AktualitetBota+Të fundit

Rekord numri i fëmijëve të pashoqëruar në kufirin SHBA-Meksikë

Qeveria amerikane mblodhi gati 19 mijë fëmijë që udhëtonin të pashoqëruar përgjatë kufirit meksikan në muajin mars, njoftuan autoritetet të enjten. Ky është numri më i madh mujor i regjistruar ndonjëherë dhe përbën një test madhor për Presidentin Joe Biden ndërsa ai po zhbën shumë prej taktikave të ashpra për emigracionin të paraardhësit të tij.

Rritja u nxit nga një shumëllojshmëri komplekse faktorësh në Shtetet e Bashkuara dhe Amerikën Qendrore. Koinçidoi me vendimin e administratës Biden për të përjashtuar fëmijët e pashoqëruar nga fuqitë e dhëna për shkak të pandemisë, për dëbimin e menjëhershëm të shumicës së njerëzve nga vendi, pa u dhënë mundësinë të kërkojnë azil. Fëmijët tashmë u jepen “sponsorëve” në Shtetet e Bashkuara, zakonisht prindër ose të afërm, dhe u lejohet të ndjekin çështjen e tyre në gjykatat e mbingarkuara të emigracionit.

Patrulla Kufitare hasi në 18663 fëmijë të pashoqëruar gjatë muajit mars, shumë më tepër se rekordet e mëparshme prej 11475 në maj 2019 dhe 10600 në qershor 2014. Agjensia filloi publikimin e shifrave në vitin 2009. Përpara kësaj periudhe, shumica e atyre që kalonin kufirin ishin në moshë madhore.

Shifrat e marsit janë gati dyfishi i shifrave të fëmijëve të pashoqëruar të pikasur nga Patrulla Kufitare në muajin shkurt, dhe mbi pesë herë më shumë se numri i marsit 2020.

Rritja e jashtëzakonshme e fëmijëve që udhëtojnë të pashoqëruar – disa edhe në moshën 3-vjeçare – si dhe e familjeve, ka ngarkuar së tepërmi objektet e mbajtjes në kufi, të cilave nuk u lejohet të mbajnë njerëzit për më shumë se tre ditë, megjithëse shpesh veprohet kështu. Kjo ka krijuar vështirësi për qeverinë e cila po përpiqet të sigurojë hapësira dhe të punësojë staf për t’u kujdesur për fëmijët në periudhën afatgjatë, derisa të vendosen me sponsorët e tyre.

Një uragan që goditi Amerikën Qendrore në nëntor e shtoi urgjencën e varfërisë dhe dhunës endemike që kanë detyruar njerëzit të largohen prej dekadash. Ndryshimet në politikën amerikane nën Presidentin Biden gjithashtu kanë udhëhequr vendimet e tyre, qofshin reale apo të përfolura.

Hermelindo Ak, kultivues misri në Guatemalë, i cili mezi fiton sa për të ushqyer familjen e tij, u dëbua drejt Meksikës nga Rio Grande Valley i Teksasit, me djalin e tij 17-vjeçar. Zoti Ak vendosi ta dërgojë djalin e tij të pashoqëruar për një përpjekje të dytë, pasi mësoi se fëmijët e pashoqëruar mund të qëndronin në Shtetet e Bashkuara. 40-vjeçari tha se do të kthehej te familja në Guatemalë pasi të shiste shtëpinë e tij për të paguar kontrabandistët. Plani ishte që djali i tij i madh të jetonte me të afërmit në Shtetet e Bashkuara.

“Nuk doja ta lija vetëm”, tha zoti Ak javën e kaluar në qytetin kufitar meksikan të Reynosa. “Nevoja na detyron”.

Mes numrave në rritje, më shumë se 4000 njerëz në një institucion mbajtjeje të Doganave dhe Mbrojtjes së Kufirit (CPB) janë bllokuar në një hapësirë të projektuar për 250 veta në një kompleks tendash në Donna, të shtetit Teksas. Ata shtrihen disa centimetra larg njëri-tjetrit në dyshekët në dysheme të mbuluar me fletë metalike që shërbejnë si batanije.

