“Reforma në Drejtësi ka trembur kundërshtarët”; Kim: Të pretendosh se është ndërtuar për korrupsion, çmenduri
Ambasadorja e SHBA, Yuri Kim deklaroi sot se investimi i Amerikës tek Reforma në Drejtësi, tek SPAK, do t’ia vlejë.
Në një intervistë televizive, ambasadorja Kim i cilësoi shumë të rëndësishme zgjedhjet e 25 prillit. “Pas 30 vitesh demokraci, jemi në një pikë kthese dhe mendoj se populli shqiptar ka mundësinë si në çdo zgjedhje për të vendosur në çfarë drejtimi do të shkojnë. Prandaj iu kam thënë votuesve se nuk ka rëndësi për kë votoni, por ka rëndësi që të votoni dhe vota juaj të jetë e mirëfilltë. Të ardhmen tuaj e vendosni ju”, u shpreh ajo.
Ajo u shpreh se gjatë takimeve që ka pasur me drejtues politikë në disa qarqe, ata i kanë thënë se zgjedhjet janë të rëndësishme për ta.
“Më thonë që po punojnë fort. Dhe pastaj më tregojnë për shqetësimet që kanë për palën tjetër dhe iu them se duhet të merren me veten në fillim dhe pastaj të lejojnë ekspertët të merren me të tjerët. Kam ndjesinë se njerëzit e morën seriozisht – me njerëzit kam parasysh partitë politike – morën në konsideratë këshillat që iu kemi dhënë për rëndësinë e kandidatëve të pastër dhe, sinqerisht, kriminelët më të dukshëm nuk janë përfshirë por, a ka emra shqetësues? Po, ka”, u shpreh Kim.
“Zëvendësndihmëssekretari Mathew Palmer ishte këtu virtualisht javën e kaluar dhe bëri të qartë që ka emra që përbëjnë shqetësim. Ata e dinë kush janë. Drejtuesit politikë e dinë kush janë. Ne i kemi shprehur mendimet. Në fund, ka një proces. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve duhet t’i shohë dhe tani kanë referuar 30 emra tek prokurorët për informacion shtesë dhe, në varësi të asaj që do të dalë në fund në fletën e votimit, votuesit do të kenë mundësinë këtë radhë sepse është listë e hapur, për të vendosur se kush duhet t’i përfaqësojë. Ju pyetët për emra. Shtetet e Bashkuara kanë qenë të qarta për 3 emra. Nuk e bëjmë lehtë këtë; merr vite të tëra kërkim; një pjesë e informacionit është në dispozicion dhe të gjithë e dinë; një pjesë e informacionit është e klasifikuar dhe nuk mund ta diskutoj, por mund të them që është shumë serioz dhe Sekretari i Shtetit nuk e vendos emrin e tij/saj lehtë në këto përcaktime që bën”, theksoi Kim.
Ambasadorja Kim u shpreh se “informacioni është gjerësisht në dispozicion”.
“Ajo që mungon është – të jem e ndershme – ajo që mungon është kurajo. Dhe mendoj se kemi pasur raste kur është treguar kurajo. Mendoj se duhet të shohim më shumë. Kam besim që investimi i Amerikës tek Reforma në Drejtësi, tek SPAK, do t’ia vlejë por ky është një moment i vështirë. Siç e them shpesh, reforma në drejtësi nuk është e shpejtë, e lehtë, apo e përsosur por po fillojmë të shohim rezultate. SPAK ka nxjerrë raportin e parë vjetor dhe deri tani kanë raportuar se kanë bërë 588 ndjekje penale, kanë konfiskuar pasuri me vlerë 70 milionë euro. Kanë hetuar 746 individë. Kanë dërguar shumë prej tyre në gjykatë dhe 114 janë dënuar deri më sot”, theksoi Kim.
Në lidhje me ligjin e dekriminalizimit, Kim tha se, “ka mjaft boshllëqe dhe mendoj se votuesit shqiptarë janë të mençur”.
