“Jemi një biçikletë, kemi marrë kthesën e gabuar këto 8 vite”; Basha takon gratë profesioniste në fusha të ndryshme
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka zhvilluar një takim me gra profesioniste të fushave të ndryshme, ku bashkëbiseduan për çështje të ndryshme që shqetësojnë shoqërinë.
Gazetarja Fatma Haxhialiu, shprehu nevojën për të votuar më shumë se kurrë në zgjedhjet e 25 prillit, pasi sipas saj, modeli i një lideri arrogant dhe bullizues duhet të hiqet nga politika shqiptare. Një problem tjetër që ajo evidenton, është edhe mungesa e shtresës së mesme e cila është e rrudhur.
“Jam përfshirë në fushatë për shkak të arrogancës, gjuhës së fyerjes, modelit të liderit të shëmtuar që ne vazhdojmë ta kemi. Akoma sot duket sikur një njeri që është arrogant edhe që është bulëzues dhe që është fyes është një njeri që është i zoti për të udhëhequr. Ky është një model pastaj që transmetohet edhe në popull por sa e tmerrshme është ku kjo vjen nga lart poshtë.
Pra, kur kryetari, ai që simbolizon këtë vend, ka këtë gjuhë urrejtje dhe do ta përmend prapë Gridën tek fjalimi i shëmtuar i prezantimi të kandidatëve. Pra këtu punohet akoma për popull dhe për mendësi populisti të tipit që të bëjmë këtë batutën, të bëjmë “gangon”, ky stereotipi i çunit të fortë me lekë, ka pushtet. Problemi më i madh në shoqërinë shqiptare për mua është mungesa e shtresës së mesme që është ndrydhur është rrudhur, është bërë domethënë, nuk e di se sa e vogël është tashmë.” – u shpreh Fatma Haxhialiu.
Për pedagogen Belina Budini, rotacioni është i nevojshëm që në shoqëri të kthehet besimi tek vlerat e meritokracisë.
“Bëmë qëparë diskutimin për lidershipin, një lidership i hapur le të themi, ai që ndoshta frymëzon të tjerët për t’u bërë dhe për të shprehur nga vetja e tyre, gjithsecili prej nesh dhe krijon besimin që ne mund të bëhemi brenda një sistemi meritokracie. Dhe gjithsecili prej nesh ka nevojë që të ndiejë këtë lloj besimi, që ne të rikthejmë edhe njëherë besimin tek vlerat e meritokracisë. Unë jam vetë një produkt i këtij sistemi.
Dhe gradualisht po shohim që është krijuar një lloj kaste, një lloj klubi ekskluziv që edhe në botën akademike janë ata të privilegjuarit ata që kanë një mbështetje dhe tani bota jonë e vogël po shkon drejt atyre dhe të tjerët e kanë gjithmonë e më të vështirë të depërtojnë. Edhe terreni duhet të hapet dhe ka shumë rëndësi, pra, kjo pjesë që ne gjithkund ta shohim mundësinë që të prishë sistemin dhe të fillojë rotacioni mendoj.” – tha Belina Budini.
Kryetari Basha tha se prishja e ekuilibrave të shoqërisë, e ka zanafillën në 8 vite dështim dhe pa asnjë bilanc të një njeriu që politikën e përdor si një art mashtrimi.
“Në veçanti në kushtet kur barku është bosh, tavolina është bosh, dollapi është bosh, arka është bosh, xhepat janë bosh. Krizë e cila ka progresuar vit pas viti këto 8 vite. Në këto momente pastaj… se edhe romakët i thonin bukë dhe cirk por ishte buka e para. Ky tani ka thënë vetëm cirk, s’kam asgjë. Dhe kur nuk ke bilanc pastaj e ke më të vështirë të krijosh besueshmëri. Çfarë do të premtosh?
Ti s’ke bilanc për 8 vite dhe premton për 4 vitet e ardhshme. Politika mund të jetë art shërbimi ose art mashtrimi. Është art shërbimi kur unë përfill një racional, kur ruan raportet midis këtë që zoton të bëj, bilancin e kam bërë apo se kam bërë dhe gjykimi pastaj që bën votuesi me votë. Ky është thelbi i demokracisë. Ana e dytë për brezin tim, ne mbajmë mend patetizmin e regjimit dhe me gjithë varfërinë atë hipokrizinë, terrorin, kishte një hipokrizi me të cilën fillonte dhe mbaronte dita. Ashtu ishin edhe hipokritë më njëri-tjetrin sepse pasojat e mosqendrimit në linjën politike parti-shtet ishin shumë të rënda, ishte burgosja.” – u shpreh Basha.