CBP-ja duhet të transferojë fëmijë të pashoqëruar brenda 72 orëve në Departamentin e Shëndetësisë dhe Shërbimeve Njerëzore (HHS), objektet e të cilëve janë më të përshtatshme për kujdesin afatgjatë, ndërsa zhvillohen procedurat për t’i liruar ata. Më shumë se 2000 fëmijë u mbajtën një ditë më gjatë se ç’duhet në objektin në Donna javën e kaluar, ndërsa 39 prej tyre ndodhen aty prej të paktën 15 ditësh.

HHS hapi qendrën e saj të parë të përkohshme të mbajtjes në Carrizo Springs, të shtetit Teksas, më 22 shkurt dhe që atëherë ka arritur një seri marrëveshjesh për të zënë zona të mëdha afër kufirit, duke përfshirë qendrat e kongreseve në Dallas dhe San Diego, një stadium në San Antonio dhe bazën ushtarake Fort Bliss në El Paso, Teksas. Departamenti gjithashtu ka paguar për fluturimet për fëmijët dhe sponsorët për të kufizuar kohën në paraburgim të qeverisë.

Në përgjithësi, Patrulla Kufitare kishte hasur në 168195 emigrantë në kufirin jugor në mars, muaji më i ngarkuar ky që nga marsi 2001, kur u ndaluan 170580 veta. Shifrat nuk janë plotësisht të krahasueshme, sepse më shumë se gjysma e rasteve të muajit të kaluar rezultuan në dëbime bazuar në autoritetin e lidhur me pandeminë, të vendosur nga ish-Presidenti Donald Trump dhe të mbajtur në fuqi nga Presidenti Biden.

Njerëzit që dëbohen ka shumë të ngjarë ta provojnë përsëri pasi nuk përballen me pasoja ligjore.

Ndryshe nga dëbimet, personat e arrestuar sipas ligjeve të emigracionit mund të përballen me burgim, ndjekje penale për vepra të përsëritura dhe ndalime të hyrjes legalisht në vend përmes martesës ose mjeteve të tjera. Zyrtarët e administratës së Presidentit Biden thanë se 28% e të dëbuarve në mars ishin njerëz që ishin dëbuar më parë, krahasuar me një normë prej 7% për periudhën 12-mujore që përfundoi në shtator 2019.

Patrulla Kufitare hasi në 52904 njerëz që mbërrinin si familje, me vetëm rreth një në tre prej të cilëve u dëbuan dhe pjesa tjetër u lejua të qëndronin në Shtetet e Bashkuara për të ndjekur procesin e aplikimit për azil.

Refuzimi i Meksikës për të pranuar familje të Amerikës Qendrore me deri në 6 fëmijë, për shkak të një ligji të ri kundër ndalimit të familjeve emigrante, ka kufizuar efektivitetin e dëbimeve, thanë zyrtarët e administratës. Meksika veçanërisht heziton të pranojë familje me fëmijë të vegjël në shtetin Tamaulipas në kufi me Luginën e Lumit Rio Grande, korridori më i ngarkuar për kalimet e paligjshme.

Qindra emigrantë shkojnë në stacionet e autobuzëve në qytetet kufitare të Teksasit, si McAllen dhe Brownsville, gjatë rrugës për në destinacionet e tyre përfundimtare në Shtetet e Bashkuara, sipas Ligjvënësit Henry Cuellar, pa njoftime për t’u paraqitur në gjykatë, por me udhëzime që të raportojnë në një zyrë të Emigracionit dhe Doganave brenda 60 ditësh.

Numrat u rritën ndjeshëm gjatë vitit të fundit të ish-Presidentit Trump në detyrë, por u përshpejtuan më tej nën Presidentin Biden, i cili u dha fund me shpejtësi shumë prej politikave të paraardhësit të tij, duke përfshirë atë që i detyroi azilkërkuesit të presin në Meksikë për seancat gjyqësore në Shtetet e Bashkuara.

Meksikanët përfaqësojnë përqindjen më të madhe të njerëzve të hasur nga Patrulla Kufitare amerikane dhe gati të gjithë ishin të rritur beqarë. Prurjet e njerëzve nga Hondurasi dhe Guatemala ishin përkatësisht të dytat dhe të tretat, dhe më shumë se gjysma e njerëzve nga ato vende ishin familje ose fëmijë që udhëtonin vetëm./voa

 

Fraksion.com