Intervista e plotë me gazetarët; Palmer zbardh diskutimin me Metën, Ramën dhe Bashën: Do ketë goxha luftë politike! Zgjedhjet të jenë të drejta
Zv. Ndihmës Sekretari i Shtetit të SHBA Matthew Palmer zhvilloi dje një takim virtual me Presidentin Ilir Meta, Kryeministrin Edi Rama dhe Kryetarin e PD-së Lulzim Bashës, ku u diskutua mbi stërvitjet Defender 21 që po vijnë dhe vlerën që shohim në thellimin dhe rritjen e marrëdhënies së mbrojtjes dhe sigurisë me Shqipërinë si një partnere në NATO, një aleate në NATO.
Palmer theksoi rëndësinë për zgjedhjet e 25 prillit, ku sipas tij krerët kryesor të shtetit mbartin përgjegjësinë për t’u siguruar që zgjedhjet e ardhshme të jenë të lira dhe të ndershme, me rregulla që janë të paanshme, transparente dhe në kohë.
Po ashtu gjatë diskutimit me krerët më të lartë të shtetit është nënvizuar sakaq edhe që listat e kandidatëve për zgjedhjet e 25 prillit të ishin të pastra, që ata të cilëve nuk iu duhen besuar poste me përgjegjësi të mos përfshiheshin në listat e kandidatëve, rëndësinë që ka që të sigurohet besim i publikut shqiptar në rezultatet e zgjedhjeve; që të kenë besimin që rezultatet pasqyrojnë vullnetin e elektoratit; që qeveria që del nga zgjedhjet është një shprehje legjitime e vullnetit të popullit.
Palmer nënvizoi se është e rëndësishme që zgjedhjet e 25 prillit të jenë të suksesshme, jo në kuptimin e fitores së një partie të caktuar apo një kandidati të caktuar, por të suksesshme institucionalisht, nga pikëpamja e procesit dhe strukturalisht, në mënyrë që të shihen si të drejta dhe transparente dhe të ofrojnë një rezultat që pasqyron vullnetin e atyre që dolën për të votuar dhe ushtruar të drejtat e tyre demokratike.
Gjatë konferencës së zhvilluar me gazetarët, Palmer nënvizoi mbështeti deklaratat e ambasadores Yuri Kim për kandidatë të besueshëm në zgjedhjet e 25 prillit në vendin tonë. Ndalur tek kandidimi i Tom Doshit, gjatë takimit me gazetarët, Palmer tha se Kim ka qenë mëse e qartë në deklaratat e saj, se kandidatët duhet të jenë të besueshëm.
Intervista e plotë
ZV/NS Palmer: Ju faleminderit shumë dhe faleminderit që u bashkuat me mua. Ka qenë kënaqësi e vërtetë të angazhohem në një vizitë qoftë edhe virtuale në Tiranë, e cila, të themi të drejtën, është një kopje e zbehtë e një vizite të vërtetë, dhe ushqimi nuk i afrohet fare. Por është vërtetë kënaqësi të kem mundësinë të ulem dhe bisedoj me disa miq të vjetër. Pata mundësinë sot të flas me Kryeministrin, të flas me Presidentin Meta, të flas me Lulzim Bashën. Ambasada organizoi një diskutim të jashtëzakonshëm me gjyqtarë, avokatë, prokurorë dhe gazetarë që janë aktivë në lidhje me reformën në drejtësi dhe ishte një grup vërtetë shumë i talentuar dhe i përkushtuar njerëzish.
