AktualitetBota+Të fundit

Eksperti i mbrojtjes: Veprimet e oficerit Chauvin ishin të “justifikuara”

Një ekspert i përdorimit të forcës nga policia, i thirrur nga pala mbrojtëse të martën dëshmoi se ish oficeri i policisë së Mineapolisit, Derek Chauvin ishte “i justifikuar” në vënien nën kontroll të afrikano-amerikanit George Floyd me gjurin në qafë vitin e kaluar dhe se kjo taktikë nuk duhet të konsiderohet si përdorim i forcës vdekjeprurëse.

Dëshmitari, Barry Brodd, i tha jurisë në gjyqin ndaj zotit Chauvin në Mineapolis se oficeri, i pushuar për vdekjen e zotit Floyd pas 19 vjetësh në detyrë , “përdori forcë të arsyeshme” kur mbajti nën kontroll 46 vjeçarin Floyd për më shumë se nëntë minuta.

Incidenti i vitit të kaluar shkaktoi protesta në Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera të botës kundër abuzimit të pakicave nga policia.

Prokuroria përfundoi argumentet e saj të martën, dhe avokati mbrojtës Eric Nelson filloi përpjekjen e tij për të dobësuar provat e konsiderueshme se oficeri Chauvin kishte shkelur parimet që kishte marrë nga trajnimet e tij policore kur arrestoi George Floydin nën dyshimin se ai kishte përdorur një kartëmonedhë të falsifikuar 20 dollarëshe në një dyqan.

Brodd, një dëshmitar kyç për zotin Chauvin, i cili ka dëshmuar në raste të tjera të bujshme kundër policëve të akuzuar për abuzimin e të dyshuarve për akte penale, tha se “është e lehtë të ulesh dhe të gjykosh, nga një zyrë, sjelljet e një oficeri. Po kjo është shumë më e vështirë nëse je në vend të oficerit”.

I pyetur nga avokati Nelson nëse ai mendonte se mbajtja nën kontroll e Geroge Floydit nga oficeri Chauvin ishte forcë vdekjeprurëse, Brodd u përgjigj, duke thënë “Nuk ishte (përdorim i forcës vdekjeprurëse).”

Zoti Brodd i quajti veprimet e ish-oficerit “objektivisht të arsyeshme”.

Prokurori Steven Schleicher, u përpoq të dobësonte argumentat e zotit Brodd kur e mori atë në pyetje.

Prokurori fitoi një mirëkuptim nga dëshmitari Brodd në lidhje me faktin nëse ishte përgjëgjësia a zotit Chauvin që të kuptonte rrethanat e ngjarjes kur Floydi po gulçonte dhe po thoshte, “Unë nuk mund të marr frymë”, ndërsa ishte shtrirë në rrugë.

Prokuroria paraqiti për 11 ditë prova dhe dëshmi se polici i bardhë 45-vjeçar, Derek Chauvin shkeli praktikat normale të policisë në mënyrën se si e arrestoi afrikano-amerikanin Floyd, dhe provat mjekësore se Chauvin me veprimet e tij e asfiksoi të dyshuarin.

Avokati mbrojtës, Eric Nelson pohoi se Floydi vdiq për shkak të problemeve shëndetësore të lidhura me përdorimin e drogës, e jo për shkak të mënyrës se si Chauvin e arrestoi atë.

Nuk dihet nëse zoti Chauvin do të jetë dëshmitar në mbrojtjen e tij. Por çështja po ecën me shpejtësi dhe argumentet përmbyllëse mund të bëhen javën e ardhshme. Juria e larmishme racore me 12 anëtarë mund të fillojë më pas diskutimet e saj mbi fajësinë ose pafajësinë e ish-policit Chauvin.

Derek Chauvin ka deklaruar pafajësine për akuzat e vrasjes dhe vrasjes me qëllim. Nëse dënohet, ai mund të përballet me shumë vite burg. Tre oficerë të tjerë të policisë që luajtën role të ndryshme në arrestimin e Geroge Floydit me 25 maj të vitit të kaluar janë në pritje të gjyqit, megjithëse akuzat kundër tyre ka të ngjarë të tërhiqen nëse Derek Chauvin shpallet i pafajshëm.

Prokurorët e shtetit të Minesotës përmbyllën argumentet pasi paraqitën një sërë provash kundër ish-oficerit Chauvin, duke përfshirë një video të policit me gjurin e tij në qafën e Floydit, dëshmitë e ekspertëve të policisë mbi përdorimin e duhur të forcës në arrestime dhe ato të personelit mjekësor mbi mënyrën se si Floydi vdiq.

Një nga dëshmitarët e fundit të prokurorisë, Seth Stoughton, profesor i drejtësisë në Universitetin e Karolinës së Jugut, dëshmoi të hënën se veprimet e zotit Chauvin shkuan përtej kufijve të asaj që një oficer i arsyeshëm policie do të kishte ndërmarrë në arrestimin e Floydit.

“Asnjë oficer i arsyeshëm nuk do të kishte besuar se ky ishte një përdorim i duhur, i pranueshëm ose i arsyeshëm i forcës”, tha Stoughton për mënyrën se si Floydi u mbajt me fytyrë në tokë dhe me gjurin mbi qafë.

Ai tha se mos kthimi i Floydit në shpinë dhe mosdhënia e ndihmës së parë “pasi u bë e qartë gjendja e tij shqetësuese në rritje” nuk ishte i përshtatshëm për ato rrethana.

Stoughton tha se ishte e paarsyeshme të mendohej se George Floydi mund të lëndonte oficerët ose të arratisej pasi ishte prangosur dhe ishte shtrirë përtokë./VOA

 

Fraksion.com