbrojtja Kolektive”, përfshirë edhe aktivizimin e artikullit V.

Në stërvitjen e NATO-s STDE 21 do të marrin pjesë 20 shetet të cilat kanë si objektiv ushtarak, rritjen e ndërveprueshmërisë si dhe testimin e praktikimin e proceduarve për zhvendosjet strategjike usharake, midis vendeve të ndryshme të Evropës. Në stërvitjen STDE 21, do të testohen për herë të  parë  strukturat e reja të NATO-s (2 komandat, JSEC dhe JFCNF) si dhe nëpërmjet Noble Jump 21,  do të  vlerësohet dhe testohen aftësitë operacionale të forcave të gadishmërisë së lartë të NATO-s, të cilat gjatë vitit 2021, operojnë nën statusin “NATO Stand By/VJTF”. 

Çfarë  kapacitetesh logjistike  do të ofrojnë Forcat e Armatosura? Në cilat terrene? Po bazat ushtarake të Shqipërisë çfarë mundësish ofrojnë për mbarëvajtjen e kësaj stërvitjeje të pazakontë për nga përmasat në territorin  tonë?

Në vendin tonë, në dispozicion të stërvitjes, janë vendosur 11 poligone dhe zona stërvitore dhe mbështetëse, të cilat do të garantojnë mbështetjen logjistike, administrative dhe stërvitjen e përbashkët me forcat amerikane për rreth 1 muaj e gjysëm. Porti i  Durrësit, padyshim është porti kryesor i stërvitjes DE 21 dhe do të shërbej si Porta-hyrëse dhe përpunuese për të gjitha materialet dhe pajisjet që hyjnë në vendin tonë dhe që kalojnë tranzit; Aeroporti Ndërkombëtar  “Nënë Tereza” Tiranë, i cili do të jetë Porta-hyrëse kryesore për personelin ushtarak dhe civil që merr pjesë në stërvitje; Komanda e Forcës Ajrore dhe PU, ku përveç se si portë hyrëse do të shërbej edhe si QENDËR E PRITJES dhe e procesimin të personelit të huaj”; Baza Ajrore Farkë, ku do të akomodohet batalioni amerikan i helikopterëve amerikanë; Baza ajrore e Kuçovës.

Kuçova do të kthehet një ndër zonat më të mëdha të trajnimit për disa njësi ushtarake amerikane, siç janë ato të Policisë Ushtarake, Bateria e Raketave “PATRIOT”, njësia e mjeteve fluturuese pa pilot/Dronëve si dhe baza logjistike mbështetëse. Poligoni kryesor ku do të zhvillohet Stërvitja Saber Guardian. Dhe Lidhur me Kuçovën, unë do të doja t’ju informoja, se menjëherë pas përfundimit të stërvitjes “Saber Guardian 21”, do të fillojë zbatimi i projektit të ndërtimit të “Bazës Ajrore Taktike” të NATO-s.

Zall Herr, Tiranë, ku Komandës së Forcës Tokësore, do t’i shtohen edhe Brigada e 53 amerikane, batalioni logjistik dhe batalioni xhenier amerikan në kuadër të stërvitjes Immediate Response 21; Komanda e Forcës Detare, Durrës do të shërbej si bazë logjistike dhe si vend ku do të zhvillohet stërvitje detare për furnizimin e automejetve me karburant nga anijet në det; Baza e detare në Pashaliman, në të cilën do të ngrihet Qendra Ndërkombëtare e CIMIC; Poligoni kombëtar, Bizë, në të cilën do të zhvillohen stërvitja e Grup Batalionit të Lehtë të Këmbsorisë/GBKL dhe e disa strukturave amerikane në kuadërtë stërvitjes Immediate Response. Risi është se GBKL, gjatë gjithë peridhës së stërvitjes, do të asistohet dhe monitorohet nga një ekip trajnues I specializuar amerikan (SFAB). Poligoni i Fekenit/Stanet e Linosit, do të akomodojë forcat tona të cilët do të impovizojnë kundërshtarin;Poligoni I Vaut të dejës,, më të cilin në kuadër të stërvitjes Astral Knight 21, do të zhvillohen operacione “Personnel Recovery Operations”

Për sa i përket mbështetjes logjistike, FA do të mbështesin logjistikisht të gjitha trupa shqiptare që marrin pjesë në stërvitje, brenda dhe jashtë vendit. Po ashtu, FA do të mbulojmë me  shërbime logjistike të limituara disa strukturat amerikane të cilat dislokohen në vendin tonë, vecanërisht për strukturat amerikane që dislokohen për ndërtimin e bazave logjistike dhe kampingjjeve ushtarake si dhe për trupat amerikane të dislokuara në Poligonin Kombëtar, Bizë dhe në Pashaliman. 

