AktualitetTë fundit

Protesta kundër ndërtimit të HEC-it, 4 të arrestuar, mes tyre edhe organizatori

4 persona janë arrestuar për zhvillimin e protestës së paligjshme në afërsi të tunelit të Kalimashit, në fshatin Thirrë, të Mirditës ditën e djeshme duke bllokuar Rrugën e Kombit për rreth 20 minuta. Në pranga ka rënë organizatori i protestës së paligjshme, Besnik Paci, 48 vjeç, banues në Lezhë dhe  Etnik Berisha, 22 vjeç, Endrit Bytyqi, 21 vjeç dhe Çlirim Gerbeshi, 22 vjeç, banues në Kosovë.

Ata janë shoqëruar ditën e djeshme, ndërsa sot u vendos masa e arrestimit, ndërsa 30 protestues të tjerë po ndiqen në gjendje të lirë.

Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë protestuar në mënyrë të paligjshme në afërsi të tunelit të Kalimashit, në fshatin Thirrë, Mirditë, duke bllokuar lëvizjen e mjeteve në aksin Milot-Morinë, si dhe kanë kundërshtuar me dhunë punonjësit e Policisë, duke mos iu bindur urdhrit të tyre për të zhbllokuar qarkullimin e automjeteve.  Materialet në ngarkim të tyre do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme”, “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit” dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të Policisë së rendit publik”.

Banorët e fshatit Thirrë të Mirditës kanë zhvilluar disa prostata duke bllokuar dhe herë të tjera Rrugën e Kombit pasi kundërshtojnë ndërtimin një HEC-i dhe një fabrike uji në zonën e tyre. Ata shprehet se nuk janë dakord me ndërtimin pasi dëmtojnë mjedisin dhe shkatërrojnë burimet ujore të zonës, ndërsa hedhin akuza se firmat e tyre janë falsifikuar sikur ata kanë qenë dakord me ndërtimin e tyre.

Banorët shprehen se kompania private vijon me hedhjen e betonin dhe ndërtimin e HEC-it dhe fabrikës së ujit pavarësisht protestave.

Ata shprehen se i janë drejtuar edhe institucioneve përkatëse për të ndalur këtë gjë, por sipas banorëve si përgjigje kanë marrë vetëm heshtjen.

Dje ata bllokuan rrugën e Kombit për rreth 20 minuta duke mos lejuar qarkullimin e mjeteve në aksin Milot-Morinë, ndërsa janë përplasur edhe me policë, e cila kishte krijuar një kordon për të mos lejuar bllokimin e rrugës.

Në këtë protestë  janë bashkuar edhe aktivistë të lëvizjes Vetëvendosje në Kosovë, të cilët kërkonin anulimin e këtyre projekteve pasi dëmtohen burimet ujore.

 

Fraksion.com