Dhe pata një diskutim shumë interesant lidhur me ritmin dhe shtrirjen dhe drejtimin e përpjekjeve për reformën në drejtësi në Shqipëri. Sa më përket mua, në bisedat e mia me Kryministrin, Presidentin, dhe Z. Basha, diskutuam mbi stërvitjet Defender 21 që po vijnë dhe vlerën që shohim në thellimin dhe rritjen e marrëdhënies së mbrojtjes dhe sigurisë me Shqipërinë si një partnere në NATO, një aleate në NATO. Diskutuam mbi zgjedhjet që po vijnë, rëndësinë që Shtetet e Bashkuara i kushtojnë garantimit që zgjedhjet të ishin të lira dhe transparente dhe të zhvilluara sipas standardeve më të larta demokratike; që listat e kandidatëve të ishin të pastra; që ata të cilëve nuk iu duhen besuar poste me përgjegjësi të mos përfshiheshin në listat e kandidatëve; rëndësinë që ka që të sigurohet besim i publikut shqiptar në rezultatet e zgjedhjeve; që të kenë besimin që rezultatet pasqyrojnë vullnetin e elektoratit; që qeveria që del nga zgjedhjet është një shprehje legjitime e vullnetit të popullit. Nënvizova në të gjitha bisedat e mia masën në të cilën Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara për të qenë një partner i mirë dhe i fortë për Shqipërinë si dhe mirënjohjen tonë për gatishmërinë e Shqipërisë për të qenë një partnere e mirë dhe e fortë për Shtetet e Bashkuara.
Mbetemi të përkushtuar ndaj një të ardhmeje europiane dhe euro-atlantike për Shqipërinë. Shpresojmë shumë të shohim marrëveshjen nga ana e Këshillit Europian në qershor, për konferencën e parë ndër-qeveritare që do të lançonte formalisht procesin e negociatave, negociatave për anëtarësim. Me qëllim që të arrihet ky synim në qershor, është me rëndësi që Shqipëria të vazhdojë të bëjë përparim me reformën në drejtësi. Dhe është e rëndësishme që zgjedhjet e 25 prillit të jenë të suksesshme, jo në kuptimin e fitores së një partie të caktuar apo një kandidati të caktuar, por të suksesshme institucionalisht, nga pikëpamja e procesit dhe strukturalisht, në mënyrë që të shihen si të drejta dhe transparente dhe të ofrojnë një rezultat që pasqyron vullnetin e atyre që dolën për të votuar dhe ushtruar të drejtat e tyre demokratike. Më lejoni të ndaloj këtu dhe të marr disa pyetje. Dhe, pres me kënaqësi bisedën që do të zhvillojmë. Faleminderit që keni marrë kohë sot. Jam mirënjohës dhe e vlerësoj.
Muhamed Veliu, Top Channel: Shumë faleminderit, Brian. Faleminderit shumë, Z. Palmer, që gjetët kohë të flisni me ne sot. Muajt e shkuar, e kemi parë Ambasadoren Kim shumë aktive, duke kërkuar që personat me të shkuar kriminale të mos ulen në karriget e parlamentit. Në veçanti, lidhur me një individ, deputetin aktual Z. Tom Doshi, i cili në vitin 2018 u përcaktua nga Departamenti i Shtetit. Tani, Z. Palmer, të gjithë në Shqipëri po pyesin çfarë dini për këtë individ? Në çfarë lloj korrupsioni është përfshirë? A mund të jepni shpjegime për njerëzit që do të votojnë? Sepse Z. Doshi, për shembull në Tiranë, është i pari në listë, edhe në Shkodër. Njerëzit duhet ta dinë se në çfarë lloj korrupsioni është përfshirë.