Ushtaraku i lartë amerikan, gjeneralmajor Joseph Jarrard, Zëvendëskomandant i Ushtrisë së SHBA në Evropë, kur vizitoi vendin tonë për koordinimin e masave paraprake dhe  përgatitjet, tha se Shqipëria është  partnere strategjike e sigurisë amerikane në Europë. Cilat janë pritshmëritë? Por dhe sa e rëndësishme do të jetë  kjo stërvitje për të ndërtuar gatishmërinë dhe ndërveprimin ushtarak të SHBA me ushtarë shqiptarë në tokën shqiptare?

Gjatë vizitës në vendin tonë, gjeneralmajor Joseph Jarrard,  zhvilloi takime në Këshillin e Lartë të Sigurisë dhe me autoritetet e larta të vendit për koordinimin dhe  përgatitjet për zhvillimin me sukses të stërvitjejes ushtarake “Defender Europe 21”. Në takimet që ai zhvilloi në vendin tonë,  nënvizoi se Shqipëria është një partnere strategjike e sigurisë dhe se Shqipëria po investon ndjeshëm në të gjitha fushat për të forcuar gatishmërinë operacionale për mbrojtjen kolektive të NATO-s,

Gjenerali amerikan gjatë vizitës së tij përcolli disa mesazhe ku theksoi rolin e vendit tonë për sigurinë në rajon, rritjen e bashkëpunmit ushtarak në fushën e mbrojtjes; modernizimin e FA si dhe rritjen e numërit të aktiviteteve të përbashkëta trajnuese dhe stërvitore.

Në  këtë konteks, pritshmëritë janë që stërvitjet e përbashkëta do të rriten, si brenda vendit ashtu edhe jashtë vendit ku jo më larg së në shtator të këtij viti Komanda Amerikane Evropë, do të marrë pjesë me disa struktura në  një stërvitje tonën kombëtare, po ashtu do të zhvillojë në vitin 2022 në vendin tonë stërvitjen “Swift Response 22” pjesë e paketës së DE 22. E kështu, stërvitjet e përbashkëta do të vijojnë me intesitete të lartë në vitet në vijim.

Stërvitja me ushtrinë më të fortë në botë, është padyshim sfidë, por nga ana tjetër është shans për FA, për t’u stërvitur së bashku, në disa disiplina dhe në disa domain, në një ambient multinacional, kopleks me skenar real. 

Si ka qenë bashkëpunimi dhe mbështetja e strukturave të shtetit shqiptar, për realizimin me sukses të stërvitjes “Defender Europe / 21”?

Për shkak të kompleksitetit të kësaj stërvitje, metodologjia e planizimin të saj, ka qenë gjithëpërfshirëse, ku  përveç Ministrisë së Mbrojtjes dhe SHPFA, kemi përfshirë edhe aktorët e tjerë. Struktura shtetërore të përfshira në planizimin dhe përgatitjen e sëtrvitjes, kanë qenë pjesë integrale  e grupeve të punës të ngritura në Ministrinë e Mbrojtjes dhe në SHPFA, duke kontribuar në fushat respektive.

Në nivel lokal, FA kanë bashkëpunuar me të gjitha autoritete lokale të zonave ku do të zhvillohet stërvitja, autoritete lokale në Tiranë; Durërs; Vlorë; Kucovë etj. Po ashtu bashkëpunim të shkëlqyer kemi pasur me Komandën Amerikane Evropë, Komandën Operacionale të NATO-s, Napoli, Zyrën e Atasheut  amerikane në Tiranë dhe veçanërisht me Zyrën Amerikane të Bashkëpunimit (ODC).