Basha tha se beson tek racionalizmi si detyrim ndaj votuesit. Ai u shpreh se modeli që do të sjell në politik, është ai i individit të fortë si hapi i parë real drejt europianizimit, ndërsa hapi i dytë është anëtarësimi i plotë në Bashkimin Europian. Kryedemokrati tha se edhe pse përdoret truku për t’i shitur zgjedhjet si garë mes dy personave, në të vërtetë zgjedhjet janë për zgjidhjet e munguara për qytetarët.
“Unë besoj tek racionalizmi edhe si detyrim ndaj votuesit. Tani vijmë tek pikat kryesore, çfarë do të bëjmë se 25 prilli po vjen? Modeli i atij që ka qeverisur tetë vite, është modeli “Unë mbi gjithçka dhe pas meje kiameti”, ndërsa modeli që ne duam të sjellim, modeli që unë dua të sjell, është modeli i individit të fortë. Momenti që ne sjellim individin e fortë, momenti që ne shtrijmë sinorët e shtresës së mesme, rrisim pavarësinë e mendimit, duke nisur sigurisht nga popullsia e mesme dhe e pasur urbane, profesionistët pra, tek sipërmarrësit por edhe kudo tjetër, edhe te fermeri. Në këtë moment, besoj që kemi hedhur hapin e parë real drejt evropianizimit.
Pa arritur tek hapat formalë që do të çojnë drejt anëtarësimit të plotë në BE, që është garancia e fundit, për të mos iu kthyer më pastaj në sharlatanizma të tilla sepse me thënë të drejtën, kur u futëm në NATO, kur hoqëm vizat, sigurisht në 2013 humbëm pushtetin, nuk na pëlqeu por thamë nuk është tragjedi, është realitet i demokracisë por të na e merrte mendja që në 2021 të ktheheshim prapë te shqetësimi si në 1990, apo në ‘85, se mund të kthehemi prapë në diktaturë, se nuk kemi të garantuar lirinë e fjalës, se mund të kemi pasoja për ushtrimin e lirisë individuale, kjo është e paimagjinueshme! Truku më i suksesshëm i këtyre zgjedhjeve do të ishte që t’i bindë shqiptarët që zgjedhjet janë për mua ose për të. Në fakt zgjedhjet janë për ju. Zgjedhjet janë për zgjidhjet që meritoni ju. Domethënë rinisë i duhet thënë fare qartë: në qoftë se nuk voton, kështu siç është dhe më keq do bëhet.” – tha Basha.
Sa i përket politikave që do të ndjek me ardhjen në qeveri, Basha tha së gjëja e parë që do të bëjë, është të ulë taksat dhe t’u kthej shtetin qytetarëve. Sipas tij, qeverisje konservatore me dimension njerëzor, është normaliteti duke garantuar barazinë para ligjit, konkurrencën e drejtë dhe ata që nuk konkurrojnë dot, të mos vdesin për bukë. Ai gjithashtu tha se këto të treja janë plotësisht të mundshme, por 8 vitet e fundit kemi marrë kthesën e gabuar.
“Gjëja e parë do t’ju ulim taksat, gjëja e dytë do ty kthehet shteti qytetarëve dhe duhet bërë më e qartë nga ju. Tani, të ndjekësh një politikë të fuqizimit të ekonomisë që fuqizon pastaj edhe të ardhurat dhe mundësitë e shtetit për të ndërhyrë, të jep mundësinë që t’i mbështesësh dhe t’i marrësh me vete dhe ata që ngelen mbrapa, sepse thënë në mënyrë metaforike, ju mungon një këmbë apo të dyja këmbët. Qeverisje njerëzore, konservatore por me një dimension njerëzor, është normaliteti për mua. Ky është normaliteti për mua dhe e pasqyrojnë më së miri shoqëritë dhe qeverisjet Europiane. Mos kujtoni se jemi larg për ta arritur. Së pari, jetojmë në një vend të pasur falë Zotit, të vjedhur por të pasur.
Do të thotë që kemi potenciale të jashtëzakonshme zhvillimi. Ajo që na mungon në këtë vend është normaliteti dhe normalitet do të thotë të garantosh barazinë para ligjit, konkurrencën e drejtë dhe një dimension njerëzor që ata që nuk konkurrojnë dot të mos vdesin për bukë. Këto të treja janë plotësisht të mundshme. Avantazhi është se nuk jemi tren. Krahasuar me vendet e tjera, me Italinë, me Gjermaninë ne jemi një biçikletë. Kemi marrë kthesën e gabuar këto 8 vite dhe nuk do të jetë e vështirë ta fusim në rrugën e drejtë në qoftë se kemi udhërrëfimin e drejtë dhe vullnetin për ta futur në këtë rrugë.” –tha Basha.
Fraksion.com