Zëri i Amerikës: Rrinisin fluturimet në aeroportin “Nënë Tereza”, ndalohen 3 kontrollorë ajrorë
Në Shqipëri, një ditë pas protestës së kontrollorëve ajrorë, që çoi në bllokimin e aeroportit të vetëm ndërkombëtar të vendit, sot rinisën fluturimet e emergjencës, ndërsa nesër, sipas deklaratave të ministres së Infrastrukturës Belinda Balluku, do të rifillojnë dhe linjat e tjera ajrore. Mësohet se autoritetet kanë arritur të marrin një grup specialistësh nga Turqia për të siguruar vijimin e aktivitetit, ndërkohë që janë në kontakte me kontrollorët shqiptarë, për rikthimin e tyre në detyrë. Një hetim i nisur nga Prokuroria çoi sot në ndalimin e tre kontrollorëve të cilët dyshohet të kenë organizuar protestën
Një avion i kompanisë Air Albania, me një ngarkesë vaksinash, u ul sot pasdite në pistën e aeroportit Nënë Tereza, pas njoftimit të autoriteteve se kishin siguruar shërbimin e organizmit të trafikut ajror, të paktën për fluturimet emergjente. Ndërsa siç bëri të ditur ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku, nga nesër “që nga orët e para të mëngjesit dhe gjatë gjithë ditës, do të filojmë të kemi operime normale në aeroportin e Rinasit, për të gjithë udhëtarët e fluturimeve tregtare. Pra të gjitha kompanitë që janë të skeduluara dhe të gjitha kompanitë charter që operojnë në Republikën e Shqipërisë”.
Ministrja nuk bëri të ditur se si do të bëhej e mundur një gjë e tillë, në kushtet e mungesës së kontrollorëve. Por mësohet se një grup specialistësh turq do të zëvendësojnë kolegët e tyre shqiptarë, të cilët dje nisën një protest të paprecedentë për shkak të një vendimi të shoqërisë Albcontroll të prilllit të vitit të kaluar për thuajse përgjysmimin e të ardhurave të tyre mujore, si pasojë e rënies së fluksit të fluturimeve në situatën e pandemisë.
Fillimisht ishte një grup i vogël kontrollorësh që deklaroi paaftësinë për të punuar për shkak të stresit financiar. Por nisja e procedurave të shkarkimit nga puna për ta, u bë shkak, që me të njejtin arsyetim, atyre t’u bashkoheshin dhe kontrollorë të tjerë.
Autoritetet folën dje për një grevë të paligjshme, me një prapavijë politike në prag të zgjedhjeve të 25 prillit dhe reaguan gjithashtu me gjuhën e forcës. Policia ushtarake mori nën ruajtje kullën e trafikut ajror, ndërsa kontrollorëve që nuk kryenin detyrën ju kërkua të largoheshin nga mjediset e punës.
Albcontrol ngriti padi dje pasdite ndaj disa prej kontrollorëve, të konsideruar si “organizatorë të kësaj proteste”. Prokuroria e Tiranës nisi që mbrëmë veprimet e para, dhe në polici u shoqëruan të paktën 24 kontrollorë. Ndërsa 21 prej tyre u lanë të lirë gjatë ditës së sotme, për tre të tjerë është nxjerrë një urdhër ndalimi nën akuzën e “shpërdorimit të detyrës” në bashkëpunim. Menjëherë më pas avokati i tyre Rezart Kthupi, tha se “kjo akuzë nuk mund të ngrihet ndaj një punonjësi të një shoqërie anonime. Gjykoj se kjo mund të ngrihet vetëm ndaj një punonjësi që ushtron një funksion në një institucion shtetëror për shpërdorim detyre shtetërore. Nuk e di se me çfarë arsyeje prokuroria gjen këtë si vepër penale për të ngritur akuzën”.
Sipas procesverbalit të ndalimit, ku citohen dhe komunikime telefonike, të tre kanë “ndikuar te vartësitë e tyre, për të plotësuar formularin e paaftësisë së përkohshme për punë me qëllim shmangien nga detyrimi ligjor për të ushtruar detyrën”.
Për ndalimin e tyre pritet të shprehet gjykata, ndërkohë që Albcontrol mësohet se po vijon kontaktet me pjesën tjetër të kontrollorëve për rikthimin e tyre në punë.
Fraksion.com