AktualitetPolitikëTë fundit

“Do rikthehem në kullën e Sahatit si kryeministër”; Basha nga Peqini: Kur kaloj në tunelin Tiranë-Elbasan kujtoj sa e pandalshme është fuqia jonë

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha është ndalur ditën e sotme në Peqin, ku ka takuar dhjetëra qytetarë.

Në fjalën e tij të shkurtër, sipër nja makine, siç tashmë e ka bërë në çdo takim elektoral, Basha tha se Rama në këto 8 vite nuk ka bërë gjë tjetër veçse ka premtuar të njëjta gjëra, prandaj sipas tij ka ardhur momenti “që t’i përplaset dera në fytyrë”.

“Për vite me radhë kam pasur nderin të jem deputet i qarkut të Elbasanit dhe Peqinit, bashkë njihemi edhe pse jemi takuar shpesh, por edhe sepse na kanë lidhur hallet, sfidat dhe sa herë marrë rrugën nga Tirana në Elbasan, sa herë që distanca mes Tiranë-Peqin është bërë 4 herë më e shkurtër për shkak të tunelit të Elbasanit kujtohem sa e pandalshme është fuqia jonë. 8 vite ua ka ulur kokën me bandat e tij, ju ka keqtrajtuar, ju ka fyer, papunësia ka shkatërruar ekonominë familjare, sot le të bëhemi bashkë, dita e ndryshimit po afron, Peqini do ndryshim, Shqipëria do ndryshim dhe ndryshimi që po vjen është përfundimi i rrugës që kemi nisur bashkë duke sjellë standardet Europiane, arsim dinjitoz. Rama përsërit të njëjtat premtime në 8 vite, ati duhet t’i mbyllet dera në fytyrë, i thuhet ‘ik, boll më'”, tha Basha.

” Të gjithë bashkë, me votën tuaj për Partinë Demokratike, për numrin 9 më datë 25 prill do të hapim derën për ndryshimin, për punësimin, për mirëqenien. Katër vite ardhshme do të jenë vitet e një ndryshimi rrënjësor për Peqinin. Heshtja që ka pllakosur, zbrazëtia e dyqaneve, shpunësimi, dëshpërimi i fermerëve do të marrin fund. Këtu do të kthehem te kulla e sahatit si kryeministri juaj i ardhshëm për të shijuar së bashku punësimin, mirëqenien, rritjen e të ardhurave dhe ndryshimin që do të përfshijë çdo familje të Peqinit, të Elbasanit dhe të gjithë Shqipërisë!”, u shpreh Basha.

 

Fraksion.com