AktualitetKosovaTë fundit

Emra të rinj, qëndrime të vjetra: Raport për Kosovën në OKB

Këshilli i Sigurimit të OKB mbajti të martën (13.04) takimin informues të radhës për Kosovën. Serbia, edhe Kosova kanë emra të rinj ministrash të Jashtëm, por qëndrimet janë të njëjta.   

Takimet informuese të Këshillit të Sigurimit për Kosovën mblidhen në bazë të rezolutës 1244 të vitit 1999. Sipas saj, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, duhet të informojë rregullisht anëtarët e Këshillit të Sigurimit për aktivitetet e misionit të OKB në Kosovë. Para zhvillimit të takimit, anëtarët e Këshillit të Sigurimit marrin raportin e Sekretarit të Përgjithshëm dhe në bazë të tij dhe të politikës së vendit që mbulojnë përgatisin deklaratat. Raporti aktual përfshin periudhën shtator 2020- mars 2021. Presidencën e radhës në Këshillin e Sigurimit në muajin prill e mban Vietnami.

Takimi zakonisht fillon me fjalën e shefit të UNMIK-ut, që aktualisht është Zahir Tanin. Pastaj fjalën e merr përfaqësuesi i Serbisë, ministri i Jashtëm apo ambasadori pranë OKB. Pas tij flet ministri i Jashtëm i Kosovës ose ambasadori i Kosovës në SHBA, vend që e ka njohur Kosovën si shtet. OKB nuk e ka njohur ende Kosovën si shtet, megjithë mbështetjen që i jep. Që ta bëjë këtë duhet që gjithë vendet me të drejtë vetoje në Këshillin e Sigurimit të japin „Po-në”. Nga pesë shtetet me të drejtë vetoje, tre e mbështesin anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara kurse dy nuk e mbështesin. Kështu ka qenë në vitin 1999, kështu është edhe sot, më 2021. Sipas OKB, misioni i UNMIK-ut sot është të promovojë sigurinë, stabilitetin dhe respektimin e të drejtave të njeriut në Kosovë.

UN Sicherheitsrat Pressekonferenz | Dang Dinh QuyAmbasadori i Vietnamit pranë OKB, Dang Dinh Quy

Protesta e përfaqësuesit rus

Takimin e Këshillit të Sigurimit për Kosovënmë 13 prill 2021 e drejtoi ambasadori i Vietnamit pranë OKB, Dang Dinh Quy. Takimi ishte video- konferencë e hapur për publikun midis 19 pjesëmarrësve, 13 anëtarëve të Këshillit të Sigurimit dhe 6 të ftuarve, ministres së Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, shefit të UNMIK-ut Zahir Taninit, ministrit të Jashtëm të Serbisë, Nikola Selakovic,

Sapo ambasadori i Vietnamit filloi të merrte votat për procedurën e mbajtjes së takimit, përfaqësuesi i Rusisë, shprehu indinjatën që ministrja e Jashtme e Kosovës Donika Gërvalla shfaqej në video me flamurin e Kosovës, “shtet që nuk është njohur nga bota”. Ai i kërkoi ministres të largojë flamurin e Kosovës, si kusht për të marrë pjesë në takim.

Ambasadori i Vietnamit kujtoi se pjesëmarrja e përfaqësuesve të Kosovës në takim bëhet sipas rregullit 39, të procedurës së mbajtjes së takimit. Përfaqësuesi i Mbretërisë së Bashkuar, kujtoi se takimi është informues, nuk është takim ku merren vendime kështu që nuk ka pse ministrja Gërvalla të ndryshojë sfondin e prezantimit. Kujtojmë se në takimin e kaluar të Këshillit të Sigurimit, i njëjti incident u shkaktua nga Serbia.

Screenshot UN Web TV I Donika GervallaDonika Gërvalla, pamje e marrë nga UN Web TV

UNMIK: Ndihmë për Kosovën në luftë kundër pandemisë

Shefi i UNMIK-ut, Zahir Tanin, kërkoi ndihmë për Kosovën në luftën kundër pandemisë së COVID-19, e cila ka pasur dy momente dramatike infektimi të madh një në nëntor dhe një që ka filluar në mars dhe që po vazhdon deri tani. “Numri i infektimeve ka arritur tani pikën kulminante,” tha Tanin duke shpjeguar se virusi ka infektuar në Kosovë mbi 100 mijë vetë dhe ka shkaktuar vdekjen e 2 mijë të tjerëve, një nga nivelet më të larta për frymë. Ai tregoi se 24 mijë doza vaksine që kanë mbërritur në Kosovë në fund të marsit, kanë shënuar fillimin e programit të vaksinimit dhe kërkoi ndihmë për vaksinimin, duke pasur parasysh nivelin e madh të infektimeve dhe shpërndarjen e virusit.

SHBA e BE: Kosova e Serbia të veprojnë si europianë

Ambasadori i SHBA pranë OKB, Richard Mills, vlerësoi mbajtjen e zgjedhjeve të lira në Kosovë si dhe përpjekjet e bëra në promovimin e të drejtave të grave. Ai premtoi bashkëpunim me presidenten Osmani dhe kryeministrin Kurti, për rritjen e transparencës dhe përgjegjshmërisë qeveritare, luftimin e korrupsionit, përmirësimin e ekonomisë dhe normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Ambasadori amerikan shprehu mbështetjen për dialogun e kryesuar nga BE. „Tani që është formuar qeveria e Kosovës, ne presim që në një të ardhme të afërt, përfaqësuesi i BE të mbledhë palët,” tha Mills i cili theksoi se palët kanë bërë përparime, „gjë që ka kontribuar në përmirësimin e jetës së qytetarëve si në Kosovë edhe në Serbi”. Duke iu kthyer takimit shqiptaro- serb në Shtëpinë e Bardhë në shtatorin e 2020, ai tha se „ka shumë për të bërë dhe koha nuk pret”.

Screenshot | Website unmultimedia | Zahir TaninZahir Tanin, pamje e marrë nga UN Web TV

SHBA i bëjnë thirrje palëve të zbatojnë marrëveshjet e mëparshme dhe t’i qasen dialogut me pragmatizëm dhe produktivitet, me synimin e arritjes së marrëveshjes së normalizimit. Ashtu si ambasadorët e mëparshëm edhe ambasadori Mills tha, se UNMIK e ka përmbushur detyrën që ka pasur dhe duhet mbyllur. Ai i bëri thirrje anëtarëve të Këshillit të Sigurimit të vendosin për mbylljen e UNMIK-ut, për të përmirësuar më shumë rolin e OKB në ndihmë të Kosovës. Ambasadori amerikan përshëndeti përmirësimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Izraelit, si kontribut në vendosjen e paqes dhe stabilitetit në Ballkan dhe në Lindje të Afërt.

Ambasadori i Francës pranë OKB, Nicolas de Riviere ftoi Serbinë dhe Kosovën që të veprojnë si europianë në arritjen e kompromiseve. „Kosova ka tani institucione të qendrueshme, që do t’i krijojnë mundësinë të kapërcejë sfidat, sidomos në bërjen e reformave,” tha ambasadori francez, i cili shprehu mbështetjen e Francës dhe BE në ndihmë të Kosovës. Sfidat janë përveç luftës kundër pandemisë, zhvillimi ekonomik dhe social, forcimi i ligjit, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Franca është e bindur se për Kosovën dhe Serbinë nuk ka rrugë tjetër veç arritjes së marrëveshjes finale, dhe për këtë mbështet përpjekjet që bën Miroslav Lajçak, i dërguari special i BE./DW

 

Fraksion.com