ZV/NS Palmer: Së pari, shumë faleminderit për pyetjen. E vlerësoj. E kuptoj plotësisht arsyen. Nuk dua të përfshihem në hollësitë e rasteve të veçanta, personave të veçantë apo çështjeve të veçanta këtë moment. Por dua të theksoj se ata që identifikojmë për sanksione sipas këtyre lloj rregullave, përfshi sanksionet që i ndalojnë të mund të udhëtojnë për në Shtetet e Bashkuara, ne e bëjmë mirë punën tonë kërkimore. Sigurohemi që kemi bazën e njohurive që na duhen përpara se të marrim një vendim të tillë. Mendoj se është shumë e rëndësishme, siç e ka thënë fort, publikisht, dhe në mënyrë të përsëritur Ambasadorja Kim, që kandidatët që publiku shqiptar do të ketë mundësi të votojë, të jenë njerëz të cilëve duan t’iu besojnë pozicione autoriteti dhe përgjegjësie. Dhe është shumë e rëndësishme, do të argumentoja, që partitë politike të bëjnë gjithçka munden për t’u siguruar që listat që paraqesin për të përfaqësuar partitë e tyre dhe për të përfaqësuar vlerat e tyre të jenë të mbushura me njërëz që mund t’i mbështesin dhe t’i mbrojnë. Njerëz që do të donin t’i shihnin në pozicione besimi. Listat jan larg të qenit të përsosura. Ka ende shumë punë për të bërë. Dhe mendoj se Ambasadorja Kim dhe ambasada kanë qenë shumë të qartë për të identifikuar ato fusha ku ne vazhdojmë të kemi shqetësime. Mendoj se populli shqiptar ka të drejtën të presë nga partitë politike dhe nga udhëheqësia politike që do t’iu paraqiten mundësi zgjedhjeje, mundësi të mira zgjedhjeje që mund t’i bëjnë kur të shkojnë në kutinë e votimit. Dhe është edhe përgjegjësia e klasës politike që të jetë në nivelin e këtij detyrimi. Dhe të sigurojë që kur njerëzit shkojnë të votojnë, të kenë listat e kandidatëve përpara tyre dhe që ata janë njerëz për të cilët mund të jenë krenarë.
Sonila Agostini, RTSH: Tungjatjeta, Z. Palmer. Faleminderit për kohën tuaj. Është shumë e rëndësishme për ne të kuptojmë më shumë. A dëgjuat mesazhe nga Z. Meta, Z. Rama dhe Z. Basha mbi reformën në drejtësi dhe se do të vazhdojnë ta mbështesin siç është dhe a morët mesazhe prej tyre për zgjedhjet, që këto zgjedhje do t’i përmbushin standardet?
ZV/NS Palmer: Faleminderit për pyetjen, janë dy çështje shumë të rëndësishme, dy pyetje shumë të rëndësishme. Mund t’ju them që për sa më përket mua, unë parashtrova pritshmëritë e Shteteve të Bashkuara që përpjekjet për reformën në drejtësi do të vazhdojnë. Kjo nuk ishte një çështje e lidhur vetëm me një periudhë zgjedhore. Synimi i vërtetë nuk është përsosmëria në reformën në drejtësi. Synimi është që sot të jetë më mirë se dje dhe nesër më mirë se sot dhe kjo është diçka për të cilën të gjithë nevojitet të punojmë në shoqëritë tona – dhe përfshij edhe Shtetet e Bashkuara këtu – për të mbetur vigjilentë që figurat politike të mbahen përgjegjëse për sjelljet e tyre. Për ata që keqpërdorin postet e besimit publik duhet të ketë llogaridhënie dhe publiku duhet të ndjejë që ligji aplikohet drejt dhe në mënyrë të barabartë, që të gjithë ne, të gjithë ne, ballafaqohemi me të njëjtat standarde dhe që jemi të gjithë të barabartë përpara ligjit. Ky është synimi. Është një aspiratë. Është e tillë që drejt saj duhet të punojmë të gjithë ne. Mendoj se kemi parë përparim të vërtetë në reformën në drejtësi, por kushdo, sigurisht Shtetet e Bashkuara, unë, Ambasadorja Kim, dhe për këtë mendoj flas edhe në emër të Kryeministrit dhe Presidentit, si dhe të udhëheqësve të partive opozitare – mendoj që të gjithë ne, kolektivisht, e kuptojmë që ka ende shumë punë për të bërë, dhe kjo duhet të jetë përparësi për Shqipërinë, nëse Shqipëria do që të ecë përpara në rrugën e saj europiane. Në lidhje me pritshmëritë për 25 prillin, mendoj se të gjithë po punojnë drejt një procesi që të jetë sa më i ndershëm dhe i drejtë që mundet, dhe do të ketë goxha luftë politike rrugës, dhe kjo është pjesë normale e politikës demokratike. Por ajo që ka vërtet rendësi dhe sigurisht pozicioni që kam artikuluar dhe kam bërë të qartë është që institucionet e qeverisjes demokratike të jenë të forta dhe të shihen si legjitime nga publiku dhe që proceset të jenë transparente dhe llogaridhënëse dhe prodhojnë rezultate që pasqyrojnë vullnetin e publikut nëpërmjet një procesi demokratik.
