“Ajo që nuk të vret të bën më të fortë”; “Zonja e hekurt” e kuvendit të ardhshëm, Mimi Kodheli flet për sfidat e saj
Është e 21-ta në listën e kandidatëve të PS për qarkun e Tiranës, por ajo beson se do tja dalë të jetë deputete e Kuvendit të Shqipërisë edhe për katër vitet e ardhshme, dhe për këtë po punon fort me zgjedhësit e saj.
Mimi Kodheli vazhdon të jetë e njëjta që kur u shfaq për herë të parë si nënkryetare e Bashkisë së Tiranës dhe angazhimi i saj në PS mori një rrugë tjetër me futjen në Kuvend e më pas me detyrën si Ministre e Mbrojtjes.
Ajo është zgjedhur në postin e Zëvendëspresidentes së Asamblesë Parlamentare të Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut, duke u bërë kështu e para shqiptare që zgjidhet në një pozicion të tillë të një organizate ndërkombëtare.
Kodheli është dalluar për mënyrën e të bërit politikë, si dhe për përgjegjësinë e lartë dhe maturinë që ka treguar në mbajtjen e detyrave që ka pasur, e sidomos në atë si Ministre e Mbrojtjes.
Dita ime nis njelloj në 20 vitet e fundit me një agjendë të mirëpërcaktuar dhe rrallë ka ndonjë ndryshim, tha Mimi Kodheli në një intervistë në emisionin “Rozë” në Premium Channel.
“Është e rëndësishme që çfarëdo që ti merr si vendim brenda vetes tende të mund ta vendosësh në zbatim përtej mjedisit ku e zhvillon” , tha Kodheli. Ajo ka treguar për eksperiencën e saj në politikë dhe fton gratë dhe vajzat të kenë ide të qarta për të qenë të suksesëshme në rrugën e tyre.
“I ftoj gratë dhe vajzat t’i kenë idetë e qarta dhe t’i marrin vendimet vetë, pasi është me e thjeshtë për t’i realizuar”, tha Kodheli.
Ndodh ndonjëherë që arma që ke në disfavor të të kthehet në favor nga mënyra se si e përdor këtë armë tha Kodheli.
Duke folur për postin që mban si Zëvendëspresidentes e Asamblesë Parlamentare të Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut, të dhënë nga NATO, Mimi Kodheli tha se “është në nderin tim dhe të çdo shqiptari” dhe se “mua nuk më përkëdhelet sedra që e mbaj këtë titull dhe më shtohen përgjegjësitë që mos zhgenjej askënd”, por Mimi Kodheli tha se sfida më e madhe ka qënë kur u bë nënkryetare e Bashkisë të Tiranës.
“Kjo është detyra më e rëndësishme që kam marrë por puna më sdiduese ka qënë kur isha nënkryetare e Bashkisë të Tiranës”, tha ajo.
Duke u konsideruar si një grua e hekurt në politikë ajo tha se “të rezistuarit në politikë kërkon një investim të madh” dhe se “personalisht me ka kushtuar shumë të jem pjesë e politikës” dhe nëse do t’i duhej ta niste nga epara ajo tha se do ta ribënte përsëri sepse “ajo që nuk të vret të bën më të fortë”, tha Kodheli.
“Kur je në politikë je pjesë e gjykimve dhe paragjykimeve, por ajo që nuk të vret të bën më të fortë. Të rezistuarit në politikë kërkon një investim të madh, po i dogje etapat hyn dhe del po i more ngarkesat me vite reziston më gjatë”, tha Kodheli.
Kodheli është një nga politikanet shqiptare me arsim të pasur, është diplomuar në Universitetin e Tiranës, Fakulteti Ekonomik, Dega Financë në vitin 1986. Në vitin 2000 është diplomuar nga Universiteti i Lincoln, Nebraska, SHBA në bashkëpunim me Universitetin e Tiranës në Master në Administrim Biznesi si dhe në vitin 2014 ka marr titullin shkencor Doktor i Shkencave Ekonomike nga Universiteti i Veronës, Itali, në bashkëpunim me Universitetin e Tiranës, Fakulteti Ekonomik.
Ka punuar si pedagoge pranë disa universiteteve shqiptare si Universiteti Evropian i Tiranës, Luarasi, dhe Marlin Barleti nga viti 2007 deri 2010.
Pasioni, dashuria dhe njohuritë e saj për artin dhe kulturën të kombinuar me punën e saj të palodhur ishin një vlerë e shtuar në kontributin e saj për transformimin e kryeqytetit të vendit, në detyrën që mbante si nënkryetare e Bashkisë së Tiranës.
Në vitin 2005, u emërua prefekte e Qarkut të Tiranës dhe në vitin 2009 u zgjodh deputete e Kuvendit të Shqipërisë duke mbajtur pozicionin e nënkryetares së Komisionit të Ekonomisë dhe Financës përgjatë gjithë legjislaturës. Në 2013 u zgjodh deputete e Kuvendit të Shqipërisë dhe me ardhjen e PS në pushtet, ajo u bë Ministre e Mbrojtjes, detyrë që mbajti deri në 2017.
Kreu i PS-së, Edi Rama e vendosi atë të 21 në listën e qarkut të Tiranës për zgjedhjet e 25 prillit, angazhim të cilin jo vetëm e ka marrë, por ka shprehur bindjen se do të arrijë të zgjidhet deputete e Kuvendit të Shqipërisë, duke marrë vota nominale.
Ajo ka marrë pjesë në një program të Departamentit Amerikan të Shtetit të titulluar “Gratë në Politikë” si dhe atë të titulluar “Politikat e Sigurisë Kombëtare” – Qendra Europiane e Sigurisë, Marshall.
Fraksion.com