Krizë në Mal të Zi për shkak të mohimit të gjenocidit në Srebrenicë
Katër muaj pas zgjedhjeve, Qeveria e kryeministrit të Malit të Zi, Zdravko Krivokapiq, përballet me sfidën më të madhe në raport me shumicën: kërkesën për të shkarkuar ministrin e Drejtësisë, Vlladimir Leposaviq.
Krivokapiq njoftoi më 5 prill se ka kërkuar largimin e Leposaviqit për shkak të qëndrimit të tij ndaj gjenocidit në Srebrenicë.
Më 26 mars, Leposaviq deklaroi para Parlamentit të Malit të Zi se është i gatshëm të pranojë se në Srebrenicë ka pasur gjenocid “kur një gjë e tillë të vërtetohet pa dyshime”.
Me këtë deklaratë, ai sfidoi edhe legjitimitetin e Gjykatës së Hagës për ish-Jugosllavinë, e cila ka konstatuar se në Srebrenicë ka ndodhur gjenocid.
Leposaviq u zgjodh ministër i Drejtësisë më 4 dhjetor të vitit të kaluar, së bashku me 11 ministra të tjerë të Qeverisë së Krivokapiqit.
Qeveria, që rrëzoi Partinë Demokratike të Socialistëve pas 30 vjetësh në pushtet, u votua nga një shumicë prej 41 deputetësh, të udhëhequr nga Fronti Demokratik pro-serb, Demokratët dhe lëvizja qytetare URA.
Fronti Demokratik dhe Demokratët thanë këtë javë se nuk do ta mbështesin shkarkimin e ministrit për shkak të deklaratave të tij në lidhje me Srebrenicën.
Deri më tani, provimi më i vështirë për Qeverinë e Krivokapiqit
Qeveria ka rënë në krizën më serioze deri më tani, për shkak të gjenocidit në Srebrenicë – një ngjarje kjo që ka ndodhur 26 vjet më parë – thotë për Radion Evropa e Lirë Daliborka Ulareviq, drejtoreshë e Qendrës për Edukimin Qytetar (CGO).
“Deri më tani, ky është treguesi më i fortë i keqkuptimeve elementare midis kryeministrit dhe përfaqësuesve të koalicionit qeverisës, si dhe i dallimeve të ndërsjella për një numër çështjesh. Është po ashtu një tregues se kjo qeveri nuk është aq eksperte dhe nuk ndjek agjendën evropiane”, thotë Ulareviq.
Si shembull, ajo përmend pikërisht Leposaviqin dhe pikëpamjet e tij mbi Srebrenicën.
“Leposaviq nuk tregoi ndonjë ekspertizë të dukshme gjatë mandatit të tij të deritashëm dhe nuk promovoi sistemin e vlerave dhe standardeve në fushën e të drejtave të njeriut, që janë trashëguar nga anëtarët më progresivë të Bashkimit Evropian”, thotë Ulareviq.
Avokati dhe ish-ministri i Drejtësisë në Mal të Zi, Dragan Shoq, thotë se nuk ka asnjë rezultat nga shkarkimi i Leposaviqit – nëse fare ndodh – i cili do të ishte i favorshëm për kryeministrin dhe Qeverinë e tij.
“Është e qartë se kryeministri nuk e ka përkrahjen e grupit që mbështet Qeverinë për largimin e Leposaviqit. Në anën tjetër, nëse e tërheq atë propozim, kjo do ta minonte legjitimitetin e tij si kryeministër”.
“Cilido opsion nuk është i mirë dhe kjo nuk është aspak një situatë e këndshme politike për Qeverinë”, thotë Shoq.
Devijimi nga rruga evropiane, zgjedhje të reja apo vazhdim i trazirave?
Në përgjigje të deklaratës së Leposaviqit për Srebrenicën, Bashkimi Evropian tha më 29 mars se hedh poshtë dhe dënon çdo mohim, relativizim ose keqinterpretim të gjenocidit në Srebrenicë.
Për të njëjtin rast, Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Podgoricë shprehu shqetësimin e saj dhe shpresën se “Qeveria e Malit të Zi do ta dënojë pa mëdyshje masakrën dhe do ta quajë atë ashtu siç ka qenë – gjenocid”.
Meqenëse Fronti Demokratik dhe Demokratët, si dy grupet më të mëdha në pushtet, kanë thënë tashmë se nuk do të votojnë për largimin e Leposaviqit, pyetja është se cili mund të jetë epilogu i konfliktit midis kryeministrit dhe partive që e kanë zgjedhur shef të Qeverisë?! Më 5 Mars, kryeministri Krivokapiq nuk kishte asnjë dilemë:
“Pohoj, bazuar në informacionin që kam, se kjo është një përpjekje për ta përmbysur Qeverinë nga brenda. Për këtë punojnë përfaqësues të shumtë të partive të caktuara në pushtet dhe të Partisë Demokratike të Socialistëve”.
Përkundër situatës së krijuar, Daliborka Ulareviq thotë se nuk pret ndryshim në “kursin evropian” të Qeverisë malazeze.