Marsela Karapanço, News 24: Faleminderit, Z. Palmer. Shqipëria është duke pasur një fushatë të tensionuar politike. Në fakt, Presidenti Ilir Meta tha disa ditë më parë në Neës 24 se kushdo që prek votën do t’i pritet dora. Ndërkohë në Shqipëri, një ditë pas zgjedhjeve, do të zhvillohet stërvitja ushtarake Defender 21. A ka ndonjë lidhje midis këtyre dy çështjeve, zgjedhjeve dhe stërvitjes ushtarake këtu në Shqipëri?
ZV/NS Palmer: Nuk ka absolutisht asnjë lidhje. E vetmja gjë që mund të them për stërvitjet ushtarake është që pasqyron dhe thekson rëndësinë që Shtetet e Bashkuara i kushtojnë marrëdhënieve tona me aleatët dhe partnerët tanë në NATO, jo thjesht Shqipërinë. Por, Defender 21 është më e madhe se Shqipëria. Do të kemi stërvitje, angazhime, me shumë partnerë dhe aleatë në NATO në të gjithë rajonin dhe mendoj vërtet që është një mundësi që Shqipëria të shkëlqejë, si aleate në NATO, si një vend i pozicionuar shumë strategjikisht. Por nuk ka asnjë lidhje me zgjedhjet më 25 prill. Sigurisht i kemi kushtuar vëmendje një retorike të mprehtë që ka qenë pjesë e fushatës politike por e vërteta është që të vetmet vende ku fushatat janë pa nxehtësi dhe jo të mprehta janë në vende si Koreja e Veriut apo Kina komuniste, ku njerëzit vërtet nuk kanë mundësi legjitime zgjedhjeje. Pra, e dini, politika demokratike shoqërohet nga pasioni. Nuk është vetëm normale por është në fakt e shëndetshme. Ambasadorja Kim: Më lejoni të shtoj lidhur me çështjen e stërvitjes Defender 21. Datat për stërvitjen ishin përcaktuar shumë kohë më parë se të shpallej data e zgjedhjeve nga Presidenti Meta. Edhe një herë, siç tha Matt, varet nga axhenda e të gjitha vendeve të përfshira.
ZV/NS Palmer: Këto stërvitje planifikohen shumë kohë përpara. Ambasadorja Kim ka absolutisht të drejtë.
Esiona Konomi, ABC News: Faleminderit, Z. Palmer. Në këto zgjedhje, Kryeministri Edi Rama është mbështetur kryesisht tek procesi i vaksinimit. Por, në këtë proces, janë përdorur sasi të mëdha vaksinash nga Kina ose Rusia. A përbën kjo një shqetësim gjeopolitik për SHBA?