“E dinë se kush bën çfarë. Kur kërkoni ndihmën e Shteteve të Bashkuara, ju kemi treguar qartë se kush nuk duhet të jetë në parlament, kush nuk duhet t’ju përfaqësojë. Ky person është dikush të cilit i ndalohet të hyjë në Shtetet e Bashkuara, në të gjithë vendin, nga Sekretari i Shtetit, për korrupsion madhor, ndaj mendoj që kjo ka më shumë peshë se çfarëdo fatura dyqanesh që paguan, çfarëdo fature spitali që ka paguar. Fakti që vjen në dasmën e vajzës tënde nuk do të thotë se është njeri i mirë. Dakord? Ndaj, mendoj se votuesit duhet ta mendojnë këtë. Duhet të vrasin mendjen, kur kriminelët dhe të tjerët vijnë tek ata për t’iu blerë votat… Pse i quaj kriminelë? Sepse përpjekja për të blerë vota është një krim ndaj jeni një kriminel. Nëse përpiqeni të bleni një vote, jeni një kriminel. Për votuesit, duhet të vendosin. Do ta shes pushtetin që kam? Do ta shes dinjitetin? Do ta shes të ardhmen e fëmijëve? Mendoj se përgjigja duhet të jetë: Jo. Nëse dikush s’ka bërë asgjë për ty përveç gjërave të tmerrshme, duke vjedhur nga publiku për 4 vjet apo sado gjatë dhe pastaj para zgjedhjeve vjen dhe paguan faturat e tua ose të jep një iPhone të përdorur, e dini, ju vleni më shumë se kaq. Shqipëria vlen më shumë se aq. Fëmijët e Shqipërisë vlejnë më shumë se aq prandaj ky është një çast i vërtetë. Mos e merrni lehtë; mos shisni votën; mos u përpiqni të bleni një vote dhe nëse e bleni, duhet të shkoni në burg dhe shpresoj se prokurorët kudo në vend do t’i marrin detyrat e tyre seriozisht. E di që ka shumë ankesa nga zgjedhjet e fundit, që njerëzit që qartësisht kryen krime nuk u ndoqën penalisht. Nuk mendoj se duhet të ndodhë edhe këtë herë. Kjo është një situatë ku mendoj se njerëzit kanë të drejtë të jenë të inatosur; kanë të drejtë të jenë të pakënaqur; dhe kanë të drejtë të kërkojnë drejtësi dhe të kërkojnë llogari”, theksoi Kim.
“Votuesit shqiptarë janë shpresa e parë më e mirë. Kjo është baza e çdo demokracie, votuesit. Ndaj mendoj që njerëzit i kanë bombarduar të besojnë se nuk kanë pushtet. Fakti që dikush përpiqet të blejë votën tënde duhet të tregojë se nuk jeni pa pushtet. Ky është pushteti juaj. Vota jote është pushteti yt. Shqiptarët që takoj kudo në vend më thonë se iu ka ardhur në majë të hundës nga korrupsioni; iu ka ardhur në majë të hundës nga pandëshkueshmëria; iu ka ardhur në majë të hundës nga kriminelët që ulen në parlament. Epo, ky është momenti. Ma tregoni me veprime, tregojeni me veprimet tuaja se e keni seriozisht. Nuk mund të ndodhë që më kërkoni opinionin tim si Shtetet e Bashkuara, unë jua jap dhe pastaj ju vazhdoni të bëni të njëjtën gjë. Nëse doni ndryshim, votoni për ndryshim. Nëse doni kriminelë, votoni për kriminelë. Por ajo që bëni duhet të përputhet me atë që thoni se doni. Dhe 25 prilli është momenti”, tha Kim.
Në lidhje me marrëveshjen e 5 qershorit, Kim tha se, “garancitë në çdo demokraci për një marrëveshje si kjo janë institucionet, por janë edhe përgjegjësi e udhëheqësve politikë, sidomos atyre që janë të zgjedhur por edhe atyre që dëshirojnë të zgjidhen. Nëse jepni fjalën se do të bëni këtë dhe atë, atëherë duhet ta bësh dhe sigurisht që këtë e garantojnë institucionet dhe, për shembull, në këtë rast, janë komisionerët e KQZ që do të kenë përgjegjësinë për t’u siguruar që marrëveshja do të zbatohet ndaj aty duhet të shohim. Megjithatë, në fund, garantët e vërtetë në çdo demokraci janë populli dhe, përsëris, vota juaj më 25 prill është pushteti juaj themelor”.
Në lidhje me reformën në drejtësi, Kim u shpreh se, “e them dhe e rithem, mos ia vini veshin propagandës”.
“Kërkesa për përsosmëri është propagandë, apo jo? Ia vini veshin fakteve. Çfarë është e ndryshme sot nga ku ishte vendi, nga ku ishte sistemi i drejtësisë një vit më parë, 2 vjet më parë, 3 vjet më parë dhe ndërton rrugën përpara bazuar në atë përparim. Më herët në program, ju përmenda numrin e ndjekjeve penale, sasinë e aseteve të sekuestruara, numrin e njerëzve që futen në burg. Ato shifra do të rriten ngadalë dhe po kështu do ndryshojë edhe lloji i individëve që do të japin llogari, pak nga pak. Edhe një herë, nuk është e shpejtë, e lehtë, apo e përsosur, por e sigurt që shohim përparim dhe mendoj njerëzve nuk duhet t’i shpëtojë nga sytë përparimi apo synimi fundor dhe duhet të vazhdojnë të kërkojnë më shumë. Mos hiqni dorë, nuk është momenti për të hequr dorë”, theksoi ajo.
