Presidenti Biden: Dhuna nga armët një epidemi që duhet të ndalet
Presidenti Joe Biden dhe Prokurori i Përgjithshëm Merrick Garland njoftuan të enjten masa të kufizuara për të trajtuar problemin e dhunës së shkaktuar nga armët në Shtetet e Bashkuara, në atë që Shtëpia e Bardhë e përshkroi si hapin e parë për të frenuar dhunën në masë, gjakderdhjen në komunitet si dhe vetëvrasjet.
Masat e reja përfshijnë planet që Departamenti i Drejtësisë të godasë të ashtuajturat “armët fantazmë”, armë të improvizuara, të cilave u janë hequr numrat serialë dhe e bëjnë të vështirë për forcat e rendit të identifikojnë autorët e krimeve. Po kështu po kërkohet edhe regjistrimi i pajisjeve në formë proteze, që u shtohen armëve tek pjesa e qytës, për të bërë të mundur mbajtjen e tyre dhe qitjen me një dorë.
Presidenti Biden tha se ai do t’i kërkojë gjithashtu Byrosë së Alkoolit, Duhanit, Armëve të Zjarrit dhe Eksplozivëve që të hartojë një raport vjetor mbi trafikun e armëve të zjarrit në Shtetet e Bashkuara dhe ta bëjë më të lehtë për shtetet që të miratojnë ligje për të sinjalizuar mbi individët që paraqesin rrezik, e që posedojnë gjithashtu armë.
“Sot ne jemi duke ndërmarrë hapa për t’u përballuar jo vetëm me krizën e armëve, por atë që në fakt është një krizë e shëndetit publik“, tha zoti Biden, duke folur në Kopshtin e Trëndafilave në Shtëpinë e Bardhë përpara një audiencë të mbushur me anëtarë të familjeve të viktimave të dhunës me armë.
Presidenti Biden, i cili ka një histori të gjatë të mbështetjes së masave që kufizojnë armëmbatjen, ka qenë nën presion për të rritur veprimet pas incidenteve të fundit me armë zjarri në Kolorado dhe Xhorxhia.
Zoti Biden i njoftoi masat së bashku me Nënpresidenten Kamala Harris dhe Prokurorin e Përgjithshëm Garland, i cili siç tha Presidenti Biden, do t’i jepte përparësi çështjes së dhunës me armë, në cilësinë e kreut të Departamentit të Drejtësisë.
“Ne kemi pasur më shumë tragjedi sesa mund të durojmë“, tha Nënpresidentja Harris. “Njerëzit nga të dyja krahët (demokratë e republikanë) duan veprime. Njerëzit e vërtetë, në të dy krahët duan veprime. Pra ajo që mbetet është vetëm vullneti dhe guximi për të vepruar“, tha ajo.
Masat e bëra publike nga Presidenti Biden nuk përmbushin të gjitha premtimet e bëra nga ana e tij në fushatë dhe nuk janë masa legjislative. Shtëpia e Bardhë thotë se presidenti do të vazhdojë të kërkojë nga Kongresi që të ndërmarrë hapa më agresivë.
Kontrolli i armëve është një çështje që ka shkaktuar përçarje në Shtetet e Bashkuara. Prej dekadash vendi ka përjetuar një numër të konsiderueshëm incidentesh të vrasjeve në masë me armë në shkolla dhe vende të tjera publike.
Amendamenti i dytë i Kushtetutës amerikane mbron të drejtën për të mbajtur armë./voa
Fraksion.com