ZV/NS Palmer: Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara për të siguruar që të ketë akses në vaksina kudo në botë. Ne kemi zgjedhur ta bëjmë këtë kryesisht dhe në radhë të parë përmes mekanizmave shumëpalëshe si COVAX, GAVI. Këto janë mekanizmat në të cilat Shtetet e Bashkuara kanë vendosur burimet tona financiare dhe, deri tani, kemi kontribuar 2 miliardë dollar. Kemi 2 miliardë të tjerë në proces, pra një total prej 4 miliardë dollar në përkushtimin ndaj kësaj përpjekjeje. Kjo po fillon të jape fryte. Po shihni vaksinat të arrijnë, jo vetëm në Shqipëri dhe Ballkanin Perëndimor, me anë të COVAX, GAVI, por në fakt në të gjithë botën nëpërmjet kësaj përpjekjeje. Mendoj se kinezët, dhe sidomos rusët, kanë zgjedhur të luajnë një lloj diplomacie vaksinash ku e përdorin aksesin në vaksina si një lloj instrumeti politik. Sinqerisht e shoh pak të çuditshme.
Mendoj se secili vend duhet të bëjë më të mirën që mundet për t’u siguruar që kujdeset për shëndetin publik të qytetarëve të vet. Dhe kjo do të thotë të shohësh mirë se çfarë vaksinash janë të dispozicion dhe të aksesueshme, duke parë të dhënat, duke vendosur si vend i pavarur, si qeveri, nëse të dhënat mbështesin miratimin e një vaksine të caktuar apo jo. Do të ketë disa dallime pikëpamjesh për këtë në varësi të standardeve që përdoren. Dhe pastaj, brenda këtij kuadri të sigurimit të përfitimeve maksimale për shëndetin e qytetarëve të tyre, të marrin vendime se cilat vaksina të miratohen, si të sigurohen ato vaksina, dhe nëse duhet punuar me anë ndërmjetësish apo drejtpërdrejt me kompanitë nëpërmjet COVAX dhe GAVI apo nëpërmjet mekanizmash të tjerë dhe të bëhet çdo gjë që mundet që qeveria të ofrojë vaksina të mjaftueshme për të ulur kurbën dhe kontrolluar pandeminë. Të gjithë po e bëjmë këtë. Shtetet e Bashkuara po e bëjnë. Vendet europiane po e bëjnë. Vendet e Ballkanit Perëndimor po e bëjnë. Shqipëria po e bën. Mendoj është diçka normale. Përzierja e përshtatshme e vaksinave është diçka që varet vërtet nga qeveria shqiptare, nga autoritetet kompetente në Tiranë që ta përcaktojnë. Shtetet e Bashkuara janë aty në partneritet me Shqipërinë dhe të gjithë botën. Dhe mekanizmi ynë kryesor është COVAX.
Klesiana Omeri, Klan News: Z. Palmer, faleminderit për bisedën. Doja t’ju pyesja nëse Shtetet e Bashkuara do të kërkojë për verifikimin e një kandidati të dyshuar, edhe pas zgjedhjeve? A do të vazhdojë ndjekja penale e tyre edhe pasi të jenë zgjedhur deputetë?
ZV/NS Palmer: E dini, kemi pritshmëri jo vetëm për kandidatët për deputetë por kemi pritshmëri edhe për ata që kanë poste ndaj, nëse po më pyesni nëse Shtetet e Bashkuara do të këmbëngulin që partnerët tanë në qeveri të jenë njerëz të pastër dhe që punojnë në mënyrë që është në përputhje me normat demokratike e standardet demokratike, përgjigja është absolutisht po. Dhe ne mendojmë se është shumë e rëndësishme që institucionet gjyqësore, teksa ecin përpara në Shqipëri me procesin e reformës, të demonstrojnë se janë mjeti i duhur për të siguruar llogaridhënie nga ana e atyre që kanë pushtet. Nuk janë vetëm gjykatat. Shoh edhe SPAK të ngrihet dhe të fillojë të bëjë punën dhe ta bëjë atë në mënyrë të efektshme dhe duke vendosur standarde. Ka një mesazh që po del: që ata që kanë poste të besimit publik dhe i keqpërdorin dhe abuzojnë ato pozicione do të japin llogari për to.