E pyetur për ata që janë kundër reformës në drejtësi, Kim tha se, “mendoj që e shfaqin veten me fjalët dhe veprimet e tyre dhe mendoj që populli shqiptar është i mençur – janë të mençur – dhe ata e dallojnë se kush është pro dhe kush është kundër reformës në drejtësi”.
“Mendoj se jemi në atë pikën e majës këtu, ndaj përmenda se është mjaft sa për të trembur kundërshtarët por jo mjaft sa për të kënaqur ata që duan drejtësi të plotë. Nuk e di nëse mund ta identifikoj saktë”, u shpreh ambasadorja Kim.
“Kur them këtë, nuk do të thotë se reforma në drejtësi nuk duhet kritikuar aspak. Shpresoj të mos ketë keqkuptim këtu. Për çdo reformë madhore, është me rëndësi të shqyrtohet seriozisht përparimi që ndodh dhe të bëhen korrigjime rrugës. Të këmbëngulësh se diçka është e përsosur dhe nuk mund të preket nuk është pozicion fort i mirë, nuk është i arsyeshëm. Pra ka hapësirë për kritika; shpesh mendoj për mënyrat për ta përmirësuar reformën në drejtësi por mendoj se ka një dallim midis kësaj dhe të pretenduarit se reforma në drejtësi është e kundërta ose të pretendosh sikur s’ka ndodhur asgjë dhe të shpresosh se njerëzit do të humbin shpresën apo të pretendosh se reforma në drejtësi është ndërtuar për korrupsion. Sinqerisht, është çmenduri dhe mendoj shumica e njerëzve e kuptojnë këtë”, theksoi Kim.
“Mendoj se ka pasur disa ndjekje penale shumë të rëndësishme që janë shpallur nga SPAK. Filluan verën e shkuar dhe po i ndjekim këto me shumë kujdes dhe mendoj se kjo do të jetë një tregues i mirë se çfarë do të ndodhë në të ardhmen”, tha Kim.
Tashmë pas 5 vitesh nga Reforma në Drejtësi, Kim tha se, “shpresoj që 5 vjet nga tani do të jemi në gjendje të kthejmë sytë pas dhe të themi se ishte një fillim i mirë dhe shikoni sa shumë përparim kemi bërë”.
“Shpresoj se pasja në sistem e gjyqtarëve që marrin ryshfet do të bëhet tërësisht e papranueshme, jo vetëm moralisht, por edhe nga pikëpamja e ligjit. Shpresoj që do të ketë një brez të ri prokurorësh, gjyqtarësh, avokatësh dhe qytetarësh që këmbëngulin për një standard më të lartë për Shqipërinë. Kur njerëzit thonë se Shqipëria ka qenë gjithmonë e korruptuar, apo shqiptarët janë kështu e janë ashtu, mendoj se janë broçkulla dhe ka për qëllim të vrasë shpresën. Siç kam thënë, shpresa është një armë, është një mjet dhe jo diçka që do lejuar që të tjerët ta vrasin lehtë. Prandaj, shihni faktet, mendoni për të ardhmen tuaj, mendoni për fëmijët tuaj, shkoni në votime në 25 prill dhe votoni mbi atë bazë, nëse doni diçka me të shkuar që është turp t’ju përfaqësojë dhe që merr taksat tuaja si anëtar i parlamentit. Po të isha qytetare shqiptare, nuk do ta pranoja këtë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të nderuara që janë në gjendje të ndihmojmë miken tonë dhe do të jemi gjithmonë në krah, por tani është pjesa juaj, duhet të vendosni. Keni kërkuar mendimin tonë, e kemi dhënë. Shpresojmë që do të dëgjoni”, u shpreh Kim.
Ambasadorja Kim u shpreh edhe në lidhje me angazhimin e Shqipërisë për të zbatuar premtimin e Uellsit për të shpenzuar jo më pak se 2 % e PBB-së për mbrojtjen.
“Mendoj se Shqipëria po bën më të mirën për të qëndruar në drejtimin e duhur dhe duam ta mbajmë kështu, duam ta shohim Shqipërinë si çdo aleat tjetër, të bëjë më të mirën për të mbartur pjesën e saj të barrës dhe mendoj se pavarësisht sfidave nga situata me koronën, Shqipëria ka bërë punë të mirë”, tha ajo.
Fraksion.com