Bllokimi i fluturimeve në Rinas, Balluku akuza Berishës: Qëllimi i tij që të mos zhvillohet stërvitja e NATO-s, i kam njoftuar aleatët
Ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku ka akuzuar ish-kryeministrin Sali Berisha se ka nxitur situatën e krijuar në Rinas për bllokimin e fluturimeve, pasi kontrollorët pezulluan punën.
Sipas Ballukut, qëllimi i Berishës është që të mos lejoje zhvillimin e stërvitjes së NATO-s DEFENDER – Europe 21, të planifikuar më 26 prill, ndërsa shtoi se aleatët janë njoftuar për këtë përpjekje.
“Roli i Berishës është nxitës, ka që dje që i nxit dhe i mbështet me sharje e mallkime të stilit të tij që këta njerëz të bllokonin trafikun, të reagonin me forcë. Qëllimi i Berishës është që shtetit të dështojë, qytetarët të mërziten me shtetin, të krijohet pakënaqësi në çdo nivel, të bllokohet Shqipëria, unë kam njoftuar aleatët, ai ka si qëllim që të mos zhvillohet stërvitja e NATO-s, që është parashikuar në datën 26 prill”, tha Balluku.
Ministrja Balluku tha se stërvitja e NATO-s Defender Europe 21 do të zhvillohet se qeveria nuk do të lejojë që të dorëzohet nga grushti i shtetit. Ajo tha se organizatorët e kësaj greve janë kallëzuar në prokurori.
“Ne kemi një zgjidhje dhe nuk do të lejojmë që një kast dhe elitë që të plotësojmë tekat e tyre duke penalizuar të gjithë Shqipërisë, kërkon të penalizojë imazhin e saj dhe aq më pak të penalizojë marrëdhëniet tona me aleatët. Kallëzimi penal është bërë për atë që e kanë organizuar, jo për të gjithë, ata që e kanë organizuar ata do të shkojnë para drejtësisë pasi nuk merret dot peng një vend. Do të mbahet patjetër stërvitja ushtarake Defender Europe 21. Qeveria nuk do të dorëzohet prej këtij grushti shtetit.
Ndërkohë mësohet se policia dhe ushtria kanë ‘zbarkuar’ në zyrat operative të Albcontrol, duke marrë shkas nga greva e kontrollorëve.
Gjithashtu mësohet se Policia e Shtetit ka dërguar në aeroportin e Rinasit, 2 grupe të FNSH-së, ndërsa në patrullim është dhe policia ushtarake. Prezenca e policisë dhe ushtrisë bëhet për efekt sigurie, pasi Albcontroll është institucion i sigurisë së lartë.
Fraksion.com