Merita Haklaj, A2/CNN: Z. Palmer, faleminderit për mundësinë. Kam shumë pyetje por mundësi aështë për një. Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nëpërmjet ambasadores në Tiranë, po njeh me zë të lartë problemet tona kryesore me zgjedhjet në vend, përfshi blerjen e votave, presionin për votat, ndikimin e krimit dhe korrupsionin në politikë. Kemi pohime të forta të Ambasadores Kim që bën thirrje për një parlament me integritet nga zgjedhjet e 25 prillit. A ndjeni nga takimet sot se presioni i ambasadores së SHBA do të funksionojë? Më lejoni të shtoj që Gjykata Kushtetuese është funksionale por ende nuk ka trajtuar çështje themelore që janë bërë pjesë e konfliktit të fortë politik në vend. Një nga këto është vlefshmëria e zgjedhjeve të vitit 2019. Dhe ju ishit shumë aktiv në atë kohë. Si e shihni këtë radhë?
ZV/NS Palmer: E dini, pyetje e shkëlqyer. A mendoj nëse udhëheqësia në Tiranë po e dëgjon mesazhin tonë? Absolutisht. Ambasadorja Kim është shumë gjëra por nuk ka dyshim që është shumë e qartë. Dhe, mendoj që kjo është një vlerë e rendësishme kur ne komunikojmë për çështje me rëndësi si reforma në drejtësi, si llogaridhënia. Mendoj që Shtetet e Bashkuara kanë një detyrim dhe përgjegjësi ndaj Shqipërisë për të qenë të qarta dhe pa kurrfarë paqartësie në mesazhet tona për këtë. Ne kemi çdo pritshmëri për t’i kërkuar standarde të larta Shqipërisë. Sinqerisht, nuk është një standard që vendi do ta arrijë nesër apo pasnesër. Ajo që duam të shohim është që Shqipëria të jetë gati të zërë vendin e saj si anëtare e Bashkimit Europian dhe janë 80,000 faqe rregulla që duhen për acquis dhe ka kërkesë për të demonstruar se ka një historik të fortë transparence dhe llogaridhënieje për ata që kryejnë korrupsion. Kjo është një nga vlerat themelore të Bashkimit Europian. Është një prej vlerave themelore të aleancës ndëatlantike. Antikorrupsioni është një vlerë thelbësore, jo thjesht për BE-në, por është vlerë kyçe edhe për NATO-n. Është një vlerë kyçe edhe për Shtetet e Bashkuara. Diçka qendrore për partneritetin tonë me Shqipërinë. Është bërë përparim. Ka vërtet shumë për të bërë. Dhe ajo që duam të shohim është që figurat e fuqishme, njerëzit me ndikim, njerëz që në të kaluarën kishin një pritshmëri se do të ishin të mbrojtur, të japin llogari. Duhet të ketë ndjekje penale. Duhet të ketë dënime. Ata që dënohen duhet të kryejnë dënimet. Këtë pamje ka llogaridhënia dhe gjërat po ecin në drejtimin e duhur. Mendoj që prirjet e përgjithshme janë në drejtimin e duhur por jemi të paduruar. Dhe besoj që populli shqiptar është i paduruar. Dhe do të donim të shihnim që përparimi në këtë fushë të përshpejtohet dhe të bëhen shembuj.
Ardit Hoxha, Euronews: Faleminderit. Në fakt, kisha disa pyetje por meqë duhet të bëjmë vetëm një, po pyes: Zoti Palmer, duke pasur parasysh ndryshimet në kodin zgjedhor vitin e shkuar, por edhe zbatimin në shkallë të gjerë të teknologjisë, çfarë lloj zgjedhjesh presin Shtetet e Bashkuara nga Shqipëria më 25 prill? A e shihni premisën që janë hapa vërtet cilësore për Shqipërinë në procesin zgjedhor?
