Greva në Rinas; Balluku: Situatë e paprecedentë që cenon sigurinë kombëtare, nga 4400 $ dollarë sot paguhen 2490 $
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku u bëri thirrje kontrollorëve të Kullës së Trafikut Ajror në aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza”, që kanë deklaruar paaftësi për punë, të dalin nga ambientet e punës, pasi ata kanë braktisur detyrën.
Në një konferencë për mediet, Balluku u shpreh se pavarësisht se kanë deklaruar paaftësi për të vijuar punën, kontrollorët po vijojnë të qëndrojnë në vendet e tyre të punës, në mënyrë që ligjërisht të mos i quhet braktisje e vendit të punës.
Të rrish në ndërtesë, tha ministrja, nuk do të thotë se po bën punën.
“Ata që ndjejnë përgjegjësi ndaj qytetarëve të Republikës së Shqipërisë të kthehen menjëherë në detyrë, sipas organizimit që do të kryhet nga drejtuesit e tyre. Kulla e navigimit ajror të Republikës së Shqipërisë është objekt i sigurisë së lartë dhe pas veprimeve të kryera nga kontrollorët për të mos ushtruar detyrën e tyre dhe për të mos lejuar asnjë fluturim, ne na lind e drejta të humbim besimin ndaj tyre dhe nga momenti që keni bërë këtë veprim, mund të kryeni edhe aksione shumë më të rrezikshme. Nga ky moment ndërtesa merret në ruajtje nga Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë. Policia e Shtetit ka për detyrë për të liruar ndërtesën nga ata kontrollues që kanë braktisur detyrën. Shpresoj t’i kthehen detyrës e të mbyllet këtu kjo histori dhe të harrohet sa më shpejt ky turp”, tha ministrja.
Për braktisjen e punës nga ana e kontrollorëve, tha Balluku, janë dëshmitarë të gjithë shqiptarët, ndërsa u kujtoi atyre se nuk do t’i ndihmojë askush kur të dalin para drejtësisë.
“Dëgjova avokatin tuaj që thoshte: të marrin kredi dhe ta paguajnë. Ju sot pagat i merrni për shkak të një kredie. Ka marrë një kredi Albcontrol nga Eurocontrol dhe sot ka nisur pagesa e parë e këstit. Nëse na sugjeroni që të marrim një tjetër kredi; jo nuk e marrim dot”, u shpreh ministrja.
Balluku tha se kjo grevë ka ardhur vetëm se ata kërkojnë mbi 4 mijë dollarë pagë në kohë pandemie, ndërsa shtoi se “marrin peng Republikën e Shqipërisë, sikur ta kenë tokën e babait të vet”.
“Për shkak të kësaj emergjence të krijuar në aeroportin e Rinasit, në portën e vetme që e lidh me vendet e tjera, kemi situatë të jashtëzakonshme. Kontrollorët kanë vendosur që të bëjnë një grevë tërësisht të paligjshme. Në Kodin e Punës është e përcaktuar qartë që: ndalohet greva për sektorët sensitivë, duke e nënvizuar dhe trafikun ajror. Ka nisur që dje kjo tentativë e jashtëzakonshme e kontrollorëve të trafikut ajror, por jo nga të gjithë. Për të kërkuar para në kohë pandemie. Nga 4 mijë e ca dollarë, sepse disa të tjerë e kanë më të ulët, nëse nuk iu afrohen kaq para: atëherë ata marrin peng Republikën e Shqipërisë, sikur ta kenë tokën e babait të vet”, tha Balluku.
Sipas ministres Balluku, një pjesë e vogël e tyre është kapur nga politika dhe për shkak se ndodhemi në fushatë kanë futur duart mjeshtrat e politikës.
“Sot një çetë ka marrë e ka bërë plaçkë trafikun ajror. Qëndrojnë brenda ndërtesës ata që kishin turnin sot, që të mos i quhet braktisje e vendit të punës. Për sa kohë është mbyllur aeroporti i Rinasit për shkak të mosoperimit tuaj, ju nuk po e kryeni detyrën tuaj, kështu që nuk jeni në detyrë dhe është e pavlefshme që të qëndroni në godinë”, shtoi ajo.
48 kontrollorë të trafikut ajror të Albcontrol thuajse njëkohësisht kanë shpallur paaftësinë e tyre në punë, duke firmosur një dokument se kanë stres për shkak të kushteve të vështira financiare të tyre, që kanë ardhur si pasojë e uljes së pagës së tyre nga 4400 dollarë në 2490 dollarë si pasojë e pandemisë.
Ky vendim ka sjellë edhe bllokimin e punës dhe pezullimin e të gjitha fluturimeve në aeroportin e Rinasit ditën e sotme.
Në vitin 2019 kontrollorët e trafikut ajror shqiptar menaxhonin 216 mijë avionë, sot kemi rënie me 57 % të trafikut dhe në vitin 2020 u përpunuan vetëm 102 mijë avionë.
Fraksion.com