Pandemia, është një tjetër aspekt që duhet vlerësuar gjatë kësaj stërvitje. Si do të respektohen protokollet shëndetësore dhe rekomandimet e OBSH, për parandalimin dhe përhapjen e virusit “COVID 19”?

Sfida e të gjithëve ka qenë  ruajtja e gadishmërisë operacionale në kushtet e kufizimeve që dikton pandemia e shkaktuar nga COVID 19. Për të siguruar shëndetin e gjthë personelit të angazhuar në stërvitje, është përgatitur një plan tepër i detajur i cili është i bazuar në protokollet tona kombëtare dhe në “COVID Mitigation Plan” të përgatitur nga Komanda e Ushtrisë Amerikane në Evropë. Plani parashikon procedurat dhe hapa të detajuar që duhen ndërmarrë nga komandat dhe personeli ynë si dhe nga personeli i huaj, përpara dislokimit, gjatë stërvitjes dhe gjatë ridilsokimit.

Bazuar në protokollet e përgatitura, strukturat tona angazhuar në stërvitje, do t’i nënshtrohet testimit COVID dhe menjëherë mbas testit, do të transportohen në poligonet e përcaktuara për të bërë 10 ditë karantinë, karantinë e cila nuk presupozon izolim të plotë të tyre dhe mos përfshirje në aktivitet ditore.

Të gjitha strukturat që shkojnë në poligone, janë negativë dhe gjatë qendrimit në karantinë në poligoni stërvitor, ata janë të autorizuar të  kryejnë përgatitje dhe stërvitje me element duke zbatuar protokollet (maska; distanca, higjena etj) si dhe konceptin e stërvitjes “train in bubble).

Vetëm mbas 10 ditë karantinë, trupat tona do mund të stërviten dhe të integrohen me trupat amerikane të cilat, dilokohen në vendin tonë sipas protokolleve  të tyre COVID; 10 ditë karantinë në vendet e tyre dhe test covid (jo më herët se 48 orë para nisjes), transport me mjete ushtarake për në aeroportin e Tiranës dhe ose Portin e Durrësit, kontroll nga ekipet tona mjekësore në aeroport/port (pa u futur nga pjesa civile), transport me autobuza të sigurt për në zonat e trajnimit.

Në vijim të masave, Trupat amerikane do të bëjnë edhe dy teste të tjera në vendin tonë, një test në ditën D+2 dhe një tjetër në ditën G+8.  Ndërkohë që për të trajtuar rastet pozitive, nëse  do të ketë të tillë, janë planizuar ambiente specifike në poligonet respektive dhe transport tokësor ose ajëror  për në spitalet respektive për ata që mund të kërkojnë trajtim më të specializuar.

Buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes për vitin 2021 ka pësuar një rritje me rreth 2,7 miliard lek ose 11,8% krahasuar me planin e vitit 2020. Nga ana tjetër organizimi i kësaj stërvitje kaq të madhe kërkon shpenzime të mëdha. Mendoni se kjo rritje në buxhet është për këtë shkak?

Rritja e buxhetit të Ministrisë së Mbrojtjes, në shifrat që ju përemendni, nuk ka asnjë lidhje me stërvitjen DE 21 por është një rritje në përputhje me objektivat dhe angazhimet tona në Samitin e Uellsit për ta rritur buxhetin e mbrojtes, vit pas viti deri sat ë arrijë nivelin-dysheme të kërkuar nga NATO, 2% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Lidhur me angazhimin e FA-së në stërvitjen DE 21, ju sigurojë që nuk janë alokuar fonde shtesë apo fonde të veçanta për  të mbështetur strukturat tona. Pavarësisht  emrit të stërvitjes dhe integrimit të stërvitjeve tona kombëtare me paketën e DE 21, SHPFA, komandat kryesore dhe reparte autonome, bazuar në ciklin stërvitor, i cili nis me përgatitjen individuale, vijon me sërvitjen kolektive dhe kulmon me një ushtrim stërvitor në terren ose të asistuar me kopjutera, bazuar në objektivat e stërvitjes, vit pas viti planizojnë stërvitje dhe fondet respektive për kryerjen me sukses të ciklit të plotë të stërvitjes.

Intervista është realizuar për gazetën Ushtria nga Mimoza Golikja, Msc. në Siguri dhe Mbrojtje.

 

Fraksion.com