ZV/NS Palmer: Nuk dua të paragjykoj atë që do të ndodhë më 25 prill. Ne i marrim informacionet sinqerisht nga misioni i OSBE/ODIHR që vendosin standardin e artë për këto lloj vëzhgimesh të zgjedhjeve. Pres me kënaqësi raportin që ekipi i OSBE/ODIHR do të prodhojë. Raporti që bënë për zgjedhjet e shkuara në shumë mënyra drejtoi përpjekjet tona për të mbështetur reformën zgjedhore përpara këtyre zgjedhjeve dhe mendoj se u arrit marrëveshje në parlament për reforma mjaft të rëndësishme, mjaft domethënëse. Kam çdo arsye për të besuar që nëse ato reforma zbatohen dhe punohet për to, që këto zgjedhje do të jenë një hap përpara, një hap në drejtimin e duhur, dhe në fakt këtë kërkojmë. Kërkojmë përparim pozitiv.
Kërkojmë jo diçka të përsosur, por diçka më të mirë dhe ndjesinë se gjërat vazhdojnë të ecin përpara me reformat në mënyra që inkurajojnë publikun shqiptar. Të dinë që kur të shkojnë të hedhin votën, vota do të numërohet. Që do të numërohet drejt përkrah qindra e mijëra të tjerëve që hedhin votën. Dhe që rezultati, ajo që del në formën e parlamentit, udhëheqësia e zgjedhur do të pasqyrojë agregatin e atyre votave. Sigurisht ka sfida rrugës, që nuk kanë të bëjnë me procesin e numërimit të votave, por kanë të bëjnë me mjedisin dhe kushtet e medias. Edhe kjo është diçka që e trajton OSBE/ODIHR. Është një Fushë ku ne duam të shohim përparim dhe reformë. Një mjedis pozitiv për median, akses i barabartë ndaj instrumentave që lejon partitë që zëri i tyre të dëgjohet.
Thimi Samarxhi, Vizion+: Faleminderit, Brian. Faleminderit, Ambasadore Kim dhe faleminderit Z. Palmer. Z. Palmer, ju dëgjova të përmendnit Korenë e Veriut, e cila përdoret shumë nga Presidenti ynë dhe përmendët reformën në drejtësi dhe përfshirjen tuaj në zgjedhjet tona në vitin 2019. Duke vështruar pas në kohë, gjej shumë postime në Facebook, Tëitter, komente nga presidenti që deklaroi . Pas dy vjetësh, si janë marrëdhëniet tuaja me Presidentin? A janë normale? Si e shihni përfshirjen e presidentit në këto zgjedhje, se presidenti duhet të jetë mbi palët dhe nuk është mbi palët, por është i pëfshirë në këtë fushatë. Ai po kërkon që të vijë ndryshim pas 25 prillit. Si e shihni këtë përfshirje të presidentit dhe si mund të ndikojë kjo situatën e këtyre zgjedhjeve?
ZV/NS Palmer: Për pjesën time, marrëdhënia me Presidentin Meta është e shkëlqyer. Dhe e kemi njohur njëri-tjetrin për shumë vite dhe kemi pasur shumë biseda dhe flasim me njëri-tjetrin shumë hapur dhe sinqerisht, çka mendoj është mënyra se si duhet të flasin aleatët e partnerët me njëri-tjetrin. Shtetet e Bashkuaram unë personalisht, nuk kemi anë. Ana jonë është Shqipëria. Është marrëdhënia Shqipëri-SHBA. Punojmë mirë dhe ngushtë me qeverinë e tanishme. Do të punojmë mirë dhe ngushtë me çfarëdo qeverie që do të dalë nga zgjedhjet e 25 prillit. Jam i bindur se cilado parti të dalë fituese më 25 prill, cilido të jetë kryeministri pas 25 prillit, do të jetë dikush që e vlerëson partneritetin me Shtetet e Bashkuara. Po ndaloj këtu. Nuk marrim anë në politikën e cilitdo.