“Nuk pres ndonjë ndryshim, sepse kemi kohë që luhatemi në atë rrugë… Kjo Qeveri e re nuk ka bërë asgjë për t’i çuar gjërat përpara, kryesisht për shkak të injorancës thelbësore të procesit të integrimit”, thotë Ulareviq.
Ajo gjithashtu nuk beson se zgjedhjet e reja do të ishin një epilog real i krizës aktuale të Qeverisë.
“Unë nuk besoj se ky konflikt mund të shkaktojë menjëherë zgjedhje të parakohshme parlamentare. Unë mendoj se kjo përmbysje e dhimbshme e aktorëve politikë do të intensifikohet, gjë që nuk do të jetë në favor të interesit publik dhe temave që tani kanë përparësi: shëndetësia, ekonomia, sundimi i ligjit”, thotë Ulareviq.
Kur do të votohet për shkarkimin e Leposaviqit?
Krivokapiq paralajmëroi se do t’ia dërgojë Kuvendit të Malit të Zi kërkesën për shkarkimin e Leposaviqit, por nuk ka asnjë afat ligjor, brenda të cilit kjo pikë duhet të jetë në rendin e ditës.
Dragan Shoq thotë për Radion Evropa e Lirë se kryetari i Parlamentit vendos se kur kjo pikë do të jetë në rend të ditës.
“Për mua është logjike që kjo të trajtohet me prioritet, sepse bëhet fjalë për Qeverinë, por nuk ekziston afat”, thotë ai.
Nëse ministri Leposaviq hiqet dhe Parlamenti nuk e mbështet zgjedhjen e një kandidati të ri, Shoq thotë se në atë rast, pozita e lirë do të mbushej nga njëri prej ministrave ose kryeministri.
Fronti Demokratik dhe Demokratët thanë se nuk do ta mbështesin shkarkimin e ministrit, çfarë do të thotë se 37 deputetë të shumicës aktuale parlamentare janë kundër.
Si justifikim, Fronti Demokratik tha se pikëpamjet e Leposaviqit ndahen nga të gjithë serbët në Mal të Zi.
“Derisa të ketë deputetë të Frontit Demokratik, Leposaviq nuk do të shkarkohet për shkak të qëndrimeve që ndan secili serb në Mal të Zi”, tha Sllaven Radunoviq nga ky subjekt politik.
Për Demokratët, votimi për heqjen e Leposaviqit është problem, “përveç nëse është marrëveshje e shumicës parlamentare”. Dhe, është e qartë që marrëveshja nuk ekziston, për shkak të kundërshtimit të Frontit Demokratik.
Vetëm URA, me katër deputetë, mendon se ata që “nuk e kuptojnë se në Srebrenicë ka ndodhur gjenocid, nuk kanë vend në funksionet e shtetit”.
Nga 40 deputetët e opozitës, për largimin e Leposaviqit tashmë janë deklaruar: Partia Social-Demokrate, Social-Demokratët, Boshnjakët dhe Partia Liberale – gjithsej 9 deputetë.
Një qëndrim i tillë pritet edhe nga 29 deputetët e Partisë Demokratike të Socialistëve, që kanë kërkuar largimin e Leposaviqit, si dhe nga dy përfaqësuesit e partive shqiptare.
Aritmetika parlamentare tregon se opsioni i vetëm për shkarkimin mund të jenë votat e opozitës, së bashku me votat e partisë në pushtet – URA.
Vetë Leposaviq nuk është deklaruar në lidhje me kërkesën për shkarkimin e tij.
Krivokapiq tha se Leposaviq do të qëndrojë në pozitën e ministrit deri në zgjedhjen e një të riu, sepse “dëshiron ta vazhdojë kryerjen e këtij funksioni”.
“Kjo është e drejta e tij derisa të shkarkohet”, tha Krivokapiq.
“Kosova është zemra e Serbisë”
Qindra qytetarë në Podgoricë, Nikshiq, Tivar, Berane dhe qytete të tjera të Malit të Zi protestuan pas vendimit të kryeministrit për të iniciuar shkarkimin e Leposaviqit.
Të mbledhur para ndërtesës së Qeverisë në Podgoricë, ata brohorisnin: “Kosova është zemra e Serbisë”, “Tradhti, tradhti”, “Ne nuk do t’i japim të shenjtët”, “Ju na tradhtuat”.
Ata mohuan gjenocidin në Srebrenicë me pankartën: “Për shkak të Srebrenicës, një serb po hiqet nga zyra, mos harroni se nuk kishte gjenocid”.
Të tubuarit gjithashtu fyen kryetarin e Kuvendit malazez, Alleksa Beçiq, duke thënë se ai ka bërë tradhti, pasi i ka uruar Glauk Konjufcës zgjedhjen në krye të Kuvendit të Kosovës dhe ka thënë se Prishtina mund të llogarisë në ndihmën e Podgoricës.
Urimi u publikua në ueb-faqen e Parlamentit të Kosovës më 2 prill, ndërsa te publiku malazez arriti përmes mediave serbe, të cilat e vlerësuan si “tradhti” dhe “turp”./REL
Fraksion.com