AktualitetBota+Të fundit

EMA rekomandon vaksinimin me Astrazeneca për të gjitha moshat

Agjencia Evropiane e Medikamenteve  sheh lidhje të mundshme mes vaksinës së AstraZenecas dhe trombozave, por rekomandon vaksinimin. Britania e Madhe vetë e kufizon vaksinën. Ndërsa pacientët e shëruar nga Covid-19 kanë pasoja specifike.

Agjencia Evropiane e Medikamenteve (EMA) sheh një lidhje të mundshme midis vaksinës së Astrazenecas kundër Covid-19 dhe trombozave shumë të rralla tek njerëzit e vaksinuar. Megjithatë, ajo rekomandon vaksinime të mëtejshme me vaksinën për të gjitha grupmoshat.

Këtë EMA e njoftoi të mërkurën (07.04.). Pavarësisht nga rastet shumë të rralla të trombozës së trurit, Agjencia e Medikamenteve të BE, EMA rekomandon pa rezerva përdorimin e vaksinës së Astrazenecas kundër Coronas. Dobia e preparatit duhet të vlerësohet më lart se rreziqet, shpjegoi EMA në Amsterdam. Megjithatë, në raportin për efektet anësore këtej e tutje duhet të përfshihet shënimi për një lidhje të mundshme me trombozën e rrallë të venës cerebrale.

Po sot, sipas agjencisë gjermane të lajmeve, dpa, në Britaninë e Madhe autoritetet rregullatore e kufizuan përdorimin e vaksinës së AstraZenecas për personat mbi 30 vjeç, pasi u raportuan disa raste të rralla të mpiksjes së gjakut. Paneli britanik për vaksinat rekomandon alternativa ndaj AstraZenecas për personat më të rinj se 30 vjeç.

Pacientët e Covid-19 vuajnë edhe pas shërimit nga pasoja specifike

Pacientët e sëmurë me Covid-19 vuajnë pas shërimit më dendur nga probleme psikologjike ose neurologjike, sesa njerëzit me sëmundje të tjera të frymëmarrjes. Nga kjo janë të prekur më shumë se një e treta e pacientëve të sëmurë me Corona, sipas rezultateve të një studimi të Universitetit të Oksfordit në Britaninë e Madhe. Krahasuar me infektimet e tjera të rrugëve të frymëmarrjes, rreziku te këta pacientë ishte 16 përqind më i lartë.

Shkencëtarët vlerësuan të dhënat e më shumë se 230.000 pacientëve të shëruar nga Covid-19 gjashtë muaj pas sëmundjes së tyre. Diagnozat më të zakonshme ishin çrregullimet e ankthit dhe humorit. Hemorragjitë cerebrale dhe goditjet në tru ishin më pak të zakonshme. Rreziku individual i sëmundjeve të tilla pas Covid-19 vërtet është i ulët, shpjegoi autori kryesor i studimit. Por në lidhje me të gjithë popullsinë e botës, megjithatë, shifrat janë “domethënëse”./dw

 

Fraksion.com