Nertila Dosti, Ora News: Tungjatjeta, Z. Palmer. Shqipëria duket se po bën pas në raportet lidhur me lirinë e medias. Këshilli Europian e ka kritikuar ligjin anti-shpifje, ndërkohë që një gjykatë e pavarur vendosi që Shqipëria i detyrohet 110 milionë euro biznesmenit Italian Francesco Becchetti për mbylljen e stacionit të tij televiziv. A mendoni se këto rekorde demonstrojnë liri të dobët për median?
ZV/NS Palmer: Mendoj se ka absolutisht punë për të bërë për lirinë e medias, jo vetëm në Shqipëri por kudo në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Vizioni ynë për rajonin është një rajon që është drejt integrimit europian me institucionet europiane, përfshi sidomos Bashkimin Europian. Kjo do të kërkojë shumë përpjekje në fushën e lirisë së medias, dhe mendoj se ka shumë për të bërë në Shqipëri. Por nuk mendoj se është një sfidë unike. Mendoj se atë e ndajnë gjerësisht në rajonin e Ballkanit.
Ambasadorja Kim: A mund të shtoj një shënim sqarues, thjesht për të parandaluar çfarëdo keqkuptimi. Ajo që ZV/NS Palmer tha ka të bëjkë me lirinë e medias dhe mjedisin e medias në përgjithësi. Nuk është një koment për rastin që përmendët. ZV/NS Palmer: Po, nuk po komentoj rastin e veçantë. Flas thjesht në përgjithësi në lidhje me lirinë e medias. Mendoj se ka shumë punë për t’u bërë ende në mënyrë që Shqipëria të bëjë përparim në rrugën e saj europiane.
Arsen Rusta, Report TV: Faleminderit, Z. Palmer. Kam dy pyetje që po i kombinoj në një. Pas dy vjetësh, a janë rezultatet nga SPAK ato që prisnit? A janë këto zgjedhje shansi i fundit që ne të arrijmë destinacionin e Bashkimit Europian?
ZV/NS Palmer: Mendoj që SPAK po bën përparim. Nuk kam një stekë objektive me të cilën ta mat përparimin në kohë. Por synimi është të punojmë me SPAK si partnerë, t’i ndihmojmë ata të ndërtojnë kapacitetet për të qenë të aftë që të veprojnë në mënyrë që nxit qeverisjen e mirë, transparencën dhe në rastin e SPAK, llogaridhënien. Që është dhe synimi në fakt. A mund ta riformuloni pjesën e dytë?
Arsen Rusta, Report TV: A mendoni se demokracia në këto zgjedhje është shansi i fundit për popullin shqiptar që të arrijë destinacionin e Bashkimit Europian?
ZV/NS Palmer: Mendoj që është shumë e rëndësishme që zgjedhjet e 25 prillit të zhvillohen në mënyrë që tregon përparim pozitiv përpara me reformat demokratike dhe reformat zgjedhore. Në një mënyrë të tillë që e bën Këshillin Europian të ndihet mirë për t’i dhënë dritën jeshile konferencës së parë ndërqeveritare, çka është diçka që mendojmë se Shqipëria e ka fituar, dhe diçka që do të donim shumë ta shihnim të ndodhte.
Klaudja Karabolli, Syri TV: Faleminderit për mundësinë. SHBA po flet për vëzhgimin në çdo qendër votimi, por procesi i blerjes së votave ndodh përpara datës së zgjedhjeve më 25 prill. Si do ta pikasin vëzhguesit problemet qendrat e votimit. Si do t’i pikasin vëzhguesit problemet dhe blerjes e votave?
ZV/NS Palmer: Nuk dua të flas në emër të OSBE/ODIHR por e di që ky është një problem, një sfidë që nuk është aspak unike për Shqipërinë. Diçka që unë e parashikoj dhe e pres shumë është që ekspertët e OSBE, të cilët janë të ngarkuar me monitorimin e kushteve të zgjedhjeve, duke ofruar raporte dhe rekomandime për reformat e nevojshme me qëllim që të forcohet sistemi, jam i bindur që kjo është diçka që edhe ata do ta ndjekin nga afër.
